DEBATI MES KUNDERËS DHE HAVELIT

FALMA FSHAZI
Debati mes Kunderës dhe Havelit është pasionant. Shpërfaqet në’68-tën, bashkë me atë që quhet Pranvera e Pragës. Është debati mes dy disidentëve me histori, natyra e qasje të ndryshme. Njëri, Kundera, zgjedh të ikë nga vendi, në mes të viteve’70-të; tjetri, Haveli,mbetet aty dhe burgoset për vite të tëra. Kundera vazhdon edhe sot të jetojë e shkruajë në Paris, ndërsa Haveli jetoi e vdiq në Çeki, u përfshi në politikë, duke shkuar shumë përtej intelektualit disident dhe angazhimit qytetar. Debati mes tyre është një përballje e gjatë me shkrime, veçanërisht për atë që quhet “çështja çeke,”ka ne gjeneze zhvillimet politike në Çeki në 1968-‘69 dhe shtypjen e reformave nga tanket sovjetike. Është debat që përfshin dhe shumë teori politike në lidhje me të drejtën e vetëvendosjes së popujve. Në këtë kuptim, për të thënë diçka mbi Kunderën që i thotë Havelit “njeri politik”, apo për Havelin si “njeri politik”, duhet folur mbi debatin e tyre të kahershëm dhe përballjen e dy rrugëve, dy historive, dy zgjedhjeve. Është një pasuri shumë e madhe kjo për një popull. Një pasuri për t’u pasur zili. Ndërsa, për sa i përket “njeriut politik”, mendoj se qytetaria është një status në thelb politik. Identifikimi si shtetas i një vendi, A-ja e qytetarisë, është një akt politik. Një komb është një e tërë politike, sepse kufijtë janë vendimmarrje politike. Por kjo nuk është detyrimisht politika e ditës. Kur Kundera i thotë Havelit “njeri politik”, ka të bëjë me politikën e ditës, sepse si qytetarë e intelektualë, ato janë në të njëjtën shkallë njerëz politikë. “Politikanin” te Haveli duket sikur e prodhon qëndrimi në Çeki, domethënë, moszgjedhja e largimit si Kundera, dhe përfshirja në përditshmërinë e këtij vendi. Ndoshta dhe qenia e tij “optimist”, siç vlerësohet nga shumë. Por çfarë ndodh pas kësaj përfshirjeje, kjo është një histori tjetër që ka të bëjë me një rrugë shumë të rrezikshme për anën intelektuale dhe shpirtërore. Kundera, si disident i kahershëm dhe i vërtetë si vetë Haveli, por që zgjodhi largësinë nga politika e ditës, kishte mundësinë ta shihte këtë rrezik, të cilin, në njëfarë mënyre,e paralajmëroi.
(Pjesë nga një intervistë më e gjatë)

Leave a Reply

Your email address will not be published.

fifteen + one =