Kosova, shtet laik apo shtet ateist?

DR KLODIAN RADO*

Përgjatë 20 viteve të mia si ekspert në fushën e Së Drejtës Kushtetuese në Shqipëri dhe përtej oqeanit, nuk kam hasur asnjëherë debat juridik më absurd se ai që po ndodh sot në Kosovë në lidhje më mbulesën me shami të vajzave dhe grave. Për më tepër as si rast laboratorik me studentët në auditor nuk mund të sillet një diskutim i tillë, sepse do të konsiderohej fyerje e inteligjencës juridike edhe për studentët që sapo kanë filluar studimet e tyre në drejtësi. Çfarë ka ndodhur në Kosovë sipas lenteve ligjore?

Para disa ditësh nisi fushata “Ndrysho udhëzimin administrativ për shaminë”, për lejimin e shamive në institucione shkollore, me anë të një peticioni online. Synimi ishte shfuqizimi i udhëzimit administrativ të Ministrisë së Arsimit të Kosovës, e cila pengonte mbajtjen e shamive në ambientet shkollore publike. Juridikisht, përdorimi i këtij mjeti është zgjedhje jo pak e çuditshme, sepse injorimi i tij apo kërkimi i konstatimit si absolutisht të pavlefshëm do të ishte rruga e duhur. Çdokush që ka kryer dhe do kryente veprime bazuar mbi këtë akt nuk duhet të konsiderohej se ishte duke kryer veprime arbitrare, dhe në fakt do duhet që të mbante përgjegjësi ligjore penale, administrative dhe civile për çdo dëm të shkaktuar. Ky është i vetmi reagim juridik i mundshëm me një situatë të tillë, dhe jam i sigurt që kolegët e mi juristë në Kosovë, Shqipëri e në çdo vend tjetër më kuptojnë mjaft mirë.

Megjithatë, çudia shtohet kur një grup mediash, portalesh e disa individësh që me sa duket ose nuk ia kanë shumë haberin ligjit, ose nuk duan t’ia dinë për të, si përgjigje e këtij peticioni kanë nisur në Kosovë, e çuditërisht edhe në Shqipëri, një “gjueti shtrigash” të paprinciptë mbi qeverinë e Kosovës, e cila deklaroi se ka vendosur që këtë kërkesë ta shqyrtojë duke u mbështetur në Kushtetutën e saj, që garanton respektimin e lirive dhe të drejtave themelore, parimin e dinjitetit dhe autonomisë personale, të së drejtës themelore për besim, si dhe lirinë e arsimit.

Absurditeti juridik nuk përfundon me kaq. Edhe më i çuditshëm është “argumenti” i kundërshtarëve që shqetësimin e tyre e bazojnë gjoja mbi parimin e “shtetit laik”. Çfarë është “shtet laik” dhe çfarë nënkupton nga pikëpamja ligjore? Përgjigjen e jep vetë Neni 8 i Kushtetutës së Kosovës, që parashikon se: “Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare”. E thënë me shkoqur, modeli i “shtetit laik” i adaptuar nga Kosova është i bazuar mbi parimin e ndarjes dhe asnjanësisë së shtetit nga besimet fetare, model i përafërt me atë të Shqipërisë, dhe i frymëzuar nga një sërë vendesh demokratike, të gjitha këto të inspiruara nga Kushtetuta e SHBA-së. Modeli i “shtetit laik” kosovar bazuar në parimin e ndarjes dhe asnjanësisë, do të thotë që në Republikën e Kosovës nuk ka fe zyrtare dhe që shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike. (Neni 38/3).

Thënë këto, le t’i kthehemi thelbit të çështjes së shamisë dhe të kuptojmë çfarë do të thotë ajo nga pikëpamja e lirive dhe e të drejtave themelore të vajzave dhe grave kosovare. Çfarë rregullimi bën Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si akti me i lartë juridik për këtë çështje?

Fatmirësisht, kjo është nga ato çështje ku vetë teksti i Kushtetutës i jep zgjidhje shteruese dhe pa ekuivok.

Së pari, Kushtetuta e Kosovës në Nenin 38 [Liria e Besimit, e Ndërgjegjes dhe e Fesë], sanksionon se: “Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë, është e garantuar”. Kjo liri “ngërthen të drejtën për të pranuar dhe për të manifestuar fenë, të drejtën për të shfaqur bindjet personale”, dhe “askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet, në kundërshtim me ndërgjegjen e vet, që të marrë pjesë në praktikimin e fesë si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij/saj”. Siç lexohet qartë, mbajtja e shamisë për sa është pjesë e praktikimit të një besimi fetar, kthehet në liri themelore, e cila është e garantuar sipas Kushtetutës së Kosovës. Mbajtja e saj mund të kryhet në ambiente private dhe publike.

Sipas Kushtetutës, askush nuk mund as ta detyrojë vendosjen e saj me forcë, dhe as ta ndalojë mbajtjen në kundërshtim me ndërgjegjen e vetë vajzës/gruas që në mënyrë të lirë ka marrë një vendim të tillë. Institucionet kosovare e çdo subjekt tjetër ligjor, nuk e kanë opsionale respektimin e Kushtetutës; por e kanë detyrim të cilin nëse nuk e kryejnë, përballen me pasoja ligjore të natyrës penale, administrative dhe civile.

Së dyti, Kushtetuta e Kosovës garanton në Nenin 47 [E Drejta për Arsimin] se “Secili person gëzon të drejtën e shkollimit themelor pa pagesë”. Po ashtu, “institucionet publike sigurojnë për secilin person mundësi të barabarta për t’u arsimuar, sipas aftësive dhe nevojave të veçanta të tij/saj”. Çdo pengesë që u bëhet vajzave dhe grave kosovare, në të drejtën e tyre për arsim, është një akt jo vetëm antikushtetues, por barbar që synon lënien e tyre jashtë dritës së dijes, në shekullin e XXI, mu në zemër të Evropës. Nënave, motrave apo bijave të Kosovës, të cilat kanë marrë një vendim autonom që të praktikojnë besimin e tyre, kjo liri themelore iu mohohet e bashkë me të edhe e drejta e tyre për arsim.

Me këtë sjellje që nuk ka lidhje me një shtet të së drejtës, e aq më pak të standardeve ku Kosova synon të integrohet, Kosova rrezikon jo vetëm që të renditet me vendet me rekordet me të këqija të respektimit të lirive themelore në botë, por mund të përballet edhe me padi-grupi (class action) nga të dëmtuarat dhe familjarët e tyre, padi e cila mund t’u shkaktonte taksapaguesve kosovarë dhjetëra miliona euro dëme, për shkak të dëmshpërblimit që të dëmtuarit do të merrnin me të drejtë nga gjykata. Kjo e drejtë iu garantohet në vetë Kushtetutën e Kosovës, [Nenin 54 – Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], në të cilin sanksionohet se: “Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur”.

Së treti, zonjat/zonjushat kosovare që me autonominë e tyre personale kanë vendosur të bëjnë atë zgjedhje besimi, kanë të drejtën për barazi para ligjit dhe për të mos u diskriminuar për shkak të gjinisë apo fesë të tyre. Neni 24 [Barazia para Ligjit] garanton se: “Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim”. Po ashtu, “askush nuk mund të diskriminohet në bazë të gjinisë apo fesë”. Pengimi në lirinë e tyre është sinjali më shëmtuar i shoqërisë maskiliste të Kosovës, e cila në rastin më të mirë i trajton këto qytetare si të dorës të dytë, që janë të paafta të marrin vendime autonome për veten e tyre, e në rastin më të keq, si objekte seksuale që zhveshjen ia diktojnë me rregullore shkolle. E kjo është një tjetër sjellje dhe pasojë që bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës [Nenin 7] ku sanksionohet se: “Republika e Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore”.

Së katërti, Republika e Kosovës është e detyruar të respektojë standardet e së drejtës ndërkombëtare, sa i përket lirisë të ushtrimit të besimit. Neni 22 i Kushtetutës u njeh një vend special marrëveshjeve dhe konventave ndërkombëtare të ratifikuara, jo vetëm duke i dhënë prioritet në krahasim me të drejtën e vendit (parimi i superioritetit), por edhe duke lejuar zbatimin e drejtpërdrejtë të tyre në Kosovë (parimi i drejtpërdrejtësisë). Kjo do të thotë që edhe sikur fare mos të ishte e garantuar liria e besimit dhe e arsimit në Kushtetutën apo ligjet e Kosovës, përsëri këto të drejta do të ishin të zbatueshme drejtpërdrejt dhe me prioritet, si rrjedhojë e këtyre akteve juridike ndërkombëtare. Liria e besimit dhe ushtrimi i tij gjenden të gdhendura në aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Kosova të tilla si: Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj, Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile e Politike dhe Protokollet e saj; Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas, etj.

Së pesti, duke pasur parasysh se çështja e mbajtjes së shamisë është çështje e lirisë themelore të besimit, të së drejtës për dinjitet njerëzor dhe për të marrë vendime autonome të lira, lind pyetja: a mund të kufizohen këto të drejta, dhe nëse po në cilat rrethana? Edhe kjo çështje është rregulluar drejtpërdrejt në Nenin të 55 Kushtetutës, e cila përcakton dy lloj kushtesh se kur lejohen këto kufizime: kushtet formale dhe kushtet substanciale. Kushti i parë ka të bëjë me formën. Sipas Kushtetutës të Kosovës: “Të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm me ligj”. Pra, i vetmi akt juridik, që lejohet të kufizojë këto liri themelore, është vetëm dhe vetëm ligji si akt i miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Asnjë akt tjetër ligjor që është më pak se ligj, qoftë ai vendim i Këshillit të Ministrave, urdhër Kryeministri apo ministri e aq me pak një udhëzim apo rregullore, nuk mund të kufizojnë këto liri.

Kushti i dytë se kur mund të lejohen kufizimet është i natyrës substanciale. Që do të thotë që edhe nëse Parlamenti i Kosovës do të mblidhej dhe do të vendoste miratimin e një ligji në mënyre unanime për të kufizuar lirinë e besimit (apo çdo liri tjetër) në Kosovë, nuk mund ta bënte dot, nëse kjo masë kufizuese do të ishin joproporcionale dhe do të mohonte esencën e së drejtës së garantuar. E nëse këtë nuk mund ta bëjë as vetë Kuvendi i Kosovës në mënyrë unanime si përfaqësuesi i sovranitetit të gjithë popullit, imagjinoni se sa qesharake tingëllon juridikisht, që këtë të tentojë ta kryejë një ministër, një drejtor arsimi rajonal, apo një drejtor shkolle. Ky është standardi i vetëm i lejuar se si mund të kryhet kufizimit i lirive themelore në Kosovë dhe askush nuk mund të shkojë poshtë tij. Në rastin e debatit absurd për shamitë, kufizimi nuk plotëson as kushtin formal, pra, të jetë kryer me ligj, dhe sigurisht as kushtin substancial, sepse edhe nëse do të ndodhte me ligj unanim të Kuvendit, do të cenonte thelbin e të drejtës së lirisë fetare të vajzave dhe grave në Kosovë.

Për ta kuptuar edhe më mirë absurditetin e debatit në Kosovë, mjafton të shohim Nenin 16 të Kushtetutës që sanksionon hierarkinë e akteve juridike. Me fjalë më të thjeshta, ky nen parashikon piramidën e akteve juridike në Kosovë sipas rëndësisë, ku në krye natyrshëm është: Kushtetuta, mandej ndoshta në të njëjtin nivel me të janë aktet ndërkombëtare të ratifikuara, me poshtë ligjet e Kuvendit, pastaj vendimet e Këshillit të Ministrave, urdhrat e Kryeministrit, e në fund urdhrat e udhëzimet e ministrave, apo të organeve të tjera qendrore apo vendore. Nëse një akt që ndodhet më poshtë në piramidë, bie ndesh me një akt sipër tij, sigurisht që do të ishte i pavlefshëm; le më pastaj nëse akti i fundit i piramidës, udhëzimi, bie ndesh me majën, e saj Kushtetutën. Këtë është në gjendje ta kuptojë edhe një analfabet që e ka të gjallë “common sense” e jo më një jurist.

Ky është modeli i shtetit laik që ka sanksionuar Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Model, i cili garanton respektimin e lirive themelore. Sipas këtij modeli të “shtetit laik” apo “shtetit të së drejtës”, në qendër të tij është qytetari dhe respekti për dinjitetin njerëzor, qoftë ky në dimensionin trupor apo shpirtëror. Sipas këtij modeli, organizmi dhe funksionimi i institucioneve shtetërore ka në qendër respektimin e lirive themelore të qytetarëve, pa diskriminim; ku shteti dhe bashkësitë fetare respektojnë pavarësinë e njëri-tjetrit dhe bashkëpunojnë në të mirë të secilit dhe të të gjithëve.

Ky model nuk u shpik në Kosovë, por është kopje e modeleve të vendeve më të zhvilluara perëndimore si, SHBA, Britani e Madhe, Kanada apo mjaft vende të BE-së. Më ka ndodhur jo pak herë, sa hyj në aeroportet e Torontos, New Yorkut, Londrës apo Syndneit, që policia kufitare që më mirëpret në këto vende, është zonjë e mbuluar me shami; apo sa herë hyj në auditorë, shumë kolegë e studentë të jenë me shami. Jam i sigurt që nuk jam i vetmi që iu ka ndodhur diçka e tillë, përfshirë dhe ata të cilët vjellin vrer ndaj lirisë kushtetuese të vajzave/grave në Kosovë. Por ndërsa në këto vende të lira askush nuk vë në dyshim të drejtën e zonjave për të drejtat themelore dhe autonominë individuale, në Kosovë, si në një “new-born state”, që ka hyrë në moshën e adoleshencës, ende mendojnë që mund të përdhunojnë institucionet dhe liritë kushtetuese të shumicës të kosovarëve, mu në zemër të Evropës, mu në shekullin e 21-të.

Kundërshtarët e këtij modeli, të cilët në emër të “laicitetit” kërkojnë një model që njeriu të mos ketë autonomi personale, të mos të ketë drejtë për të zgjedhur fenë e vet, të ndalohet nga praktimi i besimit të zgjedhur lirisht, s’ka asnjë lidhje me “shtetin laik” të Kushtetutës së Kosovës dhe të modeleve perëndimore. Ai model që ata kanë në kokën e tyre, s’ka lidhje me “shtetin laik”, por i përngjan më shumë një “shteti ateist” si ai i Shqipërisë të Kushtetutës të 1976-ës apo i Republikës Demokratike Popullore të Koresë së Veriut. Sigurisht që është liria e tyre e mendimit që “modeli ateist” t’u duket më i përshtatshmi, por të paktën është mirë ta kenë të qartë modelin që suportojnë dhe pasojat e veprimeve të tyre.

Për ta përmbyllur, sado që shumë kundërshtarë të ekzistencës të Kosovës, nga dija apo mosdija, dëshirojnë ta dëmtojnë imazhin e saj duke nxitur me veprime e mosveprime, me thirrje e peticione që të përdhunohen liritë dhe të drejtat themelore të kosovarëve, Kosova dhe kosovarët nuk kanë opsion tjetër veçse të luftojnë për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e tyre me çdo çmim dhe të respektojnë vlerat e garantuara në Kushtetutën e Kosovës.

Megjithatë, dikush me të drejtë mund të pyesë: Ligjërisht është qartë se më kë është e drejta, por çfarë mund të bëjnë personat e dëmtuar sot në Kosovë? Së pari, duhet ta konsiderojnë si joekzistent udhëzimin në fjalë dhe kjo nuk ka nevojë për peticione, sepse nuliteti juridik, mbetet i tillë, pavarësisht se sa peticione pro apo kundër bëhen rreth tij. Për çdo qytetar të Republikës të Kosovës, ai udhëzim ligjërisht nuk ekziston. Nëse ndonjë drejtor shkolle bazuar në mendjembyllësinë e tij/saj preferon paligjshmërinë dhe arbitraritetin, duke dhunuar liritë kushtetuese të qytetarëve të Kosovës pa asnjë bazë ligjore, qytetarët e dëmtuar kanë tre opsione: 1) të kallëzojnë penalisht drejtorët për shpërdorim detyre; 2) të kërkojnë marrjen e masave administrative për shkarkimin e tyre; 3) të kërkojnë konstatimin e pavlefshmërisë absolute të një udhëzimi të tillë në gjykatë. Këto mund t’i bëjnë të tria njëherësh ose një nga një; dhe jo vetëm kaq. Siç thamë, të gjithë personat e dëmtuar dhe familjarët e tyre, mund të shkojnë më tej, e të bashkohen në një padi civile grupi (class action – ndoshta e para e këtij lloji në Kosovë), ku t’i kërkojnë dëmshpërblim civil shtetit të Kosovës për dëmin e shkaktuar secilit prej tyre. Nëse do të llogaritet realisht humbja e shkaktuar për çdo person dhe fitimi i munguar për shkak të këtij veprimi arbitrar, fatura financiare që do të duhet të paguante Republika e Kosovës do të ishte të paktën dhjetëra miliona Euro. Kjo është ligjërisht ajo që po ndodh këto ditë në Kosovë, e le të shpresojmë që ligjshmëria dhe të drejtat do të triumfojnë siç kanë triumfuar në botën e lirë ku Kosova dhe kosovarët duan të integrohen. Ashtu u bëftë!

*Konstitucionalist dhe ish-gjyqtar, pedagog i Së Drejtës, Kanada

Leave a Reply

Your email address will not be published.

3 × two =