Rikrijimi i identitetit

Nurie Emrullai
Në veprën Konceptualiteti antropologjik i identitetit (2011) të Zagorka Goluboviç është ndarë qartë ideja që mund të krijojmë mbi identitetin dhe të dimë se çfarë është ai. Meqë e kemi thënë se në veprat e Kunderës është shumë i shfaqur nocioni i identitetit dhe kjo vepër është studim bazë nga i cili duhet të nisemi për të njohur Kunderën dhe krijimtarinë e tij letrare. Sipas Goluboviç të jesh pa identitet do të thotë të jesh njeri pa emër, por të jesh pa emër, i cili është shenja e vetme për t’u dalluar nga tjetri, por duke mos na dhënë asnjë njohje më tepër rreth karakterit të tij, prejardhjes, aftësive, apo se cilit grupi shoqëror mund t’i përkas individi në fjalë.
Në një paragraf ajo thotë kështu: kujtimi i protezës edhe për gjeneratat e reja përforcon identitetin e kolektivit, duke i dhënë asaj vazhdimësinë e përkohshme dhe ndjenjën që anëtarët e saj – paraardhësit dhe pasardhësit – janë të lidhur me një fat të përbashkët. Kjo ndjenjë e lidhjes historike dhe fatale shprehet më fort në gjenealogjinë e bashkësisë familjare, si dhe të kolektivit kombëtar, ndryshe nga kolektivët e punës, në të cilët anëtarët janë më të lidhur me përvojën profesionale dhe detyrat e zakonshme.
Shumë psikologë janë marrë me çështjen e identitetit, kjo sepse është një gjë mjaftë komplekse për t’u shpjeguar. Varësisht rrethanave në të cilat rritet dhe zhvillohet një individ, ai pas një kohe mund dhe të mendojë se është pa identitet, apo se nuk përket në asnjë lloj identiteti ku ndodhet familja e tij, shoqëria e tij apo rrethi në të cilin jeton.
Prandaj, përherë themi se njeriu është në kërkim të vetes së tij. Ashtu siç ishin pothuajse në tërësi personazhet e Milan Kunderës. Çështja e identitetit është në krizë atëherë kur populli apo vendi kalon nëpër kriza politike, gjuhësore, ndarje territoresh, apo ndarje besimesh. Gjithashtu kërkimi për një identitet është atëherë kur ndërron sistemi i një shteti, popujt që kalojnë nëpër tranzicione përjetojnë kohë krizash dhe shfaqen kërkimet e para mbi vete dhe gjetja e një përgjigjeje nuk shfaqet në asnjë derë.
Për këtë, njerëzit që mundohen të mbeten në modelin tradicional të sjelljes, në trashëgiminë dhe përcjelljen e traditave dhe ruajtjen e tyre, shpesh herë shfaqen nën hijen e – ndonjë familjari që e përfaqëson atë, zakonisht të babait, ndonjë heroi kombëtar apo sundimtarit që e idealizojnë në formën e idhullit. Identiteti ka të bëjë midis formimit të një Unë dhe të asaj që na servohet. Varësisht me çfarë modelesh jemi rritur, nga e gjithë kjo lind dilema, a arrin njeriu të ketë të formuar një identitet personal. Nëse shohim dhe i marrim personazhet e Kunderës, të veprat: Shakaja, Identiteti, Mosdija, Lehtësia e padurueshme e qenies, shohim qartë se ata të gjithë përbëhen nga elemente të përbashkëta dhe të njëtrajtshme. E vërtetë, ata të gjithë vinin nga vendi i njëjtë, të gjithë kishin kaluar nëpër traumat dhe pushtimet e njëjta, a kjo i bën dhe të kenë ëndrrat e njëjta?
Nga kjo shohim se Kundera nuk merret me identitetin personal po ai merret dhe analizon në thelb identitetit kolektiv. Se si formohet një komb gjatë një pushtimi dhe nëpër çfarë traumash kalon kur del prej asaj ideologjie. Kundera në njëfarë mënyre krijoi qartësisht idenë e vërtetë të identiteti kolektiv të një shoqërie e cila është gjithashtu e dalë nga identiteti kolektiv i një vendi- në të cilën nuk ka të përbashkët, vendin, gjuhën, besimin, kohën, por krijoi një identitet të ri kolektiv jashtë Laboratorit- Shtet. Nëpër tokën e huaj ku janë derdhur njerëzit ai arriti që t’i gjejë pikat e përbashkëta të tyre dhe të krijojë gjithashtu një popull fluid, që jeton dhe rron në përgjumje dhe nëpër re ‒ sepse vihet pas një identiteti të rrejshëm, pas një gjuhe që nuk është kurrë e tyre dhe pas kujtimeve- të cilat përpunohen dhe kthehen në pikënisje të rikrijimit të një malli joreal.
Në gjithë atë përballje të rëndë me sistemin dhe udhëheqjen e shtresës më të ngritur drejt diçkaje që ishte e pazbërthyeshme për ata dhe nuk ofronte asnjë siguri, të qenit shkrimtar apo poet nuk kishte ndonjë lloj rëndësie, të bëje filozofi me jetën dhe për jetën gjithashtu nuk hynte në punë përderisa shteti nuk kishte mendje për të parë më thellë dhe më gjerë. Të gjithë këto i kam kuptuar gjatë luftës. U përpoqën të na bëjnë të besojmë që s’kishim të drejtë të ekzistonim, që s’ishim veçse gjermanë që flisnim çekisht. Na u desh të siguronim veten se kishim ekzistuar dhe ekzistonim edhe sot. Gjuha si ajo e shkruar dhe ajo e shprehur duhej të ndryshonte dhe po ndryshonte rrënjësisht.
Kombet e Evropës perëndimore- mendon shkrimtari do t’i kalojnë të njëjtat faza më vonë dhe butësisht. Mundet që secili prej tyre të arrijë ta ruajë më mirë gjuhën dhe kulturën e vet. Por deri atëherë gjithë Evropa Lindore do të ketë vënë me gjithë qejf në përdorim një gjuhë të vetme universale, rusishten…
Dhe është e vërtetë, për 40 vjet me radhë në Çekosllovaki u fol gjuha ruse, aq sa më kur njëri nga personazhet e Kunderës, Jozefi i Mosdijes, u kthye në atdhe, vërejti se gjuha e tij kishte ndryshuar tepër, me të gjithë ata tinguj hundorë që i dukeshin të panevojshëm: flasin një gjuhë që nuk kuptohen se çfarë thonë.
***
Ketmani është një fenomen i cili paraqitet në vendet të cilat përjetojnë një lloj tranzicioni në mënyrën e të menduarit si popullsi në tërësinë e përbashkët. Qasjen ndaj besimit të ri, e bëjnë me fjalë të cilat mund të prekin pjesën më të madhe të njerëzve. Kështu duke zgjedhur fjalët e duke hyrë më në thellësi të mendjes së njerëzve, duke dashur të mbjellin tek ato një mendësi ndryshe, por duke mos u thënë asnjëherë drejtpërdrejtë atë që duan të arrijnë tek ata. Ketmani zgjedh fjalët që të çojnë të mendosh rreth asaj çështjeje. Mendja njerëzore e ka këtë aftësi, ashtu siç ka pasur aftësi që të udhëhiqet dhe të shkojë pas udhëheqësve të cilëve u janë mësuar t’u binden, duke mos e parë realitetin që duan ta arrijnë ata udhëheqës për atë vend. Mund të jetë dhe kjo: të mos mund të shkëputen prej atij besimi pavarësisht se e kuptojnë që nuk është ajo filozofi pas së cilës u lidhën në fillim.
Të njëjtën gjë e ka bërë çdo udhëheqës që ka dashur të sjelli frymë të re, sundim të ri apo besim të ri. Dhe masa hipnotizohet në zërin e lartë, në seriozitetin e udhëheqëseve të tyre dhe në lartësinë e pozitës së vendit ku qëndrojnë. Lakmia e tyre për ata njerëz të cilët janë seriozë, nuk qeshin kurrë, thonë fjalë të qarta, të shkurtra dhe me nje zë therës e çjerrës; Ndalen dhe presin duartrokitjen, admirimin, nuk të shpërfillin, por gjithë masa është një. Ky është besimi i ri, pas së cilit fshihet një masë e tërë, e cila mundet që kurrë të mos i perceptojë se idealet e tyre janë të rrejshme dhe kulti i ngritur për ata njerëz nuk është i vërtetë, sepse vetë udhëheqësit s’janë të atillë. Adhurohen këta lloj njerëzish sepse duken të paarritshëm, dhe përherë ajo që nuk arrihet është më e dëshirueshme.
May be art
Sebastian Zonja and 29 others

Leave a Reply

Your email address will not be published.

18 − 16 =