Më ka marrë malli që vetëm të lavdëroj!

Në çdo tavolinë që kam biseduar me njerëz të ndryshëm ndër vite, sa kam filluar të lavdëroj një ndërtim të bukur, një lokal të bukur, një rrugë të shtruar bukur, një park sportiv të bukur, njerzit më kanë treguar se ndërtesa ishte ndërtuar bukur, por pronari nuk jetonte më se e kishin vrarë! Mendoni si jam ndjerë! Unë kthehesha në Atdhe çdo verë, për dy a tre javë dhe e shikoja me sy tjetër zhvillimin urban. Fjalia -“pse erdhe, ne duam të ikim” më ka therur në zemër çdo herë që e kam dëgjuar! Çdo gjë që ne na duket e bukur nga jashtë ka pasur tragjeditë brenda, ka pasur themelet me gjak! Ata ikën nga kjo jetë shpejt, dhe veprat e punës tyre nuk i morën me vete.. këtu kanë ngelur..
Dua të lavdëroj Sali Berishën si politikan, por nuk mundem. Sepse doli në pension pa na dhënë një ditë demokraci funksionale në vend. Tani në vend të ishte Këshilltar i Lartë në pension dhe shëmbull frymëzimi, është rrugëve me lot në sy nga inati i malësorit që si ajo uthulla e fortë do plas enën e vet. Ai ka armik Edi Ramën, ndaj kjo betejë e tij është betejë personale!
Dua të lavdëroj Ilir Metën si politikan, sepse kur ishte President ktheu mbrapsht disa ligje që nuk ishin në interesin tonë, por nuk mund të vazhdoj më tej se kaq se më lidhet një lëmsh në grykë kur kujtoj se si komunikon gjithë kërcënime e shantazhe.
Dua të lavdëroj Edi Ramën se ka ndryshuar gjithë qëndrat e qyteteve, por më përzihet koka keq nga tregimet e njerzve që akoma po vuajnë nga extremizmi i tij!
Edi Rama ishte i vetmi njeri pa patentë, pa ditur t’i jap ndonjë mjeti rrugor, detar apo hekurudhor dhe kërkoi t’i jipnim Timonin atij Vetëm! Dhe ne ja besuam megjithëse ishte I pa liçensuar! Por ka zhgënjyer shumicën si me inkurajimin e kultivimit të lëndëve narkotike, si me inkriminimin e administratës shtetërore, ashtu edhe me nipotizmin e theksuar!
Të tre këta politikanë që kanë bllokuar demokratizimin e vendit, na e lanë vendin pa gjykata, pa drejtësi, me prona të zaptuara, me arsim të shpartalluar, me shkallën më të lartë të emigracionit dhe mbi të gjitha me një borxh 107% dmth një vend të falimentuar, me një inflacion 7% (por që nuk është e besueshme kjo shifër nga rritja e çmimeve 100-200%). Ku e gjejnë guximin të shprehin arrogancë e të kërkojnë votat tona, veç një Zot e di. Kaq shumë I kanë verbuar militantët e tyre? Kaq pak Atdhe dashuri paskan pasur për këtë vend? Sepse nuk e besoj të jenë anti-Shqiptar, por vetëm të sëmurë nga ego personale që sa vjen e bëhen më të verbuar nga pushteti absolut që i kanë dhënë vetes.
Imagjinoni tani t’ja japim Timonin një njeriu me vlera njerzore, që jeton me parime, që është i kualifikuar profesionalisht, që është i/e sprovuar në makinë dhe i/e liçensuar?! Mbi të gjitha që dinë të komunikojë. Mos më thoni që nuk njihni NJË të tillë sepse unë njoh me mijëra..
Për këtë Figurë të fundit kur ta zgjedhim do kem se çfarë të lavdëroj pa u mbytur me kritika që pse po e mbështes e pse po e lavdëroj sepse një njeri parimor nuk të len kurrë në baltë!
Më ka marrë malli që vetëm të lavdëroj, të shoh anët pozitive të çdo kujt, ta frymëzoj me qëllimin që ai/ajo të bëhet versioni më i mirë i vetes, të jap besim, të jap shpresë, të jap buzëqeshje…
Ira S. Kurti

Leave a Reply

Your email address will not be published.

19 − ten =