Shqipëri-SHBA: Partneritet që sendërton një protagonizëm të ri shqiptar

Shqipëri-SHBA: Partneritet që sendërton një protagonizëm të ri shqiptar
Përgjatë harkut kohor të një shekulli, marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë pasur transformime të mëdha, qoftë edhe në elementet më bazike të tyre.
Me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1922, Shqipëria dhe SHBA shënuan fillimin e asaj që do ishte një marrëdhënie atipike, edhe për shkak të trajektoreve historike dhe politike që do të shënonin shekullin e XX. Ndërprerja e marrëdhënieve 1939 për shkak të pushtimit të Shqipërisë dhe më pas për shkak të izolimit të përzgjedhur nga qeveria komuniste, përcaktuan një vakuum të gjatë në relacionet bilaterale. Rivendosja e tyre në vitin 1991 hapën një kapitull të ri, mjaft intensiv dhe përcaktues. Në harkun kohor të 30-viteve të fundit, përgjatë këtij kapitulli të ri, marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve kanë njohur një zgjerim dhe thellim të vazhdueshëm.
Duke i lënë detyrën e këndvështrimit historik ekspertëve të fushës, si dhe pa mëtuar të përgjithësojmë 100-vitet e marrëdhënieve të Shqipërisë dhe SHBA, për shkak se nevojiten hulumtime shumë të imtësishme për të ofruar një tablo shteruese – do të përpiqem të ofroj një qasje më të fokusuar në zhvillimet përgjatë dy dekadave të fundit. Zhvillime të cilat janë sa bazuar sa në angazhimin e dy palëve, aq edhe në ndryshimet thelbësore në arenën ndërkombëtare dhe në vetë sistemin ndërkombëtar. Dhe zhvillime të cilat kanë sendërtuar një protagonizëm të ri shqiptar në rajonin e afërt, por dhe në sensin multilateral, bazuar në këtë partneritet të konsoliduar.
Dy janë momentet kyçe që kanë shënuar marrëdhënien Shqipëri-SHBA brenda harkut kohor të dy dekadave të fundit: vizita e Presidentit Bush në vitin 2007 dhe anëtarësimi i Shqipërisë në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) nën sponsorizimin amerikan.
Vizita e Presidentit George Bush në Shqipëri në vitin 2007, vizita e parë e një presidenti amerikan në detyrë, shënoi praktikisht preludin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, çka do të transformonte thelbësisht rajonin tonë. Pashmangshmërisht, kjo do të përkonte me faktorizimin më të madh të shqiptarëve në rajon, por sigurisht dhe me një rol të ri për Tiranën zyrtare në realpolitikën ballkanike. Nga ana tjetër, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO në vitin 2009, së bashku me Kroacinë, ishte një proces gjithaq përcaktues për ardhmërinë e vendit dhe të rajonit. Shtetet e Bashkuara ishin mbështetëset kryesore të zgjerimit të NATO-s në Ballkan dhe garantueset e kurorëzimit me sukses të rrugëtimit të përshpejtuar të Shqipërisë, pavarësisht limitimeve të shumta që karakterizonin atëherë kapacitetet ushtarake të saj.
Me këto dy zhvillime të rëndësishme si pikënisje, pozicioni strategjik i Shqipërisë u forcua jashtëzakonisht shumë, duke sjellë në më pak se një dekade e gjysmë një shndërrim të vendit në një eksportues të sigurisë në rrafshin rajonal, por jo vetëm. Ky është padyshim një nga zhvillimet më të rëndësishme dhe domethënëse përgjatë këtij harku kohor, duke marrë parasysh faktin që përpara kësaj vendi ishte një konsumues i sigurisë dhe shpërfaqte një brishtësi të madhe në planin e gjerë të sigurisë.
Ky transformim nuk kaloi pa prekur dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë marrëdhënien bilaterale me Shtetet e Bashkuara, mbi të gjitha nisur nga fokusi i theksuar në siguri përgjatë administratës Obama. Konsolidimi i rolit të shqiptarëve, si një spirancë e mirëfilltë stabiliteti në Ballkan, përkoi dhe me një rritje të rolit të Shqipërisë kundrejt rajonit, por edhe në kuadër të platformave të ndryshme multilaterale.
Përgjatë viteve të fundit, kjo marrëdhënie ka shpërfaqur dhe benefite të dukshme për Shqipërinë. Mjaft përcaktuese në këtë drejtim ka qënë mbështetja e Uashingtonit për marrjen përsipër të një roli të dorës së parë të Tiranës zyrtare brenda institucioneve dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare – fillimisht në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) dhe, më së fundmi, si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB). Të dyja këto janë evente historike dhe është e paimagjinueshme që Shqipëria do të mund të aktualizonte kapacitetet e saj pa një mbështetje të shumëfishtë të Shteteve të Bashkuara. Sikurse dhe do të ishte tejet e vështirë navigimi i sfidave të ndryshme brenda këtyre platformave pa orientimin dhe koordimin me partnerët amerikanë.
Edhe vetë brenda NATO-s, Shqipëria ka realizuar një projektim më modern dhe të dobishëm. Duke marrë parasysh resurset e kufizuara, njerëzore, burimore dhe financiare në planin ushtarak, Shqipëria ka shfrytëzuar pozicionin gjeografik dhe zhvillimet gjeopolitike për të rezonuar me interesat strategjike të aleancës dhe vecanërisht të SHBA. Brenda këtij plani mund të shikohet investimi i aleancës në modernizimin e bazës ajrore ajrore në Kuçovë, për të shërbyer si një pikë e rëndësishme furnizimi për misionet në distancë më të largët të trupave të aleancës.
Në këtë kontekst, propozimi i SHBA dhe gatishmëria e Shqipërisë për t’u ofruar si një bazë amerikane për Forcat e Operacioneve Speciale amerikane, përbën një tjetër element të rëndëishëm në bashkëpunimin në çështjet e sigurisë. Komanda amerikane e operacioneve speciale në luan një rol të dorës së parë për të dëshmuar gatishmërinë dhe angazhimin amerikan në kontinentin e vjetër dhe përthithja e misionit të tyre nga Shqipëria ofron një dimension të vlefshëm për rëndësinë e Shqipërisë në konsideratat rajonale amerikane.
Duke gjykuar proceset e ngadalta demokratizuese në vend, si dhe zhvillimin e cunguar dhe të pabarabartë ekonomik, shpeshherë duke mbetur edhe pas fqinjëve të tjerë, edhe më të limituar nga faktorë të ndryshëm, Shqipëria ka mundur të faktorizohet ndërkombëtarisht më shumë se sa ka kapacitetet reale. Disfunksionaliteti i politikës së brendshme ka tejkaluar vetveten përgjatë dekadës së fundit dhe Tirana ka mundur, në sajë të koordinimit të ngushtë me SHBA, të pozicionohet aktivisht në arenën rajonale.
Në kushtet e një sistemi ndërkombëtar të orientuar drejt kompeticionit të fuqive të mëdha, si dhe rritjes së rajonalizimit dhe fuqive rajonale, Shqipëria ka një mundësi të papërsëdytë tashmë për të forcuar këtë protagonizëm të ri. Çka efektivisht do të shënonte dhe kalimin në një fazë të re, më të emancipuar, të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, por edhe me vendet e tjera perëndimore. Çfarë do të shënontë rrjedhimisht dhe një maturim të vetë Shqipërisë në raportet me shtetet e tjera, në këtë rast me partnerin esencial, por edhe në raport me vetveten dhe aktualizimin e interesave shtetërore e kombëtare shqiptare dhe, sigurisht, vlerave të përbashkëta.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

one × one =