Kjo kastë e kalbur kleptokrate quhen Tranzicionistë

Aleksandër Çipa
Të futesh në kurthin e diskutimeve për detajet nëse IM është Ilir Meta apo Ilir Metaj, apo një ndër 40 Ilirët që ka njohur Iliri, kjo është e rëndomta e përhershme në diskutimet apo konfliktet publike të politikës shqiptare. I akuzuari, akuzuesit dhe aleati ish akuzator, tashmë janë të njëjtët në tri dekada.
Institucione-zitë janë thjesht përballë gjyleve verbale të këtyre bajraktarëve apo, e thënë me gjuhën e Nolit, “mbretërve të gjullurdisë”.
Janë mbretër të gjullurdisë që mbijetojnë vetëm po të zvarritet nëpër tranzicion Shqipëria. Të tillë e duan dhe kështu e projektojnë edhe kur ndërrojnë vendet, edhe kur shkëmbejnë rolet.
Diktatura në Shqipëri ishte kriminale ndaj mendim-ndryshëve përballë saj, por serioze në regjimin e vet ndaj memories institucionale. Arkivoi, regjistroi dhe konservoi pasuritë e sekuestruara, trashëgimitë kulturore familjare dhe ato personale, valutat dhe monedhat e arit dhe hajmalitë e tregëtarëve borgjezë dhe të sërave të shoqërisë që gjeti, duke i shembur për t’i futur në kallëpin e projektit të vet ala bolshevik. I shpalli dhe i trajtoi si kundërshtarë të saj, duke mos e pranuar mëshirën.
Mirëpo për çdo sekuestro apo shtetëzim mbajti dokumenta dhe letra në më shumë se tri kopje dhe në më shumë se tri institucione. Edhe spiunët i mbajti vërtet në diskrecion të plotë, por me mbulim të trefishtë, duke mos e ditur se kush, kë dhe për kë…
Krejt ky seriozitet i zi dhe i frikshëm i atij shteti ra në duar rezilësh dhe tjetërlloj kriminelësh anti-shtet në kohën e pasosur të tranzicionit shqiptar.
Të parat që mësynë barbarisht demokratikasit e sapo-doktrinuar shtet-drejtues ishin pikërisht institucionet e memorialistikës shtetërore dhe kombëtare. Në skalionet e para të kësaj zhbërjeje dhe zhdukjeje u mësynë muzeumet e vendit. U zhdukën artefaktet e historisë vendore të Shqipërisë, nga jugu në veri, që nuk kishin të bënin vetëm me luftën partizane apo ndërtimin socialist e regjimin komunist. U sulmuan dhe u dogjën bibliotekat në çdo fshat dhe në çdo komunë, e madje dhe bashki. U shkrinë vendet e nëpunësisë kulturore dhe arkivat lokale. U futën duart pa kriter dhe me leje “derrash e dosash” nëpër arkivat e pashpallura ende jo sekrete të Arkivës Qendrore të Shtetit dhe të tjerave në nivel kombëtar.
Historitë me spiunë të diktaturës qëllimisht u mpleksën me historitë e spiunëve të agjenturave të huaja dhe të shteteve fqinjë. Kohët ndërruan, por shërbimet dhe interesat mes shteteve, qoftë edhe në demokraci, ka diçka që nuk e ndryshojnë përballë dhe në fqinjërim me njëri-tjetrin.
Tranzicionistët krijuan dhe u investuan për kastën e tyre, e cila sot është pjesa më kryesuese e vendit, si dhe kapëse e rrezikshme e shtetit dhe fatkeqësisht e ndryshimit dialektik të vendit dhe shoqërisë.
Shqipëria është në kthetrat e status quo-së së këtij sekti tranzicionistësh të cilët janë të rrezikshëm, sepse janë të pushtetshëm. Janë të fortë sepse kanë idhullsinë e guruve dhe krahinofiseve, të grupeve dhe kolonive të ushqyera me vjedhje dhe me përvetësime dhe kanë kapur me ligj dhe mundësi të vetme loje liritë dhe proceset zgjedhore. Janë më të vështirë sepse janë të paheqshëm nga partitë që kanë hipotekuar dhe se pranë tyre nuk mund të krijohen të tjera, sepse “nuk kanë anëtarë KQZ-je dhe nuk kanë komisionerë” sipas ligjit.
Tranzicionistët, si qeverisës me mandate dhe me rotacion, kanë ditur të jenë me “dosje të reja” dhe me marrëveshje të reja vetiake në emër të asaj çka kryesojnë tek shteti. Por, ndryshe nga regjimi nën diktaturë, këta zhdukën dhe zhbënë auditet, kontrollorët dhe arkivat dokumentare. E vetmja mundësi kontrolli ishin ata mes vedi dhe prej urdhërorësh politikë për një arsye dhe nevojë ditore politike. Të tillë kanë mbetur më shumë se 30 vjet.
Por, tashmë sistemi i tyre është kalbur. Emri i demokracisë së premtuar është ndryshk që ka mbuluar gjithçka të ndërgjegjshme dhe të besueshme publike. Janë mjeshtër të mosbesimit, edhe pse përditë betohen dhe vërsulen si revolucionarë fjalësh dhe gjestesh. Agresorë dhe kërcënues, me krahë e me gishta tregues, me diftongje e klithma akuzatorësh ndaj vjedhjes së sotme duke u vetëlartuar mbi kujtesën kolektive se ikën nga pushteti me një milionë shuplaka, si hajdutë e klane vjedhësish në qeveri e koalicion.
Tashmë rikthehen për revolucionin anti-incenerator, duke rikthyer në sheshe fjalimet me burgje dhe me kërcënime, si dhe krejt fjalorët e një ferme plehrash që do të ketë tjetër pleh të njëjtë për një dekadë tjetër. Po të perifrazojmë Nolin, këta tranzicionistë herë në qeveri e herë në opozitë, mëkatet mund të mos i kenë lënë të provueshme me letra, por që shenjtorë s’mund të jenë, kjo dihet si e dhënë e përjetshme. Sidoqoftë, tashmë regjimi dhe sistemi i tyre i kalbur prej plehut dhe riciklimeve me kosto të tmerrshme është i vetëshembur. Statusquoistët janë në kërkim të një alibie të re. Pluralizmi është në krizë reale funksionimi dhe përfaqësimi prej tyre, pasi e ka zëvendësuar dhe kapur, shembur dhe kyçur kleptokracia e tranzicionistëve.
Kjo është kasta e fortë e këtij vendi. Kjo është kasta penguese dhe rënuese e shoqërisë dhe e vendit e demokracisë dhe sistemit të saj. Në këtë kontekst, me të drejtë, raportuesi dhe analisti investigativ i famshëm Roberto Saviano, në librin e fundit të tij ” Eja me mua”, shkruan:
…”Ndiej se demokracia është në rrezik në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Mund të duket e tepruar, por nuk është e tillë. Demokracia është në rrezik në çastin kur, nëse ti u kundërvihesh disa lloj pushteteve, nëse ti i kundërvihesh qeverisë, ajo çka të pret është sulmi i një makine që të hedh baltë përsipër: një sulm që fillon nga jeta jote private, nga ngjarje shumë të vogla të jetës sate private, që përdoren kundër teje.”
Në këtë vendin tonë, tranzicionistët janë të gjithë tek “kjo makinë qeverie”, edhe ishët qeverisës edhe të tanishmit qeverisës. Ata janë mjeshtrit sadistë dhe të inkriminuar, si realizuesit e rotacionit stanjativ të vendit. Ndërrojnë vendet në pushtet-opozitë dhe mbajnë në fuqi sëmundjet mbi demokracinë dhe ligj-kapjen e shtet-telendisjen.
Dosjet e komunizmit, sidomos ato të ish-Sigurimit, do të duhej të vlenin si mjeti themelor për të ndarë nga jeta e përfaqësimit politik e publik këtë skotë dhe ata shërbëtorë nga viktimat e tyre dhe shteti, apo aq më tepër institucionet e një vendi kandidat zyrtar për anëtar i BE-së. Mirëpo, sipas gjasave, do të jemi më larg kësaj si mundësi në kohë, se sa kohës për të qenë vend anëtar i BE-së.
Kasta e tranzicionistëve nuk do të na lerë për ta kapërcyer këtë gjendje dhe për të pasur një klasë të re reale politike. Shpresa kur frika nga ligji për vjedhje dhe manipulime mund të jetë ndërgjegje triumfuese, do të zgjasë ende si utopi. Droja për t’u bërë ministër apo qoftë edhe kryeministër është e paqenë deri kur në ndërgjegjen e individit që zgjidhet apo propozohet në ato poste të burojë realisht nga përgjegjësia dhe bindja se shteti dhe ligji nuk harrojnë dhe nuk parashkruajnë. Krimet e vjedhjeve apo të abuzimeve (kaq të përbindshme sa këto në 30 vitet e tranzicionistëve shqiptarë të së majtës dhe të së djathës së partitokracisë kleptokrate) nuk do të zhduken e harrohen, pronësohen dhe fotokopjohen duke patur sirtarë individualë për origjinalet.
Arkivat dhe memorien institucionale regjimi komunist i administroi shumë më seriozisht dhe rigorozisht se sa demokratikasit e paskrupullt, apo tranzicionistët anti-shtet të kësaj kohe pa emër. Ndër të tjera, kjo është edhe një arsye pse kleptokracia e këtij sistemi të kalbur e ndotës ka tipar themelor urrejtjen ndaj kujtesës, kryesisht asaj dokumentare dhe institucionale.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

one × four =