Skandali me shitjen e të drejtave televizive, reagon FSHF: Jemi në proces vlerësimi, fituesi shpallet javën e ardhshme

Federata Shqiptare e Futbollit pretendon se deri më tani s’ka asnjë shkelje lidhur me të drejtat televizive që kërkon të shesë për 3 vitet e ardhshme pavarësisht se më herët është shkruar një parregullsi që mund të rezultojë një skandal.

E gjitha kishte të bënte me ofertuesit, pasi dyshohet që në cilësinë e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, po favorizon kompaninë mediatike ku ai është aksioner. Kjo në një kohë kur oferta e saj është gati 2-fish më e vogël se ajo e një kompanie tjetër mediatike.

Sipas FSHF-së aktualisht eskpertët janë në proces shqyrtimi dhe se javën e ardhshme do shpallet edhe fituesi. Në reagimin e bërë për ‘Report TV’ Federata Shqiptare e Futbollit konkretisht deklaron:

“Federata Shqiptare e Futbollit, si pronare e të drejtës së transmetimit të veprimtarive sportive të organizuara prej saj, ka hapur në fillim të muajit procesin e shitjes së të drejtës televizive për kompeticionet e “Abissnet Superiore”, Kategorisë së Parë, Kupës së Shqipërisë dhe Superkupës së Shqipërisë.

Për këtë proces, Komiteti Ekzekutiv ka ngritur në mbledhjen e fundit një komision ekspertësh. Ky komision ka rekomanduar realizimin e një studimi paraprak tregu dhe ka zhvilluar konsulta me aktorët e tregut mediatik shqiptar. Janë zhvilluar takime të veҫanta me të gjithë platformat televizive me dhe pa pagesë që operojnë në tregun shqipytar, duke i informuar mbi produktet që FSHF ka nxjerrë në shitje siҫ parashikohet në Ligjin 79/2017 si dhe i kanë informuar mbi kriteret që duhet të plotësohen për të qënë pjesë e garës.

Afati i dorëzimit të ofertava ekonomike shoqëruar me dokumentacionin është përmbyllur më datë 15 korrik 2022.

Pas këtij afati të përcaktuar, operatorët mediatik kanë zhvilluar edhe një takim me kompaninë ndërkombëtare të cilën FSHF e ka kontraktuar për të bërë ekspertizën e këtij procesi.

Komisioni i ekspertëve aktualisht është në fazën e vlerësimit të ofertave dhe kritereve. Javën e ardhshme, ky komision do t’i drejtohet me një propozim Komitetit Ekzekutiv të FSHF, i cili është edhe vendimarrësi final i këtij procesi.”

Të drejtat televizive për 3 vitet e ardhshme në paketën e FSHF-së përfshijnë Superligën, Kategorinë e Parë, Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

18 − six =