Parlamenti miraton dekretet për ndryshimet në qeveri

Parlamenti ka miratuar ndryshimet e reja në qeverinë shqiptare, pa pjesëmarrjen e opozitës në sallë pas votimit.

Dekreti për shkarkimin e Arben Ahmetajt nga posti i zëvendës kryeministrit mori 103 vota nga 106 të tilla (3 abstenim).

Ndërsa, dekreti për emërimin e Majlinda Dhukës si ministre shteti mori 76 vota pro dhe 32 kundër.

Kuvendi i Shqipërisë ishte thirrur të enjten e 28 korrikut në një seancë të jashtëzakonshme.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, dekretoi më 26 korrik ndryshimet e reja në qeverinë Rama.

Më 25 korrik, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi për ndryshimet e reja në kabinetin e tij.

Rama shkarkoi Arben Ahmetajn nga posti i zëvendës kryeministrit dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin.

Në vend të tij, do të emërohet Belinda Balluku, ministrja aktuale për Energjinë dhe Infrastrukturën.

Kryeministri, po ashtu, largoi nga posti i Kryenegociatorit me Bashkimin Evropian, Zef Mazin.

Kjo, duke e zëvendësuar me Majlinda Dhukën, e cila do të kryejë edhe rolin e ministres së shtetit.

Dhuka, e cila do të jetë tashmë kryenegociatorja e Shqipërisë, ka mbajtur rolin e drejtoreshës së Departamentit të Zhvillimit dhe Mirëqeverisjes në Kryeministri.

Numri një i qeverisë theksoi se kriza energjetike si dhe integrimi i vendit drejt Bashkimit Evropian, janë tashmë dy prioritetet e reja.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

thirteen + one =