I. M me dosje? Lindita Nikolla takime me krerët e grupeve parlamentare

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka nisur sot disa takime me krerët e grupeve parlamentare një ditë pasi Autoriteti i Dosjeve njoftoi institucionin që ajo drejton se “një personazh me profil të lartë politik me inicialet I.M., rezulton ish bashkëpunëtor i sigurimit”.

Nikolla ka takuar kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Ballën dhe pritet të takojë edhe kreun e grupit të PD Enkelejd Alibeajn dhe Fatmir Mediun.

Dje Autoriteti i Dosjeve në njoftim tha se të dhënat iu përcollën Kuvendit të Shqipërisë.

“Në kuadër të punës së përditshme me përpunimin e materialeve të ish-Sigurimit të Shtetit, së fundmi Autoriteti është ndeshur me informacione dhe të dhëna mbi një personazh me profil të lartë politik.

Institucionit iu kërkua nëpërmjet postës elektronike që të verifikohej figura e shtetasit I. M. në dosje të klasifikuara të ish-Sigurimit të Shtetit.

Konstatimi u shqyrtua me përgjegjësi dhe materialet u bënë të njohura për të gjithë anëtarët e zgjedhur. Me vendimin nr. 321, datë 26.07.2022 të Autoritetit, të dhënat iu përcollën Kuvendit të Shqipërisë”.

Gjithashtu, Autoriteti i Dosjeve tha se “kërkon të shqyrtohen me prioritet problematikat e ngritura në vite sa i takon verifikimit të figurës së zyrtarëve që emërohen, ngrihen në detyrë dhe përfaqësuesve politikë që marrin pjesë në fushata zgjedhore qendrore e vendore, të cilët kanë impakt të drejtpërdrejtë në politikat publike në vend”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

eight + 20 =