DRAGHI, TRI MERITAT E NJË KRYEMINISTRI “JO POLITIK

Nga ANTONIO POLITO
Nuk mund të citohet “marsiani në Romë” I Ennio Flaiano-s, për të thënë se si Pallati e nxiti, e duartrokiti, e rekrutoi, pastaj shpejt e raskapiti e tani uron që të harrohet sa më shpejt. Nuk mundet sepse i hamendësuari “marsian”, pra Mario Draghi, është romak si pakë, studime në liceun Massimo me Giancarlo Magallin dhe në Sapienza me Federico Caffè. Është tifoz romanist, të valëvirur madje edhe para syve të deputetit të Vëllezërve t’Italisë, Lollobrigida, që njëherë pati guximin të shpallej lacial. Më shumë se Flaiano, pra, do t’i përshtatej “nuk ka profet në atdhe” që Jezui tha në Nazaret, përballë trajtimit të pësuar nga bashkëqytetarët e tij; por nuk do të dëshironja në një të nesërme t’isha i paditur se po e krahasoj me Krishtin, edhe se Farisejt e vunë në kryq.
Një gjë është e sigurtë: edhe Draghi, italiani më i ndritur që kishim, e shpresojmë t’a kemi për së shpejti në shërbim të Vëndit të tij, ka paguar ligjin më të pamëshirshëm të qeverive të bashkimit kombëtar. Ajo e tij zgjati një vit, pesë muaj e shtatë dit. Pesë ditë më pak se ajo e Montit. Pesë muaj më shumë se qeveria Andreoti, e lindur në ditën e rrëmbimit të Moros. Shtatë muaj më shumë se qeveria Letta më 2013. Por, shkurt, pak a shumë jemi gjithmonë aty: duket se n’Itali partitë nuk arrijnë t’i mbajnë besën marrëveshjeve të tyre të “gjëra” apo “shumë të gjëra” për më shumë se një vit, më të shumtën një vit e gjysmë. Pastaj “një dëshirë shpërndarjeje” e pakundërshtueshme i pushton dhe përmbys edhe më të mirët.
“Qeveria e më të mirëve” ishte quajtur ajo e Draghit: pak se ishte e vërtetë e pak për t’a vënë në lojë. Ndoshta për këtë e kanë quajtur “një neoliberist”, atë që si bankier qëndror në Frankfurt ka shtypur lumenj monedhash e si kryeministër në Romë erdhi me programin e të bërit “borxh të mirë”.
Por kishte pak për të tallur kur ajo qeveri lindi, në shkurtin e vitit që shkoi, dhe Italia e dyshes Conte-Arcuri po merrej me aguliçen e vaksinimeve që nuk mbinte, e kur u desh një gjeneral i alpinëve, i rekrutuar sa hap e mbyll sytë nga kryeministri i ri, për të imunizuar Vëndin. Sepse madje edhe në shqetësimin e sotëm, ndërmjet shkëmbimit të padivet e tradhëtive të ndërsjellta, është e vështirë të harrojnë ata që kanë mbështetur qeverinë Draghi në Parlament e jashtë tij, që së paku tri merita historike duhet t’i njohin atij: daljen nga tuneli m’i errët i pandemisë dhe i PPI, rifitimi i prestigjit ndërkombëtar për Italinë e të një roli drejtues n’Evropë, vendosmërinë e një vije evro-atllantike kundrejt mësyemjes ruse të Ukrainës, që në një vënd të përshkuar nga përrenj karstikë kundëramerikanizmi e filoputinizmi është në vetvete një gjysëm mrekullie. Partitë do të mund të krenoheshin, ndërsa duket se duan t’a harrojnë.
Ndoshta mallkimi i qeverive të bashkimit kombëtar, madje shkurt i politikës italiane, qëndron pikërisht në këtë: në vështirësinë-pamundësi për të menduar në terma Shteti. Deri edhe në mes të një shtrëngate të përsosur për Evropën, me luftën, inflaksionin, amullinë, rifillimin e pandemisë, kriza italiane është regjur nga një furrë djegieje e plehrave të Romës, nga taksistët e lejet e plazheve: çështje të një rëndësie të madhe, por jo çështje Shteti, për të thënë kështu.
Thuhet: ka qënë një nxjerrje jashtë organizmit të politikës të një “jo politikani”. Sigurisht që ka qënë. Ishte parë në veprim në lojën e Kuirinales, ndoshta Termopilat e vërteta të qeverisë Draghi, kur një rrugëtim që dukej krejt i natyrshëm, kalimi i një tekniku të madh, ish bankieri qëndror evropian dhe yll ndërkombëtar, nga Pallati Kixhi (kryeministria, shen. I përkthyesit) në Kodrinë (pallat presidencial, po ashtu), në fillim u ngadalësua, pastaj u sabotua, e së fundi u varros nga një aleancë e çuditëshme udhëheqësish e rrymash, të armatosur njëri kundër tjetrit, por në rastin konkret të bashkuar për t’i ndaluar një “të huaji” që të bëhej për shtatë vite, ai që do të ndante kartat në krizat e qeverive e në zgjedhjet e mëdha ndërkombëtare. Qe ai një kundërveprim i mirëfilltë i “kastës”, nëse do të mund të shpluhurosim një term që në një kohë u shpërdorua nga populistët e më vonë u përvehtësua përsosmërisht prej tyre në praktikat e tyre parlamentare. E askush nuk mund të ketë dyshime mbi faktin se ”mospranimi i madh” për Kuirinalen ka ndikuar jo pak mbi psikologjinë e njeriut Mario Draghi, për t’a kthyer atë mundësisht në më pak “politik” se më parë, mbas të kuptuarit se “politikanët” e profesionit e quanin atë një të huaj, të cilin e donin për të bërë një rreth, për t’u hequr atyre gështenjat nga zjarri e pastaj për t’i a dorëzuar harresës.
“Jo politikan” Draghi është, edhe dje në Parlament, në një ditë të pështjelluar si ajo e zgjedhjes së Presidentit e të nxehtë si ajo e Papeetes. Kishte qënë edhe pesë ditë më parë, kur ishte dorëhequr mbas përjashtimit të Contes që nuk pranoi t’i votonte votbesimin mbi “dekretin ndihma”. Çfarë do të kishte bërë një politikan? Do t’a kishte ekspozuar armikun e tij sfilitjes, do t’i linte detyrën të zbulonte kaosin e brëndshëm të Pesë Yjeve. Mbi të gjitha kurrë nuk do të dorëhiqej: Kokositja është shenja mbi shqytin e politikanit të rracës, siç e din edhe vetë Grillo. As nuk duhej të ndërtonte vetë një kafaz kushtesh, duke thënë se pa Pesëyjet, ose atyre që mbeteshin, nuk do të kishte vazhduar. Ndërsa, më së fundi, Draghi ka bërë një veprim “jo politik” por “institucional”: shkoi të jepte dorëheqjen në Kuirinale, sepse, siç e shpjegoi dje, mos mbajtja parasysh e mungesës së votbesimit të një përbërësi themelor të qeverisë, ishte njësoj sikur të mos mbante parasysh Parlamentin.
Nuk dua të shkruhem këtu në ndeshjen e lashtë për të vendosur se kush qeveris më mirë, politikanët apo jo politikanët. Secili le të mbajë të vetin. Por ai stil “whatever it takes” (të dalë ku të dalë), ajo mënyrë për të bërë gjërat që duhen bërë, ai humorizëm fshikullues, pak romak e pak anglosakson, vetëposhtërimi ironik i bankierit qëndror, zëmra e të cilit është e përsosur për një trapiant, se nuk është përdorur kurrë, ka përfaqësuar diçka në këta shtatëmbëdhjetë muaj edhe në Vëndin. Nuk do të shpjegohej ndryshe gjysmë kryengritja e shoqatave, e sipërmarrësve, kategorive, kryebashkiakëve, deri edhe në botën e sportit, për të mbajtur Draghin në Pallatin Kixhi. Ka një pjesë tek ne italianët që do të n’a donte më të pjekur, më veprues, më pak fjalëshumë e rrëmujaxhi, një pjesë e ne italianëve që ngazëllehet, jo vetëm kur fitojmë medaljen e artë në Olimpiadë, por dhe atëherë kur arrijmë një hop rekordi në PPI n’Evropë, ose kur përfundojmë në krye të shkallëzimit të vaksinimeve në kontinent. Është një pjesë prej nesh që i jep rëndësi përmasës ndërkombëtare, për të cilën Draghi ka përfaqësuar shpresën e një stine të re, për suksese një herë, që të mund të n’a bëjnë ”krenarë që jemi italianë”. Pastaj, brënda secilit prej nesh, ka një pjesë që mendon vetëm në terma marrëdhëniesh italo-italiane, më shumë provinciale, sektare si në kohët e komunave dhe kambanoreve, e gatëshme të bëjë sherr për çfarëdo gjëje, e të verë interesin e ngutshëm e vetiak përmbi atë afatgjatë e të përgjithshëm. E kësaj pjese të ne italianëve – t’a themi – Draghi i ka pëlqyer shumë më pak. Dhe partitë që e kanë varrosur, kanë menduar për votat e kësaj pjese, jo të pakta, duke thelluar goditjen. Zaten, për udhëheqës të vetëshpallur “populistë” si Salvini dhe Conte nuk do të kishte fyerje më të madhe se sa thirrja popullit me të cilën Draghi ka përfunduar, pothuajse si një bejleg, fjalën e djeshme: “Un jam këtu sepse m’a kanë kërkuar italianët”. Populli, dihet, është gjë e tyre: e çfarë mendon së është ky bankier që e thërret për vete?
Pastaj ka një pjesë jashtë nesh, një pjesë e huaj, që në kohë lufte po bën gjithshka të nevojshme për të sabotuar brënda vijave armikun, madje edhe aleatët e armikut, e që mbas rënies së Boris Xhonsonit mund të festojë sonde dhe atë të Mario Draghit, burrit që i pari kërkoi Ukrainën në Evropë, duke e patur, që i pari ngriti problemin e çbllokimit të grurit ukrainas, duke e arritur. Vetëm koha do të n’a thotë nëse si e kur Russian Connection ka luajtur një rol në rrokullisjen e befasishme të ngjarjeve politike në këto javë.
Në këtë pikë pyetja është: çfarë mbetet nga Draghi? “Legasy”, për t’a thënë siç e ka shkruar në këto shtylla senatori Mario Monti, trashëgimia e qeverisë së tij e stili i tij i qeverisë, a janë të paracaktuara t’i mbijetojnë qeverimit të tij’? A do të ketë një ujë të bekuar zgjedhor? A do të ketë një parti të Draghit pa Draghin, ose një sferë Draghi, ose një rend dite Draghi, mbi të cilin të mund të vihet një kryq në kutitë e votimit kur të votohet?
Nëse është e vërtetë ajo që thamë se një rrymë opinioni reformiste, e moderuar, liberale e mbi të gjitha perëndimore, e ka gjetur veten në këtë një vit e gjysëm në orvatjen Draghi, do të thotë se një “shpirt i vogël skofiar” do të vazhdojë frymëmarrjen në politikën italiane. Makar mund të jetë ngjitësja ose perëndia mbrojtëse ose vetëm shkaku për të ngritur në këmbë një bashkësi të gjithë atyre që donin t’a mbanin këtë qeveri, më përndarësja e gjithë partive që braktisën qeverinë. Por-të themi të vërtetën- një gjë është rendi i ditës Draghi e një tjetër ishte qeveria Draghi. Reformat nuk predikohen, sendërtohen. ose nuk sendërtohen, humbet shpresa, e braktisen. Qytetarët harrojnë shpejt.. Dhe Churchill-i humbi zgjedhjet mbasi mundi Hitlerin. Nuk mund të përjashtohet një kundërveprim, një goditje kamzhiku, një përdredhje mbrapa e Vëndit. Ndodh kur ëndërrat thyhen dhe shpresat zhgënjehen. Secili për vetë e zoti për të gjithë mund të jetë vija e ecjes që do të ndjekë qeverinë Draghi, e kundërta e bashkimit kombëtar. Shpesojmë për jo, sepse kjo do t’a bënte traumën e sotme shumë më të rëndë, më të mbarsur me pasoja se sa duket tani.
“Corriere della Sera”, 21 korrik 2022 Përktheu: Eugjen Merlika

Leave a Reply

Your email address will not be published.

1 × five =