Komisioneri Publik këmbëngul në kërkesën për shkarkimin e prokurorit Gjon Kodra

Nga Vladimir Karaj

Në seancën e së premtes, gjyqtarja Albana Shtylla,  kryesuese e trupës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që po shqyrton çështjen ndaj prokurorit Gjon Kodra, bëri me dije se trupa ishte njohur me materialet sekrete të përfshira në ankimin ndaj prokurorit në kriterin e figurës. Shtylla megjithatë nuk dha detaje mbi përmbajtjen e materialit, ndërsa ftoi palët të jepnin qëndrimet përfundimtare.

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa i tha Kolegjit që ai i qëndronte ankimit të bërë. Ballhysa vuri në dukje se sipas tij Kodra nuk kishte pasur burime të mjaftueshme të ligjshme në blerjen e një apartamenti 129 metra katrorë. Ballhysa tha se prokurori nuk kishte pasur burime të ligjshme në një shumë rreth 4.5 milion lekë.

Ai po ashtu tha se Kodra ishte në konflikt interesi në një rast të hetuar prej tij. Po ashtu Komisioneri këmbënguli se në vlerësim tërësor Kodra kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia, për shkak të kontakteve të papërshtatshme me një person të dënuar për falsifikim dhe akuzuar për trafik narkotikësh. Ballhysa tha se Kodra nuk kishte arritur të provonte të kundërtën e gjetjeve dhe kërkoi shkarkimin e tij nga detyra.

Avokati Plator Bilibashi kundërshtoi këto pretendime dhe këmbënguli se për to nuk kishte prova. Bilibashi i tha Kolegjit se të ardhurat e bashkëshortes se Kodrës të fituara nga puna në Itali duhet të konsiderohen të ligjshme. Ai tha se paratë ishte transferua në Shqipër i në kohë të ndryshme në shuma të vogla. Avokati theksoi se klienti i tij nuk ishte në konflikt interesi, se ai kishte njoftuar eprorët për situatën dhe se vendimi i tij kishte qenë kundër personit për të cilin akuzohej se ishte në konflikt.

Ai po ashtu këmbënguli se nuk kishte kontakt të papërshtatshëm. Duke iu referuar kontaktit me të ndjerin P.A, ai tha se bëhej fjalë për një telefonatë e vetme. Ai këmbënguli se për shkak të kohës Kodra nuk e mbante mend bisedën.

Vetë Kodra foli vetëm sa i përket figurës. Ai tha se raporti i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ishte kontradiktor dhe shtoi se ata nuk mund t’ia linin Komisionit vendimmarrjen ndërsa ngrinin akuza për përfshirje në trafik narkotikësh.

Trupi gjykues që ka marrë në shqyrtimi ankimin Komisionerit Publik ndaj Kodrës përbëhet nga gjyqtarja Albana Shtylla si kryesuese, si dhe gjyqtarët Sokol Çomo, Natasha Mulaj, Mimoza Tasi dhe Rezarta Szhuetz.

Prokurori Kodra u konfirmua në detyrë në dhjetor të vitit të kaluar nga trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit e përbërë nga Valbona Sanxhaktari kryesuese, Olsi Komici relator dhe Xhensila Pine anëtare. Por vendimi i KPK-së u ankimua nga Komisioneri Publik, Florjan Ballhysa pasi ONM ngriti shqetësime mbi pasurinë e subjektit, profesionalzimin dhe integritetin e figurës.

Kodra e ka filluar karrierën në vitin 1989 si hetues në Tropojë dhe në vitin 1995 është emëruar prokuror ushtarak. Prej më shumë se 20 vjetësh subjekti i rivlerësimit shërben si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Në fund të seancës KPA njoftoi se vendimi do të shpallej në datën 27 korrik.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

18 − 12 =