A është Vladimir Putin i sëmurë? Flet shefi i CIA-s dhe bën deklaratën e fortë

Nuk ka informacione të inteligjencës që thonë se presidenti rus, Vladimir Putin, është në gjendje të keqe shëndetësore, tha drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), William Burns.

Ka pasur spekulime të pankofirmuara mediatike se Putin, i cili këtë vit mbush 70 vjet, nuk është mirë me shëndet dhe ndoshta vuan nga kanceri.

Por, Burns tha se nuk ka asnjë të dhënë që sugjeron për një gjë të tillë, dhe me të qeshur tha se Putin duket “shumë mirë me shëndet”.

“Ka plot thashetheme lidhur me shëndetin e presidentit Putin dhe deri më tani ne mund të themi se ai është plotësisht shumë i shëndetshëm”, tha Burns gjatë Forumit të Sigurisë Aspen në Kolorado.

Pasi publiku reagoi me të qeshura ndaj kësaj deklarate, ai shtoi se ky nuk ishte një gjykim zyrtar i inteligjencës.

Burns ka qenë ambasador i Shteteve të Bashkuara në Moskë dhe për dy dekada ka vëzhguar dhe është marrë me liderin rus.

Putin është “një besimtar i madh në kontroll, frikësim dhe hakmarrje” dhe këto veti janë forcuar gjatë dekadës së fundit, pasi rrethi i tij i këshilltarëve është tkurrur, tha shefi i CIA-s.

“Ai është i bindur se fati i tij si udhëheqës i Rusisë është për të rivendosur Rusinë si një fuqi të madhe. Ai beson se çelësi për ta bërë këtë është të rikrijojë një sferë ndikimi në fqinjësinë e Rusisë dhe ai nuk mund ta bëjë këtë pa e kontrolluar Ukrainën”, shtoi Burns.

Shefi i CIA-s kishte vizituar Moskën nëntorin e kaluar dhe kishte paralajmëruar Rusinë për pasoja serioze nëse e pushton Ukrainën, pasi inteligjenca amerikane kishte mbledhur informacione për planet e Moskës. Por, Burns tha se nga ai udhëtim ishte kthyer më i shqetësuar sesa ishte para se të nisej për në Rusi.

Në pushtimin që ka nisur pesë muaj më parë, Rusia ka arritur të pushtojë pjesë në lindje dhe jug të Ukrainës, por ka dështuar që ta përmbushë qëllimin fillestar që ishte marrja nën kontroll e Kievit dhe që atëherë pretendon se objektivi kryesor që në fillim ka qenë “çlirimi” i rajonit lindor të Donbasit.

SHBA-ja ka akuzuar Rusinë se po përgatitet që të aneksojë më shumë pjesë të Ukrainës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

20 + six =