“Pse nuk e burgosa Nanon…”, mirësevini në Berishën e Tretë!

Edhe një herë më tepër, nëse ka pasur nevojë këto kohë, ju rikthyem zakonit të dëgjojmë politikanët më të lartë të Shqipërisë teksa tregojnë publikisht sesi i kanë kursyer burgun njëri-tjetrit. Edhe një herë na e kujtojnë me zë të lartë, të njëjtët politikanë që e kanë fjalorin e përditshëm të mbarsur me burg, gjak dhe vrasje, sesi i kanë mbajtur dorën vetvetes dhe të tjerëve rrotull, për të mos futur në burg kundërshtarin politik. Atë që rri përballë e që një ditë të merr edhe pushtetin (Mos o Zot)!

Sali Berisha përbën një specie më vete në këtë klasë dinosaurësh tridhjetëvjeçarë. E ka nisur karrierën e tij prej shtetari duke provokuar burgosjen e atij që ishte oponenti i tij kryesor i kohës, kreun e opozitës Fatos Nano. Katër vite burg të cilat më pas u pasuan me pafajësi dhe “gradim” të këtij të fundit, me postin e kryeministrit të vendit. Megjithëse gjesti i Berishës tingëllon sot si një anakronizëm i shpifur e jashtë kohe (cili mund ta pranojë sot, fjala vjen, që të merret me pranga kryetari i PD, me yshtjen e Edi Ramës), ky veprim i shtetit të Berishës asokohe, ishte hapi i parë i një kalvari vuajtjesh ku hyri Shqipëria në vitet e mbetura ’90. Voluntarizmi dhe arbitrariteti i të parit të vendit, presidentit të kohës, i dha formë një shteti folklorik, që ngjante pikë për pikë me skenarin e filmit “Koncert në vitin ‘36”.

Por ai stan atë bulmet ka, dje dhe sot. Sepse Berishës shumë shpesh, në daljet publike, i flet në vesh Frojdi. Bën gafa sa herë nxehet e dëshëron të bëjë të fortin. Rasti më i fundit ishte para një jave, në një debat televiziv kur deklaroi se kishte marrë “vendim politik” për të mos çuar në burg Fatos Nanon pas vitit 2005 kur erdhi në pushtet. “Nano e kishte bërë burgun”, u tha Doktori gazetarëve, duke mos na lënë edhe një herë asnjë dyshim se në këtë vend, sidomos kur qeveris ai vetë, në burg nuk të çon gjykata e prokuroria, por qeveria!

Ka një bezdi të përgjithshme të mediave pranë ish-kryeministrit, kur pëmenden fakte e ndodhi të dy dekadave më parë, në kohën kur qeveriste Berisha. “Pse na ktheni në vitet ’90, a nuk ju mjaftojnë zullumet e qeverisë aktuale”? Shumë e drejtë bezdia, e drejtë edhe pyetja që e shoqëron, por ka një “por” të madhe nga pas. Kur në poltronin numër 1 të opozitës ka vendosur të kthehet një personazh i cili ka dalë drejt e nga librat e historisë e është futur në zyrën e kryetarit të PD, çfarë zgjedhje kemi, përveçse që t’i përmendim bilancin kilometrik që ai ka në politikën shqiptare?! Nëse Berisha pranon me qejf të komentojë burgosjen e munguar “me vendim politik” të Fatos Nanos 17 vjet më parë, si mund të flitet për Gërdecin, 21 janarin e të tjera zullume të qeverisjeve të Doktorit? Si mund të bezdisesh nga përmendja e bilancit të një politikani, e jo nga vetë politikani?!

E meqë bezdia është një ndjesi më shumë estetike, le të merremi me faktet e rënda. E thënë ndryshe, me bindjen që Berisha i Tretë ka, edhe  sot në vitin 2022, se Fatos Nanon nuk e futi në burg në 2005 pasi ashtu e vendosi, pasi e kishte bërë një herë burgun. Siç duket qysh së largu, Berisha i Tretë vazhdon ta aprovojë burgun e kryer të Nanos në vitet ’90, ashtu si edhe burgun e munguar të tij në vitet 2000. Me një fjalë ky i treti, nuk ka ndryshuar asnjë milimetër nga dy Berishët e parë. Nuk korigjon asgjë, nuk kërkon falje për asgjë dhe nuk pendohet për asnjë gram nga bilanci i tij si politikan i lartë i vendit. Një akt koherence, por edhe një konkluzion dëshpërues i qorrsokakut ku PD e sotme e ka futur veten duke ricikluar një figurë politike që tani duhej të ishte duke gëzuar pensionin e tretë, e jo garën e tretë për pushtet.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

1 + 13 =