Kina si moderatore e partneriteteve rajonale ndërkombëtare

Një kalendar i pasur takimesh, konferencash dhe samitesh rajonale dhe ndërkombëtare përgjatë dy viteve të fundit, nisma dhe bashkë-organizime të Kinës, i kanë dhënë kësaj fuqie ndërkombëtare rolin e një moderatoreje. Këtë mision influence Kina duket se po e bazon nëpërmjet autoritetit ekonomik të saj. Rregullatorët financiarë të vendit, sipas publikimeve të fundit, ofruan të dhëna të cilat dëshmojnë ecjen përpara të standardizimit në sektorin financiar dhe progres drejt prosperitetit ekonomik konform planifikimeve zyrtare.

Në këtë kuadër, autoritetet kineze kanë shpallur strategjinë për forcimin e kontrollit dhe parandalimin e rreziqeve financiare, duke parë në këtë fushë një problematikë që mund të shndërrohet në serioze. Duket se përpjekja për garantimin e sistemit të tyre financiar do të bazohet në afirmimet teknologjike dhe inovative. Ekonomistët kinezë pohojnë dendur së fundmi se orientimi drejt përdorimit të teknologjive, duke përfshirë informatikën cloud, big data dhe inteligjencën artificiale, është prioritet i rëndësisë madhore.

Porti Qingdao(Foto:VCG)

Porti Qingdao(Foto:VCG)

Në këtë kontekst dëshmues, qeveria kineze publikoi së fundmi 137 standarde kombëtare dhe industriale në sektorin financiar në periudhën e viteve 2016 – 2020. Sipas logjikës së administruesve kinezë, standardizimi luan një rol parësor në shërbim të ekonomisë reale. Varësisht prej këtij prioriteti, sipas tyre, parashikohet zhdërvjelltësia menaxhuese në këtë ekonomi dhe në sistemin e ndërlidhjeve dhe shkëmbimeve tregtare të Kinës me rajonet e Azisë dhe me zonat e tjera ndërkombëtare. Natyrshëm, këtij procesi i është bashkëngjitur edhe zinxhiri i masave mbrojtëse nga rreziqet financiare.

Sistemi i menaxhimit për kreditë kineze ka implementuar kufij të sipërm për kreditë e papaguara, për të forcuar kësisoj regjimin e kontrollit dhe kolateraleve dhe për të mbrojtur sistemin e vet financiar nga rreziqet. Ndërkohë që influenca ekonomiko-financiare kineze në rajonet e tjera realizohet përmes shumë fushave ekonomike.

Vektori i tregtisë elektronike ndërkufitare për Kinën është ndër më aktivët dhe më të leverdishmit. Madje, sipas statistikave aziatike, kjo tregti është zgjeruar shumë më shpejt se tregtia e jashtme e përgjithshme. Në funksion të këtij përfitimi, Këshilli i Shtetit të Kinës ka krijuar mbi 110 zona pilot të tregtisë elektronike ndërkufitare në pesë kontingjente.

Foto:VCG

Foto:VCG

Studiues e ekspertë të ekonomisë e çmojnë këtë si një model të ri biznesi, i cili ndikon jo vetëm në ekonominë kombëtare, por sidomos në atë të vendeve partnere dhe kryesisht rajoneve, duke i dhënë kështu edhe më tepër rol aktiv ekonomisë kineze. Protagonizmi aktiv dhe prej moderatoreje i Kinës në bashkëpunimet rajonale, po e bën edhe më evident modelin tipologjik rajonal dhe ndërkombëtar ekonomik të saj.

Në Takimin e Dytë të Mekanizmit të Bashkëpunimit të Dialogut të Nivelit të Lartë Kinë-Indonezi, Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi theksoi se marrëdhëniet e Indonezisë dhe Kinës kanë rëndësi strategjike dhe ndikim global. Sipas tij, “të dy vendet kanë kryer një bashkëpunim mbarëpërmasor, të gjerë dhe shumënivelesh, për të ndërtuar një bashkësi me një të ardhme të përbashkët”.

Në fjalimin e mbajtur në Sekretariatin e ASEAN-it në Xhakartë të Indonezisë, zyrtari i lartë tha se aktualisht Kina dhe ASEAN-i janë partnerët më të mëdhenj tregtarë të njëri-tjetrit, me vëllimin e tregtisë dypalëshe që është rritur 100 herë krahasuar me 30 vjet më parë. Ndërkohë, investimet e drejtpërdrejta të dyanshme i kanë kaluar 310 miliardë dollarë amerikanë.

Takimi i kryediplomatëve Kinë-ShBA(Foto:Ministria e Jashtme e Kinës)

Takimi i kryediplomatëve Kinë-ShBA(Foto:Ministria e Jashtme e Kinës)

Takimi i kryediplomatëve Kinë-ShBA(Foto:Ministria e Jashtme e Kinës)

Takimi i kryediplomatëve Kinë-ShBA(Foto:Ministria e Jashtme e Kinës)

Në këtë koncept strukturor, zyrtari kinez nënvizoi: “Ne shpresojmë të mbrojmë rajonalizimin e hapur së bashku me ASEAN-in dhe të thellojmë partneritetin tonë strategjik gjithëpërfshirës”. Kjo vjen në momentin kur Shtetet e Bashkuara u përpoqën gjithashtu të intensifikojnë marrëdhëniet me shtetet e ASEAN me një vështrim drejt rivalitetit me Kinën.

Është e qartë se Kina e konsideron partneritetin rajonal dhe projektet ndërlidhëse rajonale si një çelës suksesi për shtimin e rolit vetjak në arenën ndërkombëtare. Insistimi dhe aktivizmi i saj ekonomik, diplomatik dhe shkencor në kuadër të inkurajimit të modeleve rajonale dhe ndërkombëtare përbëjnë aspektin më tipik të investimit të saj global. Autoritetet e larta kineze këmbëngulin për stimulimin e forcave nxitëse të zhvillimit rajonal, duke e materializuar atë specifikisht në fusha me interes të lartë si në shkencë, teknologji, edukim, infrastrukturë, inovacion etj.

Aktualisht jemi në një kohë kur po dominon një fenomen dhe një mendësi rajonalizimi si kundër-përgjigje ndaj globalizmit që tashmë ka fituar mjaft armiq dhe skeptikë. Në këtë kuadër, vlen të shikohet me një vëmendje të shtuar ky angazhim i Kinës për të shfrytëzuar më së miri karakterin rajonal të politikë-bërjes dhe bashkëpunimit.

Takimi i ministrave të Jashtëm të G20-të(Foto:Ministria e Jashtme e Kinës)

Takimi i ministrave të Jashtëm të G20-të, Korrik 2022, Bali, Indonezi(Foto:Ministria e Jashtme e Kinës)

Kapaciteti prej fuqie të madhe, diplomacia e partneritetit dhe koncepti doktrinar për multilateralitet janë ndër aspektet më predominuese të nismave dhe aktivizmit shtetëror kinez në fushën e marrëdhënieve rajonale dhe ndërkombëtare. Ky realitet nuk mund të mohohet tashmë dhe meriton një analizë më përmbajtësore dhe përcaktuese për impaktin që ka.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

twenty + twenty =