Virusi i rrezikshëm në faqet e qeverisë dhe dyshimet për një hakmarrje. Çfarë rrezikon Shqipëria

Shqipëria gjendet përballë një sulmi të paprecedent kibernetik duke bërë që Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) të mbyllë përkohësisht shërbimet publike online dhe faqeve të tjera qeveritare me qëllim mbrojtjen e tyre nga dëmtimet e mëtejshme të sistemit të informacionit.

Vendi ka investuar në shërbimet online gjatë viteve të fundit duke kaluar thuajse çdo shërbim përmes e-Albania duke e bërë mjaft të ndjeshëm ndaj sulmeve të tilla.

Pak orë më vonë reagoi edhe vetë kryeministria duke theksuar se sulmi është i paprecedent dhe buron nga jashtë vendit, ndërkohë që siguron qytetarët që po merren masat e nevojshme për përballimin e tij. Kryeministria thekson gjithashtu se janë dukë bashkëpunuar me ekspertët e “Microsoft” dhe kompanive të tjera të sigurisë kibernetike për të minimizuar dëmtimet.

Në të dyja rastet, njoftimet e institucioneve janë të shkurtra dhe pa dhënë shumë detaje në lidhje me çfarë po ndodh.

Në fakt, bëhet fjalë për diçka tepër të madhe, i ngjashëm me një pushtim virtual, ku armiku, tashmë jo fizikisht, por virtualisht, kërkon të marrë kontrollin e të gjitha shërbimeve online që ka një shtet.

Një burim i afërt me AKSHI, ekspert i sigurisë kibernetike dhe njohës i mirë i këtyre praktikave i tha abcnews.al se ka të dhëna që të bëjnë të dyshosh për një sulm mjaft të avancuar, të tipit Ransomware përmes të cilit po synohet marrja nën kontroll e sistemit të komunikimeve dhe shërbimeve online të qeverisë shqiptare.

“Kjo nuk është diçka e zakonshme. Është një sulm shumë i avancuar dhe mjaft i rrezikshëm. Nuk përballemi shpesh me diçka të tillë. Është njëlloj sikur dikush të të pushtojë me ushtri, por në rastin në fjalë kjo ushtri është online. Uroj që AKSHI të këtë marrë masat e duhura dhe besoj se në lojë do të futen edhe aleatët pasi situate është serioze”, i tha burimi abcnews.al.

Çfarë është një “Ransomware”?

Virusi “Ransomware” konsiderohet tepër i rrezikshëm pasi përmes tij, sulmuesit i kijojnë vetes akses në të gjitha të dhënat e faqeve/ databazave duke marrë tërësisht kontrollin e tyre. Pasi kanë marrë kontrollin, ata heqin mundësinë e aksesit të kujtdo tjetër duke mbyllur sistemin ndaj tentativave për të rikthyer materialet. Eksperienca ka treguar që në rastet e sulmeve të tilla, institucionet apo kompanitë nuk i kanë rikthyer më materialet në databazë.

Përveç kësaj, rreziku tjetër, edhe më i madh kur bëhet fjalë për një shtet, ka të bëjë me faktin se sulmuesit përveç se kanë kontroll të plotë mbi sistemet online, marrin gjithçka që ka të bëjë me qytetarët, siç janë pagat, të dhënat mbi pronat, sigurimet, dhe gjithçka tjetër që është administruar dhe gjeneruar nga këto institucione.

Kush po na sulmon?

Në reagimin e tyre, AKSHI dhe Kryeministria thanë se “sulmi gjenerohet nga jashtë” duke mos dhënë informacione shtesë.

AKSHI përdori edhe termin “armik” duke mos specifikuar një shtet apo një organizatë të interesuar për të sulmuar vendin tonë.

Ekspertët dyshojnë se gjithçka ka ndodhur nga një agjenci spiunazhi e huaj, e njohur për sulme të ngjashme edhe ndaj shteteve të tjera, pas një operacioni të gjerë kundër agjentëve të tyre në Shqipëri.

“Dyshohet si një hakmarrje ndaj nesh”, i tha një burim abcnews.al. /abcnews.al

Leave a Reply

Your email address will not be published.

one + seven =