VOA: Rama pritet nga Stoltenberg, i paraqet propozimin për bazë detare të Natos në Durrës

Kryeministri shqiptar Edi Rama i paraqiti sot Sekretarit të Përgjithshëm të Nato-s, propozimin për ndërtimin e një baze detare të Aleancës në Durrës

Gjatë deklaratës së përbashkët pas takimit në Bruksel, zoti Rama tha se bëhet fjalë “për të shtuar një vlerë tjetër të rëndësishme në infrastrukturën dhe logjistikën e aleancës, duke vënë në dispozicion të NATO-s një bazë të flotës detare të fjalës së fundit, që do të jetë një vend që jo vetëm mund ta ndërtojmë, por mund ta ndërtojmë duke patur parasysh sfidat e kohës sonë, nga ndryshimi i klimës, nga mbrojtja e mjedisit e gjithçka tjetër”.

Nga ana e tij Sekretari i Përgjithshëm i Natos, i cili e mbajti deklaratën e tij, përpara asaj të kryeministrit shqiptar, nuk e përmendi propozimin për bazën detare, ndërsa vlerësoi rolin e Shqipërisë në gjirin e Aleancës dhe kontributin e saj në forcat shumëkombëshe në Letoni e së fundmi dhe në Bullgari, apo dhe në misionin paqeruajtës në Kosovë.

Zoti Stoltenberg, vuri gjithashtu në dukje mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës. “NATO qëndron me Ukrainën ndërkohë që mbron veten e saj ndaj luftës mizore të Rusisë. Ne po ofrojmë modele të pashembullta mbështetjeje dhe kjo do të vazhdojë edhe në afat të gjatë. Unë mirëpres mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën si edhe angazhimin tuaj të fundit për ndihmë humanitare. Gjithashtu dhe vizita juaj e fundit në Ukrainë ishte një dëshmi e rëndësishme solidariteti”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i Natos, duke ju drejtuar kryeministrt shqiptar.

Zoti Stoltenberg, përgëzoi Shqipërinë dhe për ratifikimin e shpejtë të protokolleve të anëtarësimit në Alancë të Finlandës dhe Suedisë. Sipas tij, afrimi i këtyre dy vendeve “dëshmon se dera e NATO-s mbetet e hapur dhe se vazhdojmë të përkrahim të drejtën e çdo vendi të zgjedhë rrugëtimin e vet. Mikëpritja e Finlandës dhe Suedisë në Aleancë do t’i bëjë ata më të sigurtë, NATO-n më të fortë dhe botën më të sigurtë. Kjo është jetike ndërkohë që përballemi më krizën më të madhe të sigurisë në dekada”.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Nato-s u shpreh se Ballkani Perëndimor ka “një rëndësi strategjike për Aleancën”, kryeministri shqiptar bëri të ditur se kishte përsëritur kërkesën për përfshirjen e Kosovës në partneritetin për paqe. Një vendim i tillë do të kërkonte konsensusin e të gjithë vendeve anëtare, mes të cilave disa nuk e kanë njohur ende Kosovën, por sipas zotit Rama, “do të ishte vërtetë e mençur që kjo të rikonsiderohet”, duke patur parasysh dhe kontekstin e zhvillimeve aktuale.

Zoti Rama theksoi se “është e rëndësishme që ne të vazhdojmë bashkëbisedimin tonë përkundrejt situatës dhe po kështu edhe detyrimet që ne kemi në Ballkanin Perëndimor, që pikërisht të parandalojmë çdo përshkallëzim e të parandalojmë që çdo ndikim i keq të kthehet në problem për rajonin tonë”. Ai shtoi më tej se “ndërkohë që koncepti i ri strategjik që sapo kemi miratuar thekson rolin strategjik të Ballkanit Perëndimor për NATO-n, ne besojmë shumë se është tejet e rëndësishme që të vijojmë një dialog të përhershëm me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë, e cila nuk është pjesë e aleancës sonë, por është pjesë e rajonit tonë”./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published.

3 × two =