“Kosova t’i bashkohet “Ballkanit të Hapur””, Bytyçi fton në debat televiziv Hoxhajn: Po flet me mendjen e këtij politikani

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova duhet të bëhet pjesë e nismës së “Ballkanit të Hapur”.

Sipas tij, Kosova në këtë mënyrë do të rrisë bashkëpunimin me vendet e rajonit.

“Sa kam qenë në postin e ministrit të Jashtëm, ne kemi ndjekur një qasje që qasje që Kosova të jetë pjesë e çdo organizatë, në çdo nismë rajonale. “Ballkani i Hapur” nuk është as organizatë, është një grup joformal i shteteve, sikurse është G7 apo G20. Dhe në pikëpamjen time, për Kosovën do të ishte e lehtë nëse sillet në mënyrë konstruktive, kreative dhe merr pjesë në Ballkanin e Hapur dhe kërkon mbështetje nga shtetet që ne të bëhemi pjesë edhe e Këshillit të Evropës, që të bëhemi pjesë e partneritetit për paqe të NATO-s. Nuk mund t’i thuash jo një nisme joformale për bashkëpunim në rajon dhe të kërkosh nga partnerët, nga shtet të ndryshme që të mbështesin, qoftë në Strasburg, qoftë në Bruksel”, është shprehur Hoxhaj mbrëmë në “Top Story”.

Atij për këtë deklaratë i ka reaguar profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike Enver Bytyçi, përcjell Bota sot

Bytyçi ka thënë se nga kontaktet e shtuara të Hoxhajt me kryeministrin Edi Rama, ka pritur ndryshimin e qëndrimeve të mikut të tij, Hoxhajt.

“Miku im, Enver Hoxhaj, deklaroi se “mbështet Open Balkan” dhe se “pas pesë vitesh Kosova do të jetë në pozitë më të vështirë me Serbinë, nëse nuk e zhvillon sot dialogun”! Siç e kam njohur dikur, nuk e prisja që ish-ministri i Jashtëm i Kosovës do të bënte deklarata si këto. Por nga kontaktet e tij të shtuara kohët e fundit me Edi Ramën, e kam prit ndryshimin e tij”, ka thënë profesori.

Ai ka ftuar Hoxhajn në debat televiziv, që të argumentojë pse mendon se Kosova duhet t’i bashkohet “Ballkanit të Hapur”.

“Nuk dua ta zgjas, por e ftoj në një debat televiziv zotin Hoxhaj për t’ia dhënë mundësinë atij që të japë argumente, pse mendon kësisoj. Nëse e ka bindje këtë që po thotë, me siguri do të ketë edhe “argumente”! Hajde miku im dhe i ballafaqojmë argumentet! Po e fitove debatin, do të jap të drejtë!”, është shprehur më tej Bytyçi.

Sipas tij, Hoxhaj po flet me mendjen e Ramës.

“E vërteta është se Enver Hoxhaj po flet me mendjen e Edi Ramës dhe kur flet me mendjen e Edi Ramës u bashkohesh korit të kukuvajkave me dirigjent Aleksandër Vuçiq! Solist në këtë kor është Edi Rama dhe pjesëtarë të tij janë Abazoviç, Ahmetoviç dhe viça të tjerë plot ndër shqiptarët! Nëse miku im hyn në këtë kor do të marrë pas vetes prapashtesën –viç”, ka potencuar analisti Enver Bytyçi, në një postim në Facebook./Botasot

Leave a Reply

Your email address will not be published.

5 × three =