Zbardhet projekti i qeverisë, afatet për ndryshimin e Amfiteatrit të Durrësit!

Një projekt kompleks, që përfshin ndërhyrje të disa llojeve dhe zhvillime afatgjata që nisin nga 5 deri në 15 vite. Qeveria përmes një drafti të financuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim ka bërë gati skemën e menaxhimit, fazat e gërmimeve, zonat ku do të ndërhyhet në Amfiteatrin e Durrësit, i cili pritet të jepet me konçension te privati.

Projekti prek zonat muzeale të Durrësit, përfshirë edhe Amfiteatrin, të cilat mund t’u jepen fondacioneve të posaçme. Ky model thuhet mbart rreziqe të konsiderueshme, pasi është një organizim kompleks dhe do kërkonte kohë që përfshin ndërhyrje të disa llojeve dhe zhvillime afatgjata nga 3 vite e gjysmë deri në 10 vite. Në plan jepen udhëzime më afatgjate për shpronësime të mundshme dhe prishjeve të godinave, lirimin e tokës, duke përfshirë dhe zbatimin e zëvendësimit, zgjidhje të përkohshme dhe përfundimtare, shkruhet në draft.

Ndërhyrja me e fortë sugjerohet për Amfiteatrin e Durrësit, me një kosto prej 3,3 milionë dollarësh amerikanë dhe vetëm për 2 fazat e para të ndërhyrjes, që përfshijnë zbulimin e plotë të Amfiteatrit. Për fazat e tjera nuk është përcaktuar kosto, por është përcaktuar nevoja e shembjes së shtëpive dhe objekteve përreth. Ndërhyrja tjetër e rëndësishme është te banjat romake dhe forumi bizantin, zonë e cila ndodhet pas Pallatit të Kulturës së Durrësit. Kostoja e ndërhyrjes është 2,3 milionë dollarë e shtrirë deri në 10 vite.

Ka një sërë projektesh që janë akoma duke u zbatuar dhe kanë në fokus të tyre Amfiteatrin, të promovuar nga aktorë të ndryshëm dhe nga burime të ndryshme financimi: MK-ja me fondet e veta dhe fondet evropiane, AADF-ja sërish me fondet e veta dhe në partneritet me MK-në. Midis të gjithë këtyre projekteve, vetëm projekti i identifikuar në këtë PMI, merret me monumentin në vetvete. Plani parashikon edhe mjaft ndërhyrje të tjera që nga përcaktimi i zonave arkeologjike detare e deri tek objektet e ndryshme me vlerë historike.

Zona e projektit, e cila i përfshin të dyja si forumin bizantin ashtu dhe termat (banjat) romake, përfshin 4 sektorë të ndryshëm: 1. Forumin romak; 2. Banjat termale; 3. Sektorin lindor; si dhe 4. Sheshin në Perëndim të Pallatit të Kulturës. Të gjithë këta katër sektorë janë pronë publike, përveç një pjese të vogël të këndit Verilindor të sektorit 3, ku ndodhet një ndërtesë e papërfunduar. Është një projekt kompleks, që përfshin ndërhyrje të disa llojeve dhe zhvillime afatgjata (nga 3/ 5 deri në 10 vite).

Programimi i kërkuar në fazën projektuese të këtij projekti, do të japë udhëzime për fazat afatgjata (6 deri në 10 vite), duke specifikuar kohën e fazave të ndryshme, gjë që bën të mundur kryerjen e tyre paralelisht: Konsolidimi dhe përmirësimi i zonave arkeologjike, tashmë të gërmuara. Shpronësime të mundshme dhe prishje, lirimi i tokës, duke përfshirë dhe zbatimin e zëvendësimit, zgjidhje të përkohshme dhe përfundimtare.

Forcimi dhe zhvillimi i gërmimeve të reja sipas progresit të tyre (parashikuar/përfunduar). Duke i mbajtur hapur për publikun e gjerë. Për fazat e gërmimeve në sektorin Verilindor dhe atë Jugperëndimor, kostot mund të mbulohen duke favorizuar marrëveshjet me institucionet kërkimore për fushatat e gërmimeve. Dokumenti i hartuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, bazohet në ligjet shqiptare për trashëgime kulturore, i cili u lejon privatëve të menaxhojnë pasuri të tilla. Në dokument përmenden subjektet private si mundësi menaxhimi. Këto projekte përfshijnë dhe operacionet e rimëkëmbjes nga tërmeti të ndërmarra nga Bashkia e Durrësit.

Konkretisht, projektet e identifikuara krah për krah me përparësitë e tyre janë projekte afatshkurtra (5 vite PMI): Amfiteatri; Forumi/Banjat romake; Muzeu arkeologjik; Itineraret urbane; Kulla Veneciane, si Qendër Interpretimi (UNOPS); Citadela e Sipërme (projekt TID); Plani i detyrueshëm vendor për zhvillim të ri, zona 5 (PDyVs); Shpronësimet dhe prishja (Qeveria shqiptare); Projekte afatmesme (6-8 vite; Fortifikimet e ulëta. Arkeologjia nënujore/Muzeumi i Multimedias; Projekte afatgjata (9-15vite); Parku Nënujor Arkeologjik i Durrësit; Muzeu i Luftës së Dytë Botërore; Gërmimet e ardhshme arkeologjike; Zgjerimi i siteve arkeologjike. Projektet e mbrojtjes, të cilat do të zbatohen gjatë periudhës 5- vjeçare të kësaj PMI-je, kanë të bëjnë kryesisht me asetet arkeologjike të Durrësit dhe një projekt të lidhur me krijimin e disa itinerareve urbane, të cilat kanë për qëllim lidhjen e këtyre siteve me zona të tjera të qytetit.

Ruajtja dhe paraqitja e amfiteatrit Amfiteatri është një pjesë thelbësore e qytetit të Durrësit, sepse konsiderohet si një ikonë në qendër të qytetit.

Potenciali i tij i pashfrytëzuar buron nga gërmimet e mëtejshme arkeologjike, përmirësimi i paraqitjes dhe ruajtjes, dhe ripërdorimi dhe vlerësimi si një vend i mundshëm ku mund të organizohen evente të ndryshme kulturore.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

three × 1 =