Pas skandaleve me të dhënat personale, ndryshon ligji për mbrojtjen e tyre ./Sistem i unifikuar sanksionesh me BE-në

Ndryshimet e parashikuara në projektligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale” në raport me ligjin në fuqi Nr.9887, datë 10.3.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” janë bërë publike.

Përkufizimi i termave të përdorur në projektligj, si dhe prezantimi i termave të reja është ndryshimi i parë i bërë.

Një nga termat e rëndësishëm të përfshirë në ndryshim është në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, ka të bëjë me pëlqimin.

Me përkufizimin e ri, si pëlqim merret çdo element tregues i vullnetit të subjektit të të dhënave, të dhënë lirisht, të informuar dhe të qartë.

Me anë të një deklarate ose me një veprim të qartë pohues, subjekti në fjalë shpreh dakordësinë për përpunimin e të dhënave personale që lidhen me të.

Këtë, për një ose më shumë qëllime specifike.

Ka edhe terma të rinj të prezantuar. Të tilla si përpunimi i mëtejshëm, të dhënat e pseudonimizuara, si dhe shtimi i kategorive të të dhënave sensitive.

Projektligji, në drejtim të të drejtave të subjekteve të të dhënave, jo vetëm që përmirëson dhe zgjeron të drejtat e tyre të parashikuara nga ligji në fuqi, por gjithashtu parashikon për herë të parë edhe të drejta të reja.

Pjesë e këtyre të fundit është e drejta për t’u harruar dhe e drejta për transferueshmërinë e të dhënave.

Po ashtu parimet dhe kriteret për përpunimin e të dhënave personale përshkruhen në mënyrë më të detajuar.

Sakaq, në funksion të mbrojtjes efektive të të dhënave personale parashikohen edhe detyrime të reja për kontrolluesit dhe përpunuesit.

Në ndryshim nga ligji aktual, parashikohen për herë të parë rregulla mbi përpunimin e të dhënave personale nga autoritetet kompetente për sigurinë publike ose kombëtare dhe për parandalimin dhe ndjekjen e veprave penale.

Projektligji sjell edhe një ndryshim thelbësor që ka të bëjë me rishikimin e mandatit dhe kompetencave të Komisionerit në interes të pavarësisë dhe ushtrimit të funksionit për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit.

Ai ka parashikuar për herë të parë kompetenca ndihmëse, hetimore dhe korrigjuese.

Nga ana tjetër, prezanton një sistem të ri sanksionesh administrative për shkeljen e dispozitave të tij duke rritur në mënyrë të konsiderueshme masën e gjobës.

Tanimë, ajo unifikohet me masën e gjobës që zbatohet nga vendet e Bashkimit Evropian.

Për kundërvajtjet administrative, gjoba do të shkojë deri në 2 miliardë lekë, ose deri në 4 për qind të xhiros totale vjetore të përgjithshme për vitin financiar paraardhës në rastin e ndërmarrjeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

20 − seventeen =