Manastirliu: Spitali i ri infektiv, funksional në gusht

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ka mbikëqyrur nga afër punimet që po kryhen për rikonstruksionin dhe zgjerimin e kapaciteteve në Spitalin Infektiv, ku bëri me dije se do të jetë gati brenda verës.

“Jam e kënaqur që tashmë ashtu sikurse e kemi premtuar, brenda muajit korrik mund të kemi një përfundim të punimeve në këtë spital. Dhe ky është synimi ynë, që fundi i muajit korrik të përfundojë nga pikëpamja e rehabilitimit të infrastrukturës spital i ri i sëmundjeve infektive në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’”.

Manastirliu tha se për t’iu përgjigjur emergjencave, ky spital mund të kthehet në një spital gjysmë terapie intensive, teksa theksoi se bërja funksional e tij do të fillojë në muajin gusht, “ku edhe do të kemi një hapje të këtij shërbimi të ri”.

“Ashtu sikurse tashmë kjo strukturë është e projektuar, do të kemi më shumë se 60% të dhomave me ajër me presion negativ. Kjo ndihmon shumë për sa i përket trajtimit të sëmundjeve infektive. Reanimacioni rrit kapacitetet duke i dyfishuar ato. Ndërkohë që gati të gjitha dhomat ofrojnë të gjitha panelet e gazrave mjekësore duke e kthyer në një moment të caktuar nëse do të na duhet dhe një spital pra, gjysmë terapie intensive”, tha Manastirliu.

Duke folur për situatën epidemiologjike ku vihet re një rritje e numrit të infektimeve, Manastirliu duke iu referuar alertit të ngritur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, tha se duhet të jemi gati për të përballuar një valë të re infektimesh.

“Puna jonë duhet të jetë e fokusuar sepse duhet të përgatitemi për të nesërmen. Ashtu sikurse është alertuar edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, vjeshta mund të vijë me një valë të re të COVID 19 dhe varianteve të reja të Omicron. Ndaj ne duhet të bëhemi gati që t’i përballojmë të gjitha ato emergjenca që mund të vijnë në të ardhmen, duke qenë të përgatitur dhe duke ndërtuar kapacitetet dhe duke i fuqizuar ato”, pohoi ajo.

Ishte vetë ministrja, e cila më 23 mars bëri me dije se në Spitalin Infektiv kanë nisur punimet për rehabilitimin e tij.

Investimi me vlerë prej 5.6 milionë euro konsiston në rikonstruksionin dhe zgjerimin e kapaciteteve të Spitalit Infektiv.

Ky investim vjen në kuadër të fuqizimit të kapaciteteve në sistemin spitalor dhe veçanërisht në përgjigje të fuqizimit të kapaciteteve për shërbimet spitalore për sëmundjet infektive dhe Planin e Masave 2021-2022 për përgjigjen ndaj pandemisë COVID-19.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

two + 6 =