Gjukanoviç nuk e mbështet më Abazoviçin/ Priten zhvillime të bujshme në Malin e Zi,

Jetëgjatësia e qeverisë së Dritan Abazoviç është në fije të perit.  Goditjen përfundimtare i dha ditën e djeshme Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) që udhëhiqet nga Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç. Kjo parti ka vendosur ditën e djeshme të tërheqë mbështetjen e saj ndaj qeverisë së pakicës të Dritan Abazoviçit. Ky vendim erdhi pasi qeveria e Malit të Zi miratoi draft-kontratën me Kishën Ortodokse Serbe, gjë për të cilën kjo qeveri nuk ka mandat dhe pajtueshmëri të plotë politike, dhe e cila ishte votuar për të shtyrë përpara agjendën evropiane të vendit. Partia Socialdemokrate gjithashtu ka njoftuar nisjen e një nisme për shkurtimin e mandatit të qeverisë dhe thirrjen për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. DPS, e cila ka 29 deputetë në parlamentin malazez (nga 81 sa janë gjithsej), zyrtarizoi qëndrimin e saj se qeveria e ka humbur mbështetjen e kësaj partie, nga e cila edhe varet edhe jetëgjatësia e qeverisë së Abazoviç. “Në seancën e Kryesisë së Partisë Demokratike të Socialistëve, të kryesuar nga kryetari i partisë Milo Gjukanoviç, u shpreh keqardhja për ndryshimin e kursit politik të Qeverisë së Malit të Zi, e cila, në kundërshtim me marrëveshjen politike për formimin e saj, braktisi detyrat prioritare të përmbushjes së detyrimeve nga agjenda e integrimeve evropiane dhe me nxitim, në mënyrë të papërgjegjshme dhe pa konsultim me publikun profesional lidhi kontratën me Kishën Ortodokse Serbe, duke i shkaktuar dëme të pallogaritshme interesave shtetërore të Malit të Zi”. Partia e Gjukanoviç tregon do të vazhdojë pa vonesë në Kuvendin e Malit të Zi komunikimin me të gjitha partitë parlamentare për të arritur zgjidhje optimale. “Me një ndryshim të tillë të prioriteteve nga ana e Qeverisë, u humb mundësia për të siguruar forcimin e konsensusit të politikës civile, pro-evropiane, dhe në vend të kësaj, ndarjet e vjetra në Mal të Zi u forcuan në një mënyrë krejtësisht të panevojshme dhe në mënyrë destruktive, e cila kërcënoi seriozisht shansin e paraqitur papritur që Mali i Zi, si një vend që ka kohë që udhëheq procesin e negociatave me BE-në, në kohën e duhur të bëhet edhe anëtari i parë i ardhshëm. Me gjithë këtë kthesë negative, Partia Demokratike e Socialistëve do të vazhdojë pa vonesë në Kuvendin e Malit të Zi komunikimin me të gjitha partitë parlamentare për të arritur zgjidhje optimale për çështje që kërkojnë një konsensus më të gjerë politik”.

Reagon Abazoviç

Kryeministri Dritan Abazoviç ka deklaruar dje se e mirëpret vendimin e Kryesisë së DPS-së. “E mirëpres vendimin e Kryesisë së DPS-së. Është përgjegjës edhe si burrë shteti kur nuk ke mundësi ta ndihmosh shtetin, të paktën të mos hakmerresh ndaj tij. Do të shohim se cili do të jetë qëndrimi i shumicës së deputetëve. Mali i Zi duhet të ecë përpara, krimi, korrupsioni dhe nacionalizmi nuk janë opsione. E ardhmja evropiane do të fitojë!”, ka shkruar Abazoviç në Facebook.

Marrëveshja me Serbinë kërcënon interesat shtetërore të Malit të Zi

“Marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe, është votuar pa diskutim paraprak publik, me mangësi të shumta që janë shpallur publikisht nga opinioni profesional, përfaqësues të sektorit joqeveritar si dhe subjekteve të shumta politike, dhe përmbajtja e së cilës kërcënon dukshëm interesat shtetërore të Malit të Zi. Ajo është një çështje e rëndësisë më të lartë kombëtare, mbi të cilën nuk kemi të drejtë të kalojmë pa një përgjigje adekuate dhe të qartë politike,” njoftoi Kryesia e DPS-së. “Për të shmangur skenarin e sotëm, gjatë javës së kaluar kemi paralajmëruar vazhdimisht se kjo çështje nuk mund të zgjidhet me nxitim dhe se është e nevojshme përfshirja e publikut profesional dhe shkencor, për të arritur në përmbajtjen përfundimtare të tekstit në një formë gjithëpërfshirëse, përmes një procesi i cili mbron në mënyrë adekuate interesat e shtetit të Malit të Zi. Kryesia e DPS-së vendosi njëzëri të refuzojë mbështetjen për Qeverinë e 43-të të Malit të Zi dhe autorizoi Klubin e Deputetëve të Partisë Demokratike të Socialistëve që të ndërmarrë veprimet e duhura ligjore në Parlamentin e Malit të Zi gjatë javës së ardhshme”, njoftoi Kryesia e DPS-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

nineteen − three =