Shqipëria e Qemal Lames, ose triumfi i një torturuesi ndaj viktimave (turpi kriminal i TV Klan dhe Fevziut)

Kjo Shqipëri është e Qemal Lames, kryehetues i kohës komuniste mes 1982-1992. Ai mund të përqesh viktimat dhe të flasë në televizion siç flisnin nazistët dikur, duke thënë se vetëm “kanë zbatuar ligjin”. Si dukej “zbatimi i ligjit” në Shqipërinë komuniste? Për shembull kështu: duke ua djegur cigaren në trup të burgosurve, duke i rrahur me lopatë e ushtruar dhunë psikologjike që kulmonte me dënimin me vdekje.

Nga Enver Robelli

Një televizion në Shqipëri ka emituar një intervistë me një person të quajtur Qemal Lame. Mes viteve 1982-1992, për 10 vite me radhë, ai ka qenë kryehetues i Shqipërisë komuniste. Me fjalë të tjera: ka qenë zyrtari që dyshohet si fajtor për shumë krime ndaj kritikëve të regjimit. Pas rënies së komunizmit, Qemal Lame pa therë në këmbë ka emigruar në Gjermani. Jeton atje qe 30 vjet. Në vitin 2022 ai ndihet aq i sigurt dhe shfaqet në televizion, ku i shtrohet qilimi i kuq për të treguar versionin e tij të historisë. Është një intervistë makabre. Lame nuk shpreh keqardhje të sinqertë për krimet e pushtetarëve komunistë. Në ingranazhin e sistemit ai ka qenë një rrotë e rëndësishme. Me persona të tillë regjimi e ka mbajtur në këmbë mekanizmin e torturimit të qytetarëve të Shqipërisë.

Në intervistën e tij Qemal Lame jo që nuk u pendua, por u përpoq ta prezantojë veten si zyrtar që paskësh kryer detyrën “me përgjegjësi të lartë morale dhe qytetare” dhe se vetëm paskësh “zbatuar ligjin”. Pothuaj çdo zyrtar nazist i arrestuar në Gjermani pas Luftës së Dytë Botërore, kur ka dalë para drejtësisë, ka folur si Qemal Lame. Edhe nazistët arsyetoheshin se kanë zbatuar ligjin dhe urdhrat e Adolf Hitlerit. Ligji është ligj, zakoni zakon. Kështu shfajësoheshin xhelatët e nazizmit. Ngjashëm shfajësohet Qemal Lame. Por për dallim nga nazistët, shumica e të cilëve kanë marrë dënimet e merituara, Lame është njeri i lirë në një shtet të lirë – në Gjermani. Ai me gjasë nuk ka aspak frikë se do të ndiqet nga drejtësia e Shqipërisë. Dhe ka të drejtë nëse nuk frikësohet. Siç kanë shpëtuar mijëra xhelatë të regjimit komunist, edhe Qemal Lame nuk duhet të shqetësohet. Përkundër akuzave serioze kundër tij.

Pas intervistës së tij, përmes një postimi në rrjetet sociale është shfaqur me akuza konkrete Sokol Drrasati. Ky qytetar i Republikës së Shqipërisë u lind në Shkodër më 13 shkurt të vitit 1972. U arrestua më 14 dhjetor 1990. Pastaj Gjykata e Apelit e Shkodrës e deklaroi fajtor për “veprën penale të diversionit të kryer në bashkëpunim” dhe “për veprën penale të terrorit të mbetur në tentativë”. U dënua me trembëdhjetë vjet heqje lirie. Në deklaratën e tij publike Drrasati shkruan: “Më 23 dhjetor 1990 jam akuzuar për veprimtari armiqësore, organizim të protestave të dhunshme me qëllim rrëzimin e pushtetit popullor me dhunë dhe diversion ideologjik. Dhe jam dënuar me vdekje”.

Sipas Drrasatit, drejtues i grupit hetimor në atë kohë ka qenë Qemal Lame. Drrasati vazhdon dëshminë e tij: “Torturat që më janë bërë mua dhe shokëve të mi Paulin Gjonpali, Hysen Kullolli, Zamir Faja, Ardian Rragami, Paulin Ndosha, Sokol Ndoja, Zef Kolombi, Roland Prela, vëllezërit Haxhi, Artur Meshi, Gjovalin Paplekaj etj. etj. e mbi 400 të rinj shkodranë që u arrestuan ato ditë, variojnë nga torturat më çnjerëzore:

1. Fikja e cigareve në pjesë të ndryshme të trupit.

2. Rrahja me bishta lopatash brinjëve gjersa thyheshin.

3. Goditja e gjymtyrëve të poshtëm me shkopinj gome

4. Futja në rreth dhe goditje në seri nga grupi i sampistëve.

5. Dhuna psikologjike duke filluar me dënimin me vdekje si dhe internim të familjes”.

Drrasati tregon se është liruar nga burgu më 4 korrik 1991 falë ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të sekretarit amerikan të shtetit, James Baker, i cili i kërkoi Ramiz Alisë lirimin e të gjithë të dënuarve politikë që vuanin dënimin në burgun e Spaçit. Po të mos ishte kjo ndërhyrje, nënvizon ai, “ju sot do të më njihnit si i riu 19 vjeçar që u pushkatua se rrëzoi në Shkodër bustin e Enver Hoxhës dhe Qemal Lamen si njeriun që thjesht po bënte detyrën”.

Në asnjë diktaturë të egër komuniste apo naziste, ku është rrëzuar regjimi, bartësit e sistemit nuk kanë kaluar kaq lehtë sa në Shqipëri. Në këtë vend torturuesit kanë shpëtuar pa asnjë ngacmim nga ligji. Sepse në Shqipëri s’ka drejtësi. Andaj persona si Qemal Lame dalin dhe flasin lirisht në televizion. Tregojnë “të vërtetën” e tyre, e cila tingëllon si gënjeshtër. Në një vend dhe në një shoqëri ku triumfon gënjeshtra, aty triumfon edhe torturuesi mbi viktimën. Madje edhe 30 vjet pas rënies së komunizmit.

Në Tiranë (apo në Shkodër) nuk ka një prokuror që sonte e thërret Sokol Drrasatin, i merr një deklaratë dhe fillon hetimet kundër Qemal Lames. Pastaj ky prokuror ulet dhe shkruan një aktakuzë. Mandej gjykata kërkon nga Gjermania ekstradimin e të dyshuarit për krime. Dhe në një ditë të bukur vere apo dimri fillon procesi gjyqësor. Në një vend normal. Sikur Shqipëria të ishte vend normal sa i përket ballafaqimit juridik dhe moral me të kaluarën.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

3 × three =