Në Maqedoni çdo gjë është e përkohshme, përpos antishqiptarisë!

Në Maqedoni çdo gjë ngjanë si e përkohshme, përfshi edhe shtetin me histori ‘të arnuar’ e me të ardhme të paqartë. Por në këtë vend ka diçka që mbetet e pandryshueshme dhe e përhershme – antishqiptaria.
Dhe sado që tingëllon perverse edhe e pakuptimtë, këtë antishqiptari e kanë mirëmbajtur dhe ushqyer edhe partitë shqiptare, me në krye BDI-në, të cilat, për të mbetur në pushtet, shtireshin se nuk e shihnin dhunën policore mbi protestuesit shqiptarë dhe kujdesin që ajo tregonte ndaj huliganëve maqedonas, si për shembull ndaj atyre që i dogjën pronat shqiptare në lagjen Gjorçe Petrov, apo që sulmuan e dhunuan familjet shqiptare në Nerez të Shkupit.
Pastaj BDI-ja është ajo që mbajti në këmbë thuajse një dekadë të tërë regjimin më antishqiptarë që ndonjëherë ka pasur Maqedonia –atë të VMRO-DPMNE’së – madje edhe duke inskenuar protestat të rrejshme, si për shembull ato kundër ndërtimit të kishës te Kalaja e Shkupit.
Se cili është kontributi i BDI-së në ‘mirëmbajtjen’ e antishqiptarisë maqedonase më së miri shpjegon qëndrimi i kësaj partie ndaj Enciklopedisë maqedonase që fyente popullin shqiptar, ndaj likuidimit të Harun Aliut me shokët e tij, ndaj rastit ‘Monstra’, ngjarjeve të Kumanovës, ndaj rrahjes së nxënësve shqiptarë si dhe, ndaj ndeshjeve të futbollit ku maqedonasit humbnin nga serbet, e i shanin shqiptarët.
Andaj sa të vjen të vjellësh, po aq edhe të besosh, kur i dëgjon qeveritarët e tanishëm të BDI-së të tregojnë se kush janë ata që sot inskenojnë konflikte ndëretnike. Të vjen të vjellës pse janë po ata që e mirëmbajtën antishqiptarinë maqedonase, e duhet t’u besosh sepse janë të njëjtit që deri dje inskenonin protesta të rrejshme vetëm për ta mbuluar vasalizmin e vet ndaj regjimin antishqiptar të VMRO-DPMNE’së.
Po pra, në Maqedoni çdo gjë ndryshon dhe është e përkohshme, përfshi edhe vetë shtetin, por ajo që mbetet e përhershme është antishqiptaria si dhe ëndrra maqedonase për një Maqedoni pa shqiptarët në të. (Kim Mehmeti

Leave a Reply

Your email address will not be published.

thirteen + thirteen =