Vëllai i Monika Kryemadhit, mbi 50 mln lek për një ditë pune

Nga analiza të ftohta që i janë bërë rritjes elektorale të LSI-së, që kulmoi në 2017-n me 20 mandate, ‘suksesi’ i faturohet strategjisë së përdorur nga Ilir Meta, ku nga 2009-ta deri në 2013-n në koalicion me Sali Berishën mori nën drejtim ministritë e tenderave.

Pas 2013-s, strategjia ndryshoi dhe LSI mori copa të majme në administratë. Mes koncesioneve e tenderave që u dhanë në bashkëqeverisje me Berishën, ishte edhe kolaudimi. Procedurat për koncesionin kishin nisur para se të ngjizej koalicioni Berisha-Meta. Por, ai u përmbyll në dhjetor të 2010-s pak më shumë se një vit nga formimi i këtij koalicioni. Kompania u regjistrua në Shqipëri 11 ditë pasi firmosi kontratën, me kapital zyrtar 100 lekë.

Mes atyre që u rehatuan në koncesionin e ri ishte edhe vëllai i Monika Kryemadhit, Drini. Ai ka nisur punë pranë SGS-së në fund të 2013-s dhe deri në 2020 është paguar me rreth 4 mln lek të vjetra rrogë mujore. Përveç kësaj, në largim në 2020 merr edhe një bonus prej 30 mln lekësh, megjithëse pozicioni ishte thjesht inxhinier mekanik.

Përveç emrit në borderotë e kompanisë dhe të mbiemrit të të motrës deputete e më pas kryetare të LSI-së, Drini Kryemadhin askush nuk e ka parë në punë. Zyrtarisht është e vështirë që të zbulohen paraqitjet e tij në ambientet e kolaudimit, por jozyrtarisht denoncojnë se në 7 vite në punë ai është shfaqur vetëm një javë në total.

Megjithatë, në total Drini Kryemadhi ka marrë pa u paraqitur thuajse fare në punë, nga koncesionari SGS që kontrollohej nga Ministria e Transporteve (LSI pas 2013-s) plot 36,044,594 lek të reja për periudhën nëntor 2013-dhjetor 2020! Pra, për 7 ditë punë në 7 vite punësim, vëllai i Monika Kryemadhit ka marrë 360 mln lek të vjetra, ose rreth 52 mln lek të vjetra në ditë. Kësaj shifre i shtohet edhe bonusi 30 mln lekësh kur u largua.

SGS-së i interesonte ky punësim, pasi me rrogën e Drinit kishte hequr qafe kontrollet nga Ministria e Transporteve, ku zv.ministër në atë kohë ishte Edmond Haxhinasto. Të gjithë fitonin! Kompania shkelte kontratën, nuk kryente investimet e parashikuara dhe ishte kthyer në çerdhe korrupsioni, ku automjetet kalonin kontrollin teknik me 20 mijë lek nën dorë. Fitonte gjithashtu edhe Drini Kryemadhi dhe të vetmit që humbisnin ishin shqiptarët, që mbajtën në kurriz një koncesion të dyshimte për një dekadë.(Voxnews.al)

Leave a Reply

Your email address will not be published.

eight + 4 =