Lajçak: Marrëveshje të reja mes Kosovës dhe Serbisë janë në prag të finalizimit

I Dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se shpreson se shumë shpejt do të ketë një marrëveshje për personat e pagjetur.

“Sa i përket personave të zhdukur normalisht që është çështje urgjente dhe shumë çështje e ndjeshme dhe e rëndësishme. Ajo çka jemi duke punuar është që t’i japim mbikëqyrje politike dhe ta përshpejtojmë punën e grupeve punuese. Fatet njerëzore të 1621 nuk janë ende të qarta dhe nuk duhet të ndalemi derisa të zbulohen të gjithë të zhdukurit. Ky është prioritet i imi personal dhe po shpresoj se do të miratohen dokumentet me të cilat po punoj shumë shpejt”.

Ai tha se të dy palët mund të kenë qëndrime të ndryshme për këtë çështje, por duhet një gatishmëri politike që të arrihet kjo marrëveshje.

“Sa i përket të zhdukurve nuk do të komentoj publikisht negociatat që ende janë në vazhdim e sipër. Të dy palët paraqesin këndvështrimet e tyre dhe në fund ka të bëjë me gatishmërinë politike dhe po i shfrytëzoj takimet e mia këtu, dhe ato që do t’i kem në Beograd, që të gjenerohet kjo gatishmëri politike”.

Ai, në konferencën për media që e mbajti para largimit nga Kosova, lavdëroi marrëveshjen për energjinë, derisa paralajmëroi se po punohet për disa marrëveshje të reja.

“Kryenegociatorët e dialogut janë produktivë dhe dëshmia më e mirë është marrëveshja për energjinë të cilën e kemi negociuar që nga muaji nëntor i vitit të kaluar. Kemi një rezultat i cili me të vërtetë është mjaft substancial. Kemi edhe disa dokumente të tjera në faza të avancuara para finalizimit, por ajo që na nevojitet tani është vendimi i nivelit politik. Ekspertët rregullisht takohen dhe kemi ndërtuar një mekanizëm të mirë”.

Lajçak foli edhe për marrëveshjen për targat duke thënë se ende ka shpresë që të arrihet një gjë e tillë.

“Sa i përket targave kemi pasë grupin punues i cili për gjashtë muaj është takuar tetë herë që kanë prodhuar një numër të mundësive, mirëpo nuk janë pajtuar për një rekomandim. Delegacioni kosovar ka dhënë propozime të tjera derisa delegacioni serb të tjera, por ende mund ta gjejmë marrëveshjen politike në këtë drejtim. Duhet ta vlerësojmë secilën marrëveshje që e arrijmë, dhe jo vetëm të kritikojmë ato që nuk janë arritur”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

thirteen − 13 =