Natyra e përveçme në çdo pëllëmbë të saj

Aleksander Cipa
Sikur të mbeteshin dhe të printoheshin prej syve, të gjitha fotografimet që sytë u bëjnë peizazheve të natyrës?!
Po kjo është e pamundur. Dhe, sikundër ndodh me të pamundshmet, ato humbasin duke qenë hise e tërëjetshme e natyrës.
Ne nuk kemi mundësinë t’i mbartim në mënyrë të dukshme dhe të tregueshme përmes syve tanë ato të milionta fotografi. Sepse përmes syve tanë, ato duken më bukur dhe çmohen më shumë.
Po sikur njerëzia të kishte mundësinë të shkëmbente versionin vetiak të fotografimit të natyrës sy më sy e, nga sytë tek sytë?!
Edhe kjo është e pamundur. Për të pamundshmen njeriu flet më shpesh kur ndodhet para natyrës dhe përballet me shtytimin meditues prej saj.
Natyra është tërheqëse me gjithë pushtetësinë e vet, sikur zotëron bashkësi gravitetesh në një kah. Por ne për ta fituar e zotëruar shijen tonë mbi të, e për të, të vetmen mundësi kemi sytë. Vetëm sytë na mundësojnë të trashëgojmë përmes teknologjisë së fotografimit të mbetur, imazhet unike dhe peizazhet magjike të natyrës sonë.
Ky cikël fotografish janë shkrepje të pak çastshme nëpër rrugën që bashkon Odrien me fushën e Çajupit.
Një lartësi të cilën e ka stolisur parajshëm stina në këtë natyrë. Unë i fiksova falë marrëveshjes së syve me mundësinë fotografuese të telefonit dhe tashmë lehtësisht po ia dal ta ndaj këtë shijim ndër njerëzi. Madje edhe ky akt i lehtësishëm, mbart një shenjtëri fisnikëruese për t’i dhuruar shumëkujt, edhe atij që e ka shumëparë, edhe atyre që ende s’e kanë parë, një vis të trëndelinave ku njeriu bie në sharkun parajsor të ngjyrave të visit, duke u bërë nga natyra shpirt e sybukur.
Zotësinë e zotshme të shikimit shton në shpirt të njeriut kalimi në këto vise. Zhgënjehesh bukurisht se je i pari dhe mbart magjikisht (si vetëm ti), atë që mot do të jetë edhe më e magjishme.
Në Çajup, tek natyra dhe për shkak të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

17 − six =