Editorial/ Na duhet ndërgjegjia formale

Aleksandër Çipa

Kriza e sotme e shoqërisë shqiptare ka krijuar shumë shtresa, mjaft derivate dhe imazh të plotë të një sistemi informal. Eshtë dimensiopnuar frikshëm si krizë me disa seksione krizash. Por rrënja dhe thelbi substancial i shtimit dhe përmasimit të mëtejshëm të saj është e lidhur me ndërgjegjen tonë shoqërore, me atë të elitës pa elitaritet, me uzurpimin korruptiv të saj, me molepsjet e të ashtuquajturës kohë të tranzicionit dhe me shembjen e shtyllave më të qenësishme të cilat përcaktojnë degradimin apo vijimin e rënimit tonë moral. Kriza shumëplanëshe e shoqërisë sonë është e lidhur me arsyen dhe problemin themelor: krizën e mungesës dhe zhbërjes së ndërgjegjes formale.

Ne kemi jetuar përgjatë tri dekadave nën sundimin dhe shtimin e frymës së ndërgjegjes informale. Në biznes, në politikë, diplomacy, në kulturë, në  arsim e edukim, në turizëm, në media, në  biznes, në sipërmarrje, në krejt veprimtaritë që janë shprehje dhe pamje kaq dramatike e të ashtuquajturit kapitalizëm tranzicionist shqiptar.

 Ky informalitet që ka marrë fuqinë dhe realitetin sundues, duke krijuar tashmë edhe ndërgjegjen edhe sistemin kanceroz të tij, përbën mekanizmin e pengimit dhe atë të mbetjes në një stanjacion atipik shoqëror dhe politiko-institucional. Ky sistem i instaluar plotësisht, falë tolerancës së papërgjegjshmërisë, na ka shkaktuar një kosto të pamatshme, të papeshueshme  të cilat nuk dihet se deri në ç’kohë të ardhme, do të na ndëshkojnë dhe do të na pengojnë.

Të gjithë aktorët politikë dhe shoqërorë, të gjithë protagonistët vendim-marrës dhe ata që kanë dominuar skenën tonë publike, në asnjë rast dhe në asnjë nismë, nuk e risjellin këtë detyrim reflektues dhe nismë konceptuale. Askush nuk e ofron një platformë kaq jetike dhe askush nuk ofrohet tek kjo nevojë: Se si ndërgjegjen informale të rrënjosur, ta godasin me programin dhe një strukturë krejt të re formalizimi. (!) Palët e partitokracisë dhe aktorët urdhrues të tyre diabolikisht nuk qasen tek marrëveshja dhe konsesusi për këtë platformë.

 Absurde kjo që pretendojmë?! Jo! Absurde për logjikën në këtë absurditet ku na kanë zhytur. Arkitektët e informalitetit nuk mund të bëhen themelues të formalitetit. Hipokrizisht ata përgatiten për protagonizëm të ri. Vetëm në këtë mënyrë bëhen garantues të vendqëndrimit dhe statusquosë së tyre si sundues. Rotacioni në këto kushte nuk është i tillë, por vetëm një alibi për qëndrimin në vend dhe ecjen retrograde, domethënë pas. Ndërrojnë vendet për të mos ndryshuar realitetin. Të njëjtët që pretendojnë të rikthehen si të rinj, të njëjtët kohëkonsumuar që lartohen si të pamposhtur, duke injoruar plotësisht brendinë njerëzore dhe ndërgjegjen publike. Ia dalin të ndryshojnë fasadat, por pa u kujdesur për njeriun.

Groposja  parësisht e infrastrukturës së investuar apo rrënjosur,e sistemit  të informalitetit është fillesa për sistemin e ri të ndërgjegjes formale. Shoqëria duhet të hyjë në këtë kohë dhe sistem të paqenë. Kjo është platformë e zgjidhjes së nevojës më të shpejtë, ky është megaprojekti më i domosdoshëm i tejkalimit të fatalitetit depresiv aktual, në të cilin është i mbërthyer dhe ka rënë sa kohë, shoqëria shqiptare. Kjo është mundësia dhe rruga e vetme  e braktisjes së hipokrizisë me fuqi dhe në fuqi, të aktorëve që investohen me çdo formë dhe mënyrë për të ruajtur statusquonë dhe për të mbajtur Shqipërinë të pabërë dhe të paplotë.

Kush e ofron këtë program, këtë projekt për ndërgjegjen tonë kolektive, shoqërore, kombëtare dhe përditshmërisht publike, mund të konsiderohet reformatori i munguar që sidoqoftë, vjen i vonuar në kohën e shpresës së rënuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

five × 3 =