Sali Berisha zhvilloi homazhe në nder të ish-presidentit Bujar Nishani, i ndarë nga jeta disa ditë më parë për shkak të një sëmundjeje.
Në një deklaratë për mediat pasi doli nga ambientet e Presidencës ku është vendosur trupi i pajetë i ish-kreut të shtetit, Berisha vlerësoi kontributin e çmuar të Nishanit në krye të shtetit, ndërsa theksoi se ai kishte qenë një nga bashkëpunëtorët dhe miqtë e tij më të mirë.
“Bujar Nishani në dekada ka qenë një nga bashkëpunëtorët e mi më të çmuar, me të cilin më lidhi jo vetëm bashkëpunimi, por edhe një miqësi e përsosur që nuk njohu ndonjëherë asnjë lloj rënieje. Përkundrazi erdhi gjithnjë në forcim.
Kujtimet për Bujar Nishanin janë të shumta dhe ai sot fizikisht nuk është midis nesh. Por e vërteta është që shpirtërisht ai është i gjallë, përjetësisht i gjallë në memorien time dhe të gjithë atyre që patën fatin e madh ta njohin atë si mik dhe bashkëpunëtor”, tha Berisha.
Nishani ndërroi jetë në moshën 56-vjeçare si pasojë e komplikimeve shëndetësore. Pak ditë më parë ai u nis drejt Gjermanisë për t’u kuruar nga një sëmundje e mushkërive, të cilën ia përkeqësoi COVID-19, por nuk ia doli të mbijetojë.
Nishani fillimisht mori ndihmën mjekësore në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ dhe pas rëndimit të gjendjes shëndetësore, u dërgua në Gjermani.
Bujar Nishani ushtroi detyrën e Presidentit të Shqipërisë nga 24 korriku i vitit 2012 deri në 24 korrik të vitit 2017.
Ai ka mbajtur edhe poste të rëndësishme në qeveri, si ministër i Brendshëm dhe ministër i Drejtësisë.
Të enjten në orën 10:00 do të mbahen homazhe në Pallatin e Kongreseve, në nderim të ish-Presidentit të Republikës, Bujar Nishani.