Presidentja e Parlamentit Europian: Shqipërisë i detyrohemi përgjigje të qarta për anëtarësimin

“Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, i detyrohemi përgjigje të vërteta për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”.

Këtë mendim e ka ndarë presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, në një takim të veçantë të Këshillit të Evropës, së bashku me liderët e vendeve të unionit.

Sipas Metsolës, procesi i anëtarësimit ose marrja e statusit si vend kandidat, janë procese rrënjësisht ndryshuese për vendet në zhvillim.

Si shembull – pavarësisht faktit se po i drejtohet situatës së fundit të krijuar në Ukrainë pas agresionit rus me nisje më 24 shkurt 2022 – ajo solli shembujt e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Statusi i vendit kandidat”, nënvizoi kryeparlamentarja evropiane, “ka një aftësi për t’i ndryshuar rrënjësisht vendet dhe këtë e kemi parë me vende, të cilat janë të pranishme tashmë në këtë tryezë”, iu foli ajo duke u drejtuar për nga vendet e Evropës Lindore, të cilat bëjnë pjesë në bashkësinë evropiane.

Mirëpo në vëmendje, ajo solli edhe shembullin e Ballkanit Perëndimor me Tiranën dhe Shkupin. Por, përtej fjalëve pozitive që tha për ndryshimin e mirë që është bërë në dy vendet ballkanike pas marrjes së statusit, ajo theksoi edhe se BE-ja, i detyrohet tashmë përgjigje konkrete këtyre vendeve.

Prej shumë kohësh, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin që negociatat me Bashkimin Evropian të hapen zyrtarisht dhe të nisin kapitujt e anëtarësimit.

Mirëpo, fillimisht për shkak të mos qenies gati të Tiranës e më pas për shkak të një vetoje të Bullgarisë ndaj Shkupit (e cila bllokon edhe Shqipërinë), nuk është bërë e mundur mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare e dy vendeve.

Ndaj, mbi këtë premisë, Metsola theksoi rëndësinë e hapave konkretë për t’u ndjekur. Në të kundërt, sytë e këtyre vendeve (përfshi Ukrainën), mund të kthehen gjetkë.

Sigurisht që me gjetkë, kryeparlamentarja i referohet vendeve si Rusia apo Kina, të cilat historikisht kanë kërkuar të vendosin rrënjë në Ballkanin Perëndimor.

Për këtë shkak, nën moton e një BE-je që është kthyer në flamurmbajtëse të demokracisë në botë, Metsola i bëri thirrje anëtarëve të marrin më seriozisht sfidat dhe të bashkohen për ta bërë Evropën më të fortë, në një kohë kur Rusia po i kundërvihet gjithë Perëndimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

seventeen + eleven =