Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka shprehur ngushëllime për vdekjen e ish-presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani.
Ai në një postim në Twitter ka shkruar se kontributi i Nishanit për marrëdhëniet Shqipëri-SHBA do të jenë trashëgimia e tij.
“Ndajmë dhimbjen e popullit shqiptar për ndarjen nga jeta të ish-presidentit Bujar Nishani. Kontributet e tij në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe partneriteti ynë i qëndrueshëm do të lënë një trashëgimi të qëndrueshme”, ka shkruar Blinken.
Nishani ka ndërruar jetë më 28 maj, nga komplikimet shëndetësore si pasojë e betejës me COVID. Ai ishte 56-vjeç.
Ai u zgjodh president i Shqipërisë në vitin 2012 dhe shërbeu në këtë pozitë deri më 2017. Ishte avokues për njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe të përfshirjes së saj në nismat rajonale.