U bënë tashmë katërmbëdhjetë vjet që sezonet verore në Vlorë nisin dhe gjallërohen edhe me Festivalet e folkut të “Aulona Inter Folk Fest”.
Festival, i cili përveçëse traditë është kthyer edhe në atmosferë, entuziazëm e gjallëri në qytet, shkëmbim vlerash kulturore pse jo edhe një event e promocion i rëndësishëm publicitar për turizmin tonë.
Të flasësh e shkruash për suksesin e një festivali të tillë ndoshta është gjëja më e thjeshtë, pasi folku në vetvete mbart dhe sjell kudo që shkon bukurinë e artit bio, artistët e mjeshtrat e papërsërtshëm popullorë me talentin, energjinë, emocionet e vlerat e mëdha, por të flasësh për këtë organizim të stërmundimshëm është tjetër gjë !
Është padiskutim një sipërmarrje e madhe organizative që nis, po thuaj, menjëherë sapo mbaron festivali që lihet pas…!
Ankthi i festivalit pasardhës fillon kur mbyllet suksesi i të fundit !
Sejmen Gjokoli është drejtuesi i këtij organizimi gjigand, punët e tij kanë filluar me kohë, me kontaktet e vazhdueshme nëpër botë, përzgjedhjet e grupeve, qindra telefonatat me homologë, drejtues grupesh, burokracitë e pafundme shkresurinash, sigurish, lejesh, shkëmbime video promosh, konfirmimesh.
Pastaj paraqitje projektesh, kërkime pafund donacionesh, sponsorash, mbështetësish financiarë, institucionalë, mediash, lejesh, për të arritur në pjesën e rëndësishme të realizimit artistik, teknik, llogjistik, akomodues, gastro-turistik, guidues, shoqërues, performues, protokolar deri tek shfaqjet artistike të qindra pjesëmarrësve në tre netët që ne shikojmë në skenë…!!!
Prapa skenës gjigande të Aulona Inter Fest 2022, ne i pamë nën ethet e bukura të organizimit, stafin e palodhur të Sejmenit gjatë punës per mbarëvajtjen e këtij eventi…!
Sot është nata finale, dhe suksesi është më se i merituar…!




