Njerëz të mirë ka, është e pamujtun me gjet njerëz të drejtë!

Sot doli që emigrimi asht faji i shkatërrimit të shoqnisë shqiptare, dhe emigrantat paskan faj edhe për kurvat e katundit, se për ato të Kotorrit dihet ajo.
E kemi zakon me ngatërrue shkakun me pasojën. Ndoshta emigrimi asht pasoja e shkatërrimit. Dhe pa ndoshta, ajo Shqipni që mbijeton, mbijeton falë emigrimit, në akt kjoftë a në potencë. Emigrimi ka qenë gjaja e dytë ma e mirë që kemi ba mbas rrëzimit të komunizmit. Dhe emigrimi asht i vetmi që vazhdon ta rrzojë komunizmin, ta pamundësojë atë.
Besoj se mund të flas dy fjalë, meqë kam jetue gjithmonë jashtë, pa kenë kurr emigrant. Kam pra privilegjin e të kenit vetja në ktë botë të skizmueme.
S’kam kenë kurr emigrant se për mue bota ka kenë gjithmonë e vogël, dhe kjo e sotmja mandej, s’ekziston hiç.
Mendoj kah ana tjetër se jemi vend krejt kot, dhe gabohen randë ata që e marrin seriozisht Shqipninë e sotme. Ata janë emigranta, edhe n’mos paçin dalë kurr prej lagjes.
Kah ana tjetër jemi nji vend ku të vdes shpirti. Metaforë e randë e di. Por un pyes shpesh kur shkoj në Shqipni: si e mbani shpirtin gjallë?
Dikush ka zbulue malin dhe ashtu e mban shpirtin gjallë. Dikush ka zbulue se e shoqja ia dredh dhe mundohet me e kthye kah vetja me dhurata, me e bindë se familja asht mbi shtratin, se ndera asht mbi menderen. Dikush, dhe janë ba shum, pin drogë; dhe droga asht ba ushqim fshati se nuk dinë as s’duen ma me mjelë dhentë e me mbledhë të mirat që na ka falë Zoti. Tjerakush, kurvëron. Dhe kto janë shumica e madhe. Kurvërojnë me e mbajtë shpirtin gjallë.
Sa kurva më silleshin nëpër kokrra në Tiranë dhe sot kanë ba karrierë politike? Më vjen keq vetëm pse nuk i hodha në Lanë, kur i kisha ato aty dhe Lanën aty. They fucked their way up to Sunny Hill. Ani, punë për to.
Raporti i rezidentave me emigrantat asht shum i keq. Ka mbrendë shum keqbesim, shum përfitim, shum zili. Kur na vijnë ne dalim në tre të natës me i marrë, kur shkojmë ne n’Shqipni na bajnë pordhë në 11 paradite. Neve që punojmë 7/7 na bajnë sikur s’kanë kohë ata që e pinë kafen e mjesit në 5 mbasdite. Por nejse.
Nuk asht gabim, me çue pare buket në Shqipni. Kjo asht zekat. Asht gabim me ndërtue vila atje. Gabim me ble apartamentet e pallateve të drogës. Gabim me ble vende pune. Emigrimi ka vetëm nji faj, që ndihmon me mbajtë në kambë makinerinë e korrupsionit.
Nji mik mandej, thotë kthehuni, se ktu kushton pilafi 70 lek.
Po pra, po aq kushton edhe jeta!
Njerz të mirë ka pa numër në Shqipninë tonë, por asht thuejse e pamujtun me gjetë njerz të drejtë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

1 + 17 =