Nga Sebastian Zonja
Ish-sekretari amerikan i Shtetit Henry Kissinger, dhe një nga figurat më të njohura të diplomacisë botërore, bëri një propozim këtë javë për t’i dhënë zgjidhje luftës në Ukrainë.
Nga forumi i Davosit, diplomati 98-vjeçar, sugjeroi se Ukraina duhet të ulet brenda muajve të ardhshëm në bisedime me Rusinë dhe të marrë në konsideratë edhe lëshime territorial në Lindje.
“Negociatat duhet të fillojnë në dy muajt e ardhshëm, përpara se të shkojmë drejt trazirave dhe tensioneve që nuk do të kapërcehen lehtë. Vazhdimi i luftës përtej kësaj pike nuk do të ketë më lidhje me lirinë e Ukrainës, por do të jetë një luftë e re, kundër vetë Rusisë”, tha diplomati amerikan.
Sugjerimi i veteranit të diplomacisë që bisedimet e paqes të nisin brenda dy muajsh, ku të mos përjashtohet edhe lëshimi territorial në Lindje, ka marrë përgjigje të menjëhershme nga presidenti ukrainas Zelensky.
Përgjigjja e tij ishte e ashpër, teksa e cilësoi Kissingerin si relike të së shkuarës, duke hequr paralele mes vitit 2022 dhe vitit 1938.
“Kalendari i Kissingerit nuk është për 2022-shin, por për 1938-ën”—tha Zelensky, duke iu referuar marrëveshjes së Mynihut, e cila u nënshkrua nga Britania, Franca, Italia dhe Gjermania në 1938-ën, dhe i hapi rrugën Gjermanisë naziste për të aneksuar territorin perëndimor të Çekosllovakisë.
“Çfarëdo që të bëjë shteti rus, gjithmonë do ta gjeni dikë që thotë ‘Le të marrim parasysh interesat e tij. Kemi përshtypjen se zoti Kissinger… mendon se nuk po flet me një audiencë në Davos, por në Mynihun e ’38-ës” vijoi më tej presidenti.
Henry Kissinger është një nga diplomatët që i përket shkollës realiste të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe me ndihmën e tij e të administratës Nixon u bë e mundur që Kina dhe Bashkimi Sovjetik të ndaheshin në kampin komunist, duke sjellë më vonë edhe rrëzimin e perandorisë kriminale komuniste.
Kundrejt parashtrimit që ai bëri, ajo që më tërhoqi vëmendjen është problemi që ai parashtroi – po qe se nuk ka bisedime brenda dy muajsh, do të shkojmë nga lufta për lirinë e Ukrainës në një luftë të re, atë me Rusinë.
Përfaqësues tjetër i spikatur i shkollës realiste të marrëdhënieve ndërkombëtare është edhe John Mersheimer. Që të dy janë anatemuar për sugjerimet dhe këndvështrimet e tyre sa i përket situatës në Ukrainë. Shkollat e marrëdhënieve ndërkombëtare janë të shumta, ku po përmendim:
-Realizmi Klasik dhe Neorealizmi
-Idealizmi dhe Neoliberalizmi
-Shkolla Angleze
-Konstruktivizmi
-Marxistët dhe Neo-Marxistët
-Teoritë Feministe
-Post-Strukturalizmi
-Post-Kolonializmi
Përkundrejt akademikëve që zgjedhin se cilës shkollë t’i përkasin, më së shumti vërejmë se Fuqitë e Mëdha kanë shekuj që bëjnë politika të balancimit të fuqisë, ku disa studiues e quajnë edhe balancimi i frikës, teksa vende të vogla si i yni nuk kanë këllqe për këto politika, ndaj i bashkëngjiten më të fortëve. Vende të vegjël si joni ndjekin më së shumti traditën e Idealizmit apo të Neoliberalizmit, ndaj edhe i përmbahemi parimit se vendet duhet të jenë të lirë ta zgjedhin vetë të ardhmen e tyre. Kësaj premise nuk i përmbahet edhe aq realizmi klasik apo neorealizmi. Por, siç e thamë edhe më herët, në lojën e madhe, vendet e vogla janë gurë shahu më tepër.
Amerika, Kina, Rusia, BE-ja apo India kanë rrotull tyre edhe vende që bëjnë tifozeri për to.
Rendi që ne i përkasim është liberal amerikan. Ne jemi pjesë e këtij rendi dhe nuk duam që të ndryshohet nga Kina apo Rusia. Deri më tani, me anë të këtij rendi, kemi arrtitur të rrëzojmë diktaturën, por pa ndërtuar demokraci dhe institucione funksionale, sepse emrat e ’90-ës që shërbyen nën komunizëm ndërtuan edhe proceset demokratike. Pra, pluralizmi u pa si vijim i pandarë i politikës komuniste. Nuk pati kapërcim politik, thjesht një “revolucion social” se s’kishte më bukë. Të drejtat politike kemi filluar t’i kërkojmë vonë.
Ngjan se interesi liberal amerikan sot në Ballkan është që të ndërtojë premisat për ndryshime politike, mos ta lërë moçalishte të autokracive, me të njëjtët emra tash e 30 vjet. Ka gjasë se qarkullimi i elitave politike do të sjellë vështirësi më të madhe në depërtimin e influencave ruse.
Beteja do të zgjasë edhe disa vjet. Por për elitat e sotme politike kjo është një luftë me mullinjtë e erës, sepse gjithë rinia është shkolluar në Perëndim dhe nuk ka sy për Qabe që të orientohet kah Lindja e Mesme apo e Largët.
Disa aktorë politikë në vend vetëm sa e plehëruan pakëz terrenin e opinionit publik, sepse remineshencat e kuadrove në politikë dhe në administratë janë më së shumti nga kultura politike komuniste moskovite. Antiamerikanizmi, i veshur me një tis të ruajtjes së sovranitetit, është thjesht një shkëndijë e mentalitetit të shumicës së një brezi që s’e kap dot fuqinë e demokracisë.
Jo për faj të tyre, sa për faj të sistemit që u rritën. Ka shumë që kanë dal nga ky qerthull, sepse gjëja më e vështirë që mund të pranosh te vetja është se 50 vjet komunizëm të bën për budalla. Mençuria e shumë intelektualëve është se e kanë kuptuar dhe kanë ndërmarrë hapa për të shkuar më tej në zgjerimin e horizonteve të veta politike dhe kulturore. Të qenit demokrat është së pari kulturë, çështje e traditës familjare, pastaj edhe e leximeve.
Në një krah kemi ata që s’e kanë problem që autokracia ka veshur sot ideologjinë e sovranizmit, e në krahun tjetër kemi ata që thonë se ka korrupsion nëpër botë, gjithandej, dhe për këtë bëhen edhe filma.
Beteja duket e humbur. Ka një pakicë që do demokracinë dhe beson se qytetarët dinë të zgjedhin. Nën zë edhe ta justifikojnë vjedhjen e votave të Berishës e Ramës – hajd se ky popull kështu e do, është budall. Janë po këta që ankohen pastaj pse punët shkojnë keq. Tip skizofrenie.
Kundërsulmi i skizofrenëve është i fortë ndaj ndonjë ndryshimi. Flukset e parave për të ndejtur në status-quo janë shumë të mëdha. Njëra pjesë e analistëve janë angazhuar për të sharë pjesën tjetër, ndaj synimi është që thjesht të mbahet gjallë debati, por pa dalë në ndonjë përfundim.
Edhe më herët kemi pasur një pjesë e gjerë qytetarësh që nuk donte ndryshime nën komunizëm. Ishin mësuar me atë sistem. Janë ata që sot të thonë se atëherë mjaft të mos flisje, dhe gjithçka shkonte vaj. Më së shumti, këta janë automate që përshtaten me çdo sistem. Halli çfarë s’të bën, por nuk justifikohet krimi.
Edhe sot, po ta shohim, ka shumë që janë të frikësuar po qe se ka ndryshime në politikë. Duket sikur kemi ngjashmëri me shumë vende aziatike pro kineze, apo shumë vende të të Lindjes së Mesme që janë pro Rusisë, sepse nuk i pëlqen rendi liberal amerikan. Këto vende janë më afër Rusisë apo Kinës me diktaturat dhe autokracitë që kanë, se ç’janë me Amerikën.
Rendi që po jetojmë po ndryshon përditë. Financat, media, teknologjia… janë në ndryshim me galop. Epoka që ishim ka marrë fund. Jemi në agun e një të reje. Ose do t’i kthehemi një status quoje që kemi pasur për dekada, ose do të ndërtojmë një rend të ri.
Është më mirë që t’i përkasim atij rendi ku vendosin qytetarët, jo hajnat. Llogaritë e mëdha do t’i bëjnë vendet e mëdha me bomba atomike, por ne kemi zgjedhur që të ndërtojmë institucione dhe demokraci, ndaj edhe i përmbahemi më shumë asaj që thotë Zelensky, se duhet të jemi të lirë ta zgjedhim vetë të ardhmen.