U- 505 (ose – “Një lloj muzeu që mund ta kishim edhe ne!”)

Nga Avis Gjyshja
……….
-Kur avioni im rrotullohej mbi Frankfurt të Gjermanisë, unë kërkoja me sy, për një qytezë apo fermë që nuk e kishja parë kurrë dhe që përveç emrit e drejtimit nuk i dija gjë tjetër. Quhej Bottendorf dhe gjëndej rreth 120 km në verilindje të Frankfurtit. Kishja lexuar se në atë vënd kishte lindur Hans Goebeler (*1), një ish nënujës gjerman i Luftës së Dytë Botërore, efektiv i nëndetëses U-505, librin me kujtime të të cilit, “Steel Boat, Iron Hearts” e kishja në çantën time të udhëtimit të asaj radhe.
Pas Bottendorf, kur avioni u ngrit e mori drejt perëndimit unë mbështeta ballin në xhamin e vogël të dritares dhe pashë drejt brigjeve të veriut. Diku andej, gjëndet Moltenort U-Boat Memorial, një përkujtimore kushtuar tridhjetë e ca mijë nënujsave gjermanë që humbën jetën gjatë dy luftërave të fundit botërore. As atje nuk kam qenë, dhe nga ato pak që kam lexuar, di se ai është një vënd ku dimrit fryjnë e nuk pushojnë erërat e ftohta që vijnë nga arktiku.
Ndërsa mbi Atllantik, trishtimit tim për vëndlindjen e lënë mbrapa dhe nënën e vdekur që sapo e kishja varrosur, ju shtua dhe hija e rëndë e kujtesës së Betejës epike të Atllantikut. Gjatë Luftës së Dytë Botërore u mbytën 36 387 anije, shumica e të cilave nga nëndetëset gjermane U-Boot. Aq të rrezikshme ishin nëndeteset gjermane të asaj kohe, sa vetë Winston Churchill, në kujtimet e tij, do të pohonte, se “e vetmja gjë, që vërtet më trembi mua gjatë luftës ishte rreziku nga U-boots” (*2)
Përpiqem më kot ta largoj mëndjen dhe të mos përfytyroj, se në atë humnerën e panjohur, të ftohtë e pis të zezë poshtë avionit tim, nën trishtimin e erërave dhe të hënave që arratisen nëpër qiej, dergjen shpirtrat e pagojë të qindra mijë të vdekurve të pafajshëm të asaj lufte. Nisur nga një poezi e Rreshpjes për anije thyerët i përfytyroj në fund detet ku i rrëzoi ora e fundit e fatit të tyre, më këmbë e të harruar nga perënditë dhe të gjallët e kësaj bote. Dhe njëlloj si për çdo luftë tjetër, unë e kam të pamundur të dalloj, se cila është diferenca midis fituesve dhe të humburve të asaj lufte….
..Kish kohë që Genci Q. më kish nisur ca fotografi nëndetëseje nga Çikago. Por vetëm verën që shkoi unë pata rast të shkoja në atë qytet dhe të vizitoja Muzeun e Shkencës dhe të Industrisë në të cilin gjëndej e ekspozuar dhe nëndetësja gjermane U-505.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjermanët ndërtuan 1162 nëndetëse nga të cilat 785 u shkatërruan në luftë ndërsa të tjerat u morën si plaçkë lufte ose u vetëshkatërruan me kapitullimin e Gjermanisë. Nga pak gjëra që kishja lexuar, dija se U-505, qe ndërtuar në vitin 1941 në kantierin detar “Deutsche Werft AG” të Hamburgut të Gjermanisë dhe se ishte njëra nga vetëm gjashtë nëndetëset gjermane të kapura “rob” gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në Çikago mësova edhe se ajo ishte e mbijetuara e vetme e tipit IXC. Dhe po atje, bashkë me ca libra të tjerë e suvenire, bleva dhe librin “Steel Boat, Iron Hearts” të Hans Goebeler…
Ka kaluar aq shumë kohë që pas asaj lufte saqë armiqtë janë kthyer në miq kurse nëndetëset e reja janë bërë edhe më të komplikuara se anijet kozmike. Ndërsa nga armatimi, edhe njëra prej tyre del e tepron për të shkatërruar botën mbarë. Të vetmet gjëra, që nuk kanë ndryshuar në këtë botë, janë lloji i njerëzve, vesi i luftërave dhe e shkuara që nuk ndryshon më kurrë. Dhe ndoshta pa kujtimet e Hans Goebeler, edhe e shkuara e nëndetëses U-505, do të kishte ngelur e panjohur për mua…
Kujtimet e Goebeler, janë një copë nga e shkuara -kujtime të një marinari të thjeshtë nëndetësesh që bënte detyrën e që nuk dinte nga politika, nuk priste grada e ngritje në detyrë dhe as nuk ishte anëtar i Partisë Naziste. Si gjithë ata që dinin pak, edhe ai besonte se lufta e Gjermanisë ishte e drejtë dhe ëndërronte për ditën kur anijet gjermane do të pastronin oqeanin nga anijet e urryera armike. Në fillim e mendonin të lehtë, por pastaj me kalimin e kohës, kur u bë e qartë se Gjermania po e humbëte luftën, edhe Goebeler si të tjerët, filloi të mendonte se fati i asaj lufte do të kthehej vetëm nga Wunderwaffe -armët mrekulli- për të cilat sipas propagandës gjermane shkencëtarët nazistë po punonin fort dhe për punë ditësh -që në fakt nuk erdhën kurrë- do të fillonte prodhimi.
…Gjatë gjithë karrierës së saj luftarake, nëndetësja U-505 kishte ndërruar tre komandantë dhe kishte mbytur tetë anije të aleatëve. Më 22 korrik 1942, një incident në dukje i parëndësishëm shënoi fundin e kapitenit të parë të saj Axel Loewe. Me urdhër të tij, nëndetësja U-505 mbyti në brigjet e Amerikës së Jugut një jaht me vela, i cili më vonë doli të ishte pronë e një diplomati kolumbian gjë që bëri që Kolumbia t’i shpallte luftë Gjermanisë. Për shumë, shpallja e luftës nga Kolumbia kundër Gjermanisë, kishte po aq vlerë sa dhe lehja e një qeni kundër hënës. Por megjithatë kjo pruri shkarkimin e Axel Loewe dhe zëvëndësimin e tij me Peter Zschech, një djalosh fati i të cilit perëndoi tragjikisht para perëndimit të ëndërrës gjermane për fitoren e luftës.
Dhe komandanti i tretë e i fundit ishte Harald Lange i cili u kap rob bashkë me nëndetësen..
Kapja e nëndetëses U-505, ndodhi më 4 Qershor 1944, vetëm dy ditë para zbarkimit historik të Normandisë. Ajo u kap atëhere kur dielli i forcave të Boshtit ish ulur në të perënduar. Nuk ishte bërë as viti që nga 24 Tetori i vitit 1943, ditë kur komandanti i saj Peter Zschech kishte vrarë vehten në sy të efektivit. Ishte koha kur pothuaj gjithë brezat e parë dhe optimistë të nënujsave gjermanë e kishin lënë këtë botë, ndërsa lajmet që vinin nga frontet e luftës sa vinte e bëheshin gjithnjë e më dëshpëruese.
…Natën e së ënjtes së 16 marsit 1944, nëndetësja U-505, doli për herë të fundit nga Baza Gjermane e Brestit të Francës dhe mori rrugën për në ujrat e arqipelagut Cape Verde, një rajon që shtrihet rreth 150 milje detare në perëndim të Cape Blanco dhe që në ditët e sotme ndahet midis Republikës Islamike të Mauritanisë dhe Saharasë Perëndimore.
Ndryshe nga tradita e përcjelljeve të mëparshme, atë natë në bankinë ishin vetëm një numur shumë i vogël njerëzish. Nuk kishte bandë muzikore, nuk kishte thirrje dhe as lule si herët e tjera. Shanset për tu kthyer gjallë llogariteshin vetëm rreth 30% dhe shumë prej të pesëdhjetë e nëntë burrave të ekuipazhit pyesnin vehten nëse do të mund ti shihnin përsëri ato brigje që mugëtinin nën qiejt e errët të pranverës franceze.
Me zhvillimet e reja, nëndetëset gjermane nuk ishin më ato mjetet e dikurshme sulmuese që bënin ligjin në det e që nuk e kishin problem të lundronin në sipërfaqe sa herë që të donin. Tani ato ishin shëndërruar në ca mjete të arratisura nënujore që rrallë e për periudha të shkurtra guxonin të shfaqeshin mbi sipërfaqen e detit dhe kjo ndodhte vetëm atëhere kur ata ishin të sigurtë se ishin larg dhe jashtë mundësive vëzhguese e goditëse të armikut.
..Kish kohë që para kësaj periudhe, amerikanët kishin krijuar një grup të veçantë të inteligjencës ultra sekrete të quajtur F-21, detyra e të cilit ishte ndjekja e lëvizjeve të nëndetëseve armike nëpër gjithë ujrat e globit. Zyrat e atij grupi ishin në një ambjent të izoluar në katin e tretë të Komandës Qëndrore të Marinës Amerikane në Washington D.C. Askush nuk e dinte se çfarë bëhej në ato zyra ku rojet e armatosura ndalonin kategorikisht hyrjen e gjithë të tjerëve pavarësisht gradave e detyrave që mund të kishin. Për këtë arsye të gjithë e thërrisnin atë ambjent me emrin “Dhoma sekrete”.
Dhe bashkë me “Dhomën Sekrete” amerikanët kishin organizuar dhe disa grupe anijesh speciale të quajtura “Hunter – Killer” detyrat e të cilëve ishin të ndiqnin dhe asgjësonin nëndetëset e armikut nëpër ujrat e planetit.
Dhe kur “Dhoma sekrete” informoi për prezencën e nëndetëseve gjermane në ujrat e Cape Verdes, detyra për gjetjen dhe asgjësimin e saj ju dha Task Grupit 22.3, i cili komandohej nga Kapiteni Daniel Galeria dhe përbëhej nga aeroplanmbajtësja “USS Guadalcanal (CVE-60)” e shoqëruar dhe me pesë destrojerë të rëndë – rrespektivisht “USS Pillsbury (DE-133)”, “USS Pope (DE-134)”, “USS Flaherty (DE-135)”, “USS Chatelain (DE-149)” dhe “USS Jenks (DE-665)”.
Në dy ekspedita të tjera të mëparshme i njëjti grup kishte arritur të gjente dhe të mbyste dhe tre nëndetëse të tjera gjermane, respektivisht U-544, U-515 dhe U-68.
Menjëherë me marrjen e urdhërit, Task Group-i 22.3, doli nga Baza Detare e Norfolk-ut të Virxhinias dhe u nis për në rajonin e detyrës në të cilin mbërriti aty nga fundi i Majit.
Pas ditë e netë kërkimesh e përgjimesh të pandërprera e intensive, duke përdorur gjurmuesit e frekuencës së lartë HF- DF, mjetet e hidroakustikës dhe kërkimin intensiv ajror e sipërfaqësor, të lodhur e të acaruar dhe me rezervat e karburantit që po uleshin, drejtuesit e TG 22.3, pothuaj i humbën shpresat për gjetjen e nëndetëses armike dhe po bëheshin gati të anullonin kërkimin e mëtejshëm e të merrnin rrugën e kthimit.
Por atëhere kur nuk pritej, më 4 Qershor, në orën 11: 09 të paradites me orën lokale, destrojeri “USS Chatelain” dha sinjalin e alarmit dhe lajmëroi në radio për një kontakt të mundshëm akustik me një objekt të paidentifikuar nënujor i cili po lëvizte në thellësi në një distancë prej afërsisht 800 metra larg anijes..
..Dhe disa sekonda pas kësaj shpërtheu i gjithë ferri.
Një nga avionët ”Wildcat” të aeroplanmbajtëses “Guadalcanal” që po vëzhgonte mbi rajonin ku u kap sinjali akustik e pa imazhin e U-505 dhe qëlloi me breshëri mitralozi në ujë për të shënuar pozicionin e saj ndërsa“Chatelain” që ishte afër U-505, sulmoi menjëherë me një seri mortajash anti-nëndetëse “Hedgehog” dhe një numur bombash thellësie. Menjëherë pas shpërthimit të bombave të thellësisë, piloti lajmëroi në radio se po shihte naftë mbi ujë dhe dukej se nëndetësja po dilte në sipërfaqe….
……………………….
-Në nëndetëse
……………..
Mënyra se si kishin ardhur gjërat, frika dhe pesimizmi për të ardhmen e Gjermanisë dhe jetët e tyre, e kishin bërë jetën e ekuipazhit të nëndetëses akoma edhe më të vështirë se ç’qe normalisht. Kish kohë që megjithë sjelljen pothuaj atërore të komandantit të ri Harald Lange, morali i efektivit vazhdonte të ishte po aq i rënë sa ai i momenteve të vetëvrasjes së Peter Zschech. Lufta i kish lodhur e plakur të gjithë, shakatë dhe të qeshurat kishin ikur prej kohësh dhe dukej se e vetmja gjë i mbante, ishte urrejtja e pashuar për kundërshtarët që po avanconin çdo ditë.
Të gjithë ata që kanë punuar në nëndetëse e dinë se sa ferr, lodhje, monotoni, vapë, lagështi, djersë, presione jo normale ajri, aroma mbytëse acidesh, gjellësh e kimikatesh që rigjenerojnë ajrin- është ajo lloj jete tejet bazike dhe e vështirë.
Rritja e aftësive zbuluese dhe goditëse të armikut, kish bërë, që përveç frikës për t’ju afruar objektivave armike, të kufizoheshin shumë edhe daljet në sipërfaqe, të cilat tani bëheshin vetëm natën e për kohë të shkurtëra. Projekti IXC i nëndetëseve U-Boot, një prej të cilave ishte dhe U-505, nuk ishte i pajisur me sistemin PDN (Punë e Dieselave nën Ujë) dhe për karikimet e baterive që ishin një proces jetik për aktivitetin e nënujshëm, ju duhej patjetër të dilnin në sipërfaqe. Por frika e zbulimit dhe e sulmeve nga ajri, bënin që rrallë të arrinin përfundimin e cikleve të karikimeve të cilat zgjasnin deri në 7 orë pa ndërpreje.
.. Më datën 4 Qershor 1944 paradite, nëndetësja U-505 gjëndej rreth 150 milje detare larg nga brigjet e Saharasë Perëndimore, dhe po lundronte me shpejtësi të vogël në rreth 30 metra thellësi. Përveç njerëzve në detyra, të tjerët heshtnin apo dremisnin në natë monotoni të zymtë që kish ditë që nuk prishej.
..Papritur shërbimi akustik kapi një “zhurmë eliçesh” dhe raportoi për disa anije që po lundronin në të njëjtin rajon me nëndetësen. Të gjithë ata që dëgjuan lëvizën nga vëndet dhe hapën veshët në pritje për më shumë informacion.
Por njëri nga dy hidrofonet e nëndetëses ishte prishur dhe identifikimi ishte i pamundur. Një apo dy minuta më vonë, nga lart filloi të vinte dhe një zhurmë tjetër e çuditëshme të cilën ekuipazhi i nëndetëses po e dëgjonte edhe me vesh gjë që nuk ju kishte ndodhur kurrë ndonjëherë më parë. Zhurma u ndal njëherë, pastaj filloi përsëri dhe të krijonte përshtypjen sikur dikush po tërhiqte zvarrë përgjatë kuvertës së nëndetëses një zinxhir të rëndë metali…
Pavarësisht paqartësisë së zhurmave, e para gjë që erdhi në mëndjen e komandantit Lange në atë çast, ishte se sipër tyre mund të qe një grup anijesh transporti dhe duke e menduar këtë si një shans të madh për detyrat e tij, dha menjëherë alarmin dhe urdhëroi përgatitjen për sulm me silura. Por kur nëndetësja arriti në thellësinë e sulmit dhe Lange vuri syrin në periskop -a thua se qe një gjarpër në lentet e qelqëta – ai kërceu mbrapsh dhe gati duke u rrëzuar, thirri – “Schnelltauchen!” (2*)…
…Mbi ujë nuk kishte anije transporti por një grup destrojerësh amerikanë që kishin rrethuar vëndin ku gjëndej nëndetësja…
Pa e kuptuar se çfarë ishte, të lemerisur nga e papritura e “alarmit të zhytjes së shpejtë” dhe të tromaksur nga terrori i dritave dhe revunëve të alarmit, njerëzit brënda nëndetëses, kërcyen nga vëndet dhe filluan zbatimin e manovrës së rrezikshme që mbase mund të shmangte rrezikun e papritur të atij momenti. U dëgjua një klithmë “Fluten!” e ndërsa njerëzit vraponin të zbatonin urdhërin, u dëgjuan fishkëllima ajri e gurgullima dhe nëndetësja e pjerrësuar në bash, mori poshtë thellësive sikur të ishte një copë gjigande hekuri që po binte pa kontroll në fund të detit.
Por… nuk arriti dot asgjëkundi…
– Buuum!… pastaj një tjetër!… pastaj dhe ca Bum-Bume të tjera…, ndërsa nëndetësja duke u dridhur e kërcitur nxitonte me sa mundëte drejt thellësisë.
Ekuipazhi i njihte ato lloj krismash të mallkuara. Ishin “iriqët”e frikshëm që kishin mbytur sa e sa nëndetëse gjermane, ca lloj predhash anti nëndetëse, që hidheshin nga paisje të ngjashme me katiushat sovjetike, e binin në formë rrethi e me tufa nga njëzet apo më shumë në vëndin ku dyshohej se ishte nëndetësja. Pa mbërritur në pesëdhjetë metra thellësi dhe pa patur kohë të mblidhin vehten, një – Booommm!… i tmerrshëm, bëri që trupi i fortë i nëndetëses të kumbonte tërë dhimbje si të qe e brëndëshmja e një këmbane kishe. Nëndetësja kërceu e u shkund sikur të ulërinte nga dhëmbja, njerëzit dhe gjërat e palidhura fluturuan e u rrëzuan nëpër dyshemetë e lokaleve, ajri u bë si i sertë dhe xixëlliu nga copat e qelqeve të kapakëve të thyer të manometrave.. pastaj shurdhësi.. dhe përsëri Buuuu..m!!!…, pastaj ca të tjera pak më larg, dhe e fundit një – W-h-uuu-m!- që u duk sikur e këputi në mes dhe e përmbysi nëndetësen…
..Dritat u fikën dhe timonat nuk komandoheshin më. Përmes shurdhësisë së pas shpërthimit shpërtheu kori i fishkëllimave të frikëshme të ujit që futej dhe të ajrit që rridhte nga tubat e çarë dhe midis tyre dëgjoheshin dhe zëra që ulërinin e thërrisnin në panik. Llampat e mekta të avarisë dukeshin si kandile varresh ndërsa nga lokalet e kiçit dikush klithte me të madhe për çarje të trupit të fortë dhe të gjithë u mpinë nga lemeria e akullt e vdekjes. Në postin qëndror një marinar kishte mbuluar sytë me duar ndërsa një tjetër qe ulur në dysheme dhe bënte kryq e pëshpëriste lutje biblash…
Komandanti Lange i cili po mbahej pas periskopit për të mos u rrëzuar nuk kishte më fuqi dhe as kohë për tu menduar apo për të pyetur. Tmerri për jetën e tij dhe të ekuipazhit e kishte mpirë edhe atë vetë. Midis panikut që kish mbërthyer efektivin, fishkëllimave të rrjedhjeve të ujit, ajrit e karburantit, dritave të fikura, timonave që nuk punonin e bombardimeve që vazhdonin, Lange, urdhëroi “Dalje Avarije” (*4). Për fat në një nëndetëse gjënden gjithmonë ca njerëz, që pavarësisht stresit e rrethanave, kanë forcën e gjakftohtësinë, të bëjnë gjënë e duhur.
Dhe në çast u dëgjua fishkëllimë e ashpër dhe e mprehtë e ajrit të presionit të lartë që futej nëpër çisterna dhe nëndetësja duke u tundur e pa mundur të mbajë ekuilibrin, filloi të nxitonte drejt sipërfaqes.
Më 11 e 23 minuta, nëndetësja kërceu në sipërfaqe…
Ra, u zhyt prapë, doli prapë… dhe ngeli ashtu gjysëm e zhytur, me kiçin nën ujë dhe bashin e urën e komandimit pak të zbuluara mbi sipërfaqe, mes terrorit të breshërive të armëve armike që gjuanin nga shumë drejtime drejt urës së saj të komandimit.
Ekuipazhi me përjashtime të pakta, kish rrëmbyer mjetet personale të shpëtimit dhe po shtyhej në hapësirën poshtë urës së komandimit. Lange ishte njeriu i parë që nxitoi dhe hapi lugun e sipërm të Kabinës Luftarake, pas tij doli zëvëndës komandanti e më pas dhe sinjalisti me flamurë në duar për të dhënë sinjalet e dorëzimit.
Por jashtë ishte vetë ferri…
Lange mundi të shihte avionët “Wildcat” dhe destrojerët që po gjuanin me mitraloza dhe armë kundërajrore kundër urës së komandimit të nëndetëses, ndjeu kërcitjet e predhave që godisnin e shqyenin paretet metalike të urës, dhe ndjeu një goditje e tmerrshme që ju duk sikur ja çau legenin më dysh e pas saj diçka e ngrohtë i lagu shputat e këmbëve. Pastaj në moment dhimbjet ikën, deti ndërroi vend me qiellin dhe një nevojë e patregueshme gjumi e shkëputi nga bota reale. Trupi i tij i madh ra ngadalë, duke u përplasur butë nëpër shkallët e brëndëshme të urës dhe si të qe një thes i madh mishi ngeci i varur duke bllokuar daljen.
Ndërsa zëvëndës komandanti Paul Meyer, i plagosur dhe ai, u mbështet nën hekurat mbrojtëse të urës. Më tutje dukej trupi i shqyer i Gottfried Fischer, i cili çuditërisht qe dhe viktima e vetme e asaj beteje… Ndërkohë të tjerët e kishin lëvizur trupin e komandantit Lange dhe po hidheshin në det nga ana e mbrojtur e urës.
Duhet thënë se ëndetëset gjermane e kishin ligj mosdorëzimin. Që në prodhim, brënda nëndetëseve gjermane montoheshin një seri minash tritoli me sahat e që sipas rregullores duheshin aktivizuar në minutën e fundit kur braktisej nëndetësja. Përveç se armë, nëndetësja ishte dhe një vënd brënda së cilës kishte shumë sekrete, duke filluar nga teknika, maqinat Enigma, dokumenta e të tjera. Të gjitha dokumentat shkruheshin në letër që tretej në kontakt me ujin e kripur. Mund të dorëzohej efektivi por kurrë nëndetësja.
Sigurisht që ekuipazhi i U- 505 bëri atë që mundi për të mbijetuar. Në konfuzionin dhe panikun që pasoi ndërsa i fundit prej tyre mbërriti tek shkallët që të nxirrnin në urë, askujt nga ata që e kishin për detyrë nuk i shkoi ndërmend që të aktivizonte minat për hedhjen në erë të nëndetëses apo të hapte valvulat për të mbytur atë. Fatkeqësisht, për arsye sigurie, vetëm tre emra, komandanti, zëvëndës komandanti dhe komandanti i teknikës, dinin se si ti aktivizonin sistemin e minave me sahat. Komandanti kish humbur ndjenjat në urë, zëvëndës komandanti ishte po atje dhe i plagosur gjithashtu, ndërsa komandanti elektromekanik, duket se u përpoq më shumë që të shpëtonte kokën e tij se sa të kryente detyrën e fundit dhe shumë të rëndësishme që i ngarkonte rregullorja.
Dhe meqenëse të tre ata që duhej të mbysnin nëndetësen, nuk ishin më brënda saj, një nga nënoficerët e teknikës i quajtur Holdenreid, bashkë me dy marinarë të tjerë u përpoqën ta bënin këtë gjë ndryshe. Në sekondën që panë se doli edhe i fundit nga nëndetësja, ata u përpoq të ventilonin çisternat e ballastit. Kjo ju jepte atyre rreth 30 sekonda kohë për të dalë nga nëndetësja para se ajo të ikte drejt fundit të detit. Gjithçka shkoi mirë përveç valvulave të çisternave Nr. 6 dhe Nr. 7 që kishin dhe rolin kryesor për të mbytur nëndetësen. Ata u përpoqën përsëri e përsëri për ti hapur ato valvola, madje edhe me dhunë, por dukej se ato valvula të mallkuara ishin deformuar nga shpërthimet e bombave të thellësisë dhe nuk do të lëviznin më… Më në fund, duke shpresuar se vrimat në trupin e fortë do fusnin aq ujë sa duhej për të mbytur nëndetësen ata hoqën dorë edhe vrapuan si të tjerët për tek shkallët e urës së komandimit.
Ndërsa njëri nga gjermanët bëri një përpjekje tjetër lloj për të fundosur nëndetësen. Dhe ai ishte Hans Gobeler, djali i rrethinave të Frankfurtit, vëndlindjen e të cilit e kërkoja me sy që nga dritarja e avionit. Në momentin e fundit, Hans Goebeler, u kujtua për një pompë afër postit ku shërbente ai. Duke rrezikuar jetën nga vonesa, ai vrapoi mbrapsh dhe zhbllokoi katër kapëset që mbanin mbulesën e rëndë prej çeliku të filtrit të asaj pompe. Një rrjedhë uji me rreth 30 cm diametër filloi të hynte nga jashtë bordit -brënda në nëndetëse…
Pastaj, në një veprim për të cilin do të pendohej për gjithë pjesën tjetër të jetës së tij, ai e hodhi kapakun e filtrit mbi pllakat e kuvertës pranë pompës dhe vrapoi të dilte jashtë nëndetëses. Nëse do ta kishte hedhur atë kapak pak më tutje, amerikanët nuk do ta kishin gjetur dot siç edhe ndodhi kur po përpiqeshin të shpëtonin nëndetësen, dhe me shumë mundësi edhe historia e U-505 do të kishte një përfundim krejt tjetër dhe nuk do të kishte përfunduar dot në Muzeun e Çikagos.
.. Dhe për akoma më keq askush nuk u kujtua të eliminonte makinat koduese Enigma dhe dokumentat që shoqëronin ato. Rezultati i kësaj, ishte se në duart e amerikanëve ranë informacione shumë të vlefshme, të cilat pavarësisht se në atë datë të vonë të luftës nuk është se bënin ndonjë ndryshim të madh, përsëri ndihmuan në afrimin e fundit të Gjermanisë.
…Kështu, ndodhi që Lange dhe pesëdhjetë e shtatë nga pesëdhjetë e tetë burrat e tij mbijetuan e u bënë të burgosurit më sekretë të luftës për atë kohë…
Pjesa tjetër e gjërave, që nga mbajtja e nëndetëses mbi ujë dhe transporti i saj për në anën tjetër të globit është një histori tjetër e madhe e cila nuk ka vend të shtjellohet këtu. Fundi ishte se U-505, pas një aventure të denjë për romanet e llojit të Jules Verne, do të përfundonte në vitin 1954, në Muzeun e Shkencës dhe të Industrisë së Çikagos, ku vajta dhe e pashë edhe unë.
……………………………………………..
Muzeu.
– Ndërsa makinat tona afrohen, matanë një pllakate të stërmadhe me emrin e Muzeut të Shkencës dhe të Industrisë së Çikagos, nën sfondin e blujtë të atij mëngjez gushti, çfaqet papritur një ndërtesë e madhe dhe hijerëndë e stilit parisien Beaux-Arts të dy shekujve më pare. Ka formën e një kryqi gjigand me çati të mëdha e të gjelbërta, mes të cilave shquhet dhe një kube e hatashme sferike. I ndërtuar në Jackson Park, një hapësirë me gjelbërim të dëndur buzë Liqenit të Michiganit, i rrethuar me kollona të larta jonike, skulptura, gdhëndje të ndryshme, figura njerëzore që shërbejnë si kollona mbajtëse e që të kujtojnë qytetërimet e lashta të kësaj bote, përveç mrekullisë arkitektonike, të paralajmëron edhe për një takim ndjellës e solemn me historinë…
Ai muze, cilësohet si një nga më të dëgjuarit në botë për llojin e tij. Në të gjen pothuaj gjithë historinë e shpikjeve dhe të teknikës së botës, duke filluar nga nuk di se kur e deri tek pajisjet kozmike të NASA-s. Nuk e di se sa shumë kohë mund të duhet për të parë me kujdes gjithçka gjëndet atje, por e sigurtë është që kur të shkosh në fund, ke harruar ato që ke parë në fillim. Dhe midis kaq shumë gjërash e pa asnjë ekzagjerim, ekzibiti më tërheqës dhe më i rëndësishëm i atij muzeu është pavioni i nëndetëses gjermane të Luftës së Dytë Botërore U-505, gjë e cila përbënte dhe qëllimin e vajtjes time atje.
… Sipas statistikave, për afër 70 vjet rresht që qëndron në Muzeun e Shkencës dhe të Industrisë në Çikago, nëndetësja gjermane U-505, ka pritur dhe emocionuar më shumë se 35 milion vizitorë. Pavioni i sotëm i saj, është një ekspozitë e mahnitshme dhe gjigande që eksploron jo vetëm teknologjinë dhe jetën e efektivit të saj por shkon shumë më larg duke u marrë thellësisht edhe me historinë, kapjen top-sekret të saj dhe episode të tjera të rëndësishme të Luftës së Dytë Botërore.
Një hyrje gjigande me mbishkrimin “U-505” të jep të kuptosh që ai është pavioni i nëndetëses….
Që në hyrje, pavioni si fillim, i zhyt vizitorët në historinë e Luftës së Dytë Botërore dhe përpjekjet e Hitlerit për kontrollin detar të Atllantikut ku nëndetëset gjermane u përdorën në një taktikë vdekjeprurëse që kërkonte të bllokonte me çdo kusht ndihmat aleate që vinin nga Amerika dhe Kanadaja.
Përmes fotosh gjigande, pamjesh video dhe efektesh zanore, vizitorët kalojnë nëpër salla ku çfaqen historitë e nëndetëseve gjermane, derisa papritur, pas një kthese çfaqet papritur silueta dramatike e U-505-s.
Përmasat cikllopike të sallës, mënyra e zgjedhur e qëndrimit të nëndetëses, dhe efektet e ndriçimit e bëjnë nëndetësen të duket sikur është akoma duke lundruar në thellësitë e Atllantikut. Bashkë me nëndetësen, në atë pavion, janë të ekspozuara dhe qindra objekte, dokumenta, fotografi e vepra dramatike arti që lidhen me kohën e Luftës së Dytë Botërore. Po atje mund të shohësh dokumentarë të ndryshëm video, apo të dëgjosh transmetime radiofonike e dëshmi emocionuese veteranësh nga të gjitha palët.
Unë emocionohem, fëmijët bëjnë foto, ndërsa ime shoqe që më sheh të emocionuar më prek në bërryl dhe më thotë -Ama burrë!
Nga një stendë aty afër, në të majtën time më buzëqesh një foto e madhe e Otto Kretschmer komandantit më të suksesëshëm të nënujsave gjermanë. Se kë më kujton dhe e shoh përsëri.
-Ylber S.!- them me vehte- E kishja parë Ylberin të buzëqeshte ashtu kur punët nuk ishin mirë.
Ecim nëpër një platformë që të kujton bankinat tona, ndërsa djathtas poshtë në sheshin midis nesh dhe nëndetëses, duket një urë reserve komandimi e montuar në shesh, silura, një kompresor pa bjella I tipit Junker, periskopë të çmontuar, stenda ku gjënden makina koduese Enigma, uniforma, mjete personale të ish nënujsave e të tjera gjëra të asaj natyre. Zbresim poshtë, ecim para stendave, shikoj me kujdes, përpiqem të fotografoj, dëgjoj të më thonë që të mos përdor blicin, djemtë ngjishen pranë një video loje gjigande dhe duan të “komandojnë”në mënyrë virtuale një nëndetëse nën ujë. Mund të bësh dhe “qitje me silurë” në një lloj kabineti modern që më kujton atë stërvitorin e qitjes me silurë në Pasha Liman.
Nëndetësja, për të lehtësuar futjen e vizitorëve kishte të hapura me prerje dy hyrje të mëdha në bordin e djathtë: -futeshe në bash të lokalit të dytë e dilje në kiç të lokalit të gjashtë. Për të vizituar nëndetësen nga brënda ka dhe një pagesë të dytë shtesë.
U desh të hidhja vetëm një hap brënda nëndetëses që të më pushtonin përsëri emocionet e të ndjeja dhe njëherë atë që kishja lënë pas para 30 vjetësh, kur ika nga Brigata e Nëndetëseve. Lokali i dytë, pak më i vogël se tonët, i ndarë në dy pjesë, të njëjtat ngjyra, e njëjta aromë grasoje që vinte nga lokali i silurave ngjitur, brinjët e nëndetëses dukeshin po njëlloj, një rubinetë e kuqe e Ajrit të Presionit të Lartë lart në bordin e majtë, njëlloj e po në të njëjtin vënd si ajo e nëndetëseve tona, e cila më kujtoi se saktësisht nën të qe edhe “krevati” im i parë më 13 Tetor 1981, tavolina ishte po njëlloj, kabina e komandantit po atje – mungonte vetëm i ndjeri Harilla R. që të tallej me mua kur më tregonte se ai “krevat” kishte qenë vëndi i tij i gjumit deri para se të vija unë.
Futem në lokalin qëndror, nuk dua ta shoh por përpara majtas më del stoli ku Peter Zschech vrau vehten, pak më tutje posti luftarak i Hans Goebeler, rubinetat e shumta, periskopi, timonat, lugu që të çon në kabinën luftarake. Po aty në dysheme është lënë qëllimisht i ekspozuar dhe kapaku i pompës së trumit që Goebeler e hoqi duke u përpjekur të mbyste nëndetësen, e me radhë shumë gjëra që më dukeshin njëlloj, të tjera të përafërta e të tjera që ishin ndryshe. Ndërsa lokali i gjashtë që ishte dhe lokali ku unë qëndroja më shumë, ishte i kompozuar ndryshe nga tonët.
…………………..
Unë kishja dëgjuar shumë për Karl Donitz ndërsa ai asgjë për mua. Nuk kishte asgjë tjetër në këtë botë, përveç asaj të nëndetëseve, që mund të më lidhte mua, një ish oficer të vogël një brigate nëndetësesh të Luftës së Ftohtë, me të, admiralin e lavdishëm të nënujsave gjermanë, njeriut të cilit Hitleri i la pushtetin para se të vriste vehten. Në historikun e U-505, kishja lexuar, se më 6 Shkurt 1942, ajo nëndetëse ishte inspektuar personalisht nga Karl Donitz. Dhe kur prekja dorezat e lugjeve të nëndetëses duke e ditur se po aty kish kish prekur edhe ai, mu duk sikur po i jepja dorën, vetë admiralit Karl Donitz.
Pasi del nga nëndetësja, do të kalosh në një sallë teatri që mban emrat e dy komandantëve kundërshtarë të asaj kohe, komandantit të TG 22.3, Kapiten Daniel Galerisë dhe Harald Lange-s, kapitenit gjerman të U-505 dhe ku çfaqet një video e shkurtër që përshkruan takimin pajtues midis të dyve në vitin 1964. Pak më tutje do të kalosh në Zonën e Përkujtimit dhe të Homazheve, ku lista të mëdha nderojnë emër për emër të gjithë anëtarët e ekuipazheve të anijeve të Task Grupit 22.3, si dhe ekuipazhin gjerman të nëndetëses U-505…
……………
E gjithë vizita jonë në pavionin e U-505 zgjati rreth tre orë e pak. Kur dola që andej ktheva edhe njëherë sytë prapa, përshëndeta me atë gjermanishten time të keqe -Auf wiedersehen mein alter freund!- dhe mendova për muzeun tonë të munguar e nëndetësen të cilën thanë se do ta bënin muze por pasi i vodhën çdo gjë që mund të shitej, e lanë të kalbet në Gjirin e Vlorës.
……….
Shpjegime
*1 – Mbas kapjes së U-505, deri në dhjetorin e vitit 1947, Hans Goebeler bashkë me efektivin e U-505, u mbajt në burgjet e luftës larg Gjermanisë. Por pasi u kthye në Gjermani ai e kuptoi se lufta e kish ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme dhe se jeta e tij nuk mund të ishte më ajo e para. Ora e tij kishte ngelur tek nëndetësja U-505 në të cilën gjatë luftës ai ishte betuar edhe të vdiste. Për këtë arsye kur nëndetësja U-505 u vendos në Muzeun e Shkencës dhe Industrisë në Çikago, ai la Gjermaninë dhe erdhi familiarisht të jetonte pranë saj, po në Çikago të Shteteve të Bashkuara.
..Kur shëndeti filloi ta linte dhe mjekët i rekomanduan të ndryshonte klimë, ai bashkë me gruan, vajzën dhe me atë gjysëm pensioni që merrte, zbriti në Florida ku u përpoq të mbijetonte duke shitur filxhanë kafeje të stolisura me fotografi të kapitenëve të famshëm gjermanë të nëndetëseve apo heronjve të tjerë gjermanë të kohës së luftës. Vonë, ai filloi të shkruante dhe kujtimet e tij të luftës të cilat u mblodhën dhe u botuan pas vdekjes së tij nga John P. Vanzo, një ish-analist amerikan i programit të mbrojtjes i cili ligjëronte shkenca politike dhe gjeografi në Kolegjin Bainbridge të Xhorxhias në SHBA.
Ata që e kanë njohur nga afër tregojnë se sytë e tij që po veniteshin nga dita në ditë, fillonin e shkëlqenin gjithë dritë vetëm kur ai tregonte rreth jetës së tij si efektiv i nëndetëses U-505. Dhe Hans Goebeler ishte dëshmitar i të gjithave gjërave që lidhen me nëndetësen U-505, që nga dita e parë e deri tek dita kur u kapën robër. Pavarësisht mungesës së vlerave letrare, tregimi i gjallë e i sinqertë i tij e bëri librin e tij “Steel Boat, Iron Hearts” që të jetë edhe një nga librat e mij të preferuar.
Hans Goebeler vdiq në vitin 1999.
*2 –”The only thing, that really frightened me during the war, was the U-boat peril….”
(Shkëputur nga: Winston Churchill, “Memoirs of the Second World War” Volumi II, 1949)
*3 – Schnelltauchen! -“Zhytje e shpejtë” (në anglisht -Crash dive!) është një manovër e rrezikshme emergjence, në të cilën nëndetësja zhytet sa më shpejt që të jetë e mundur për t’ju shmangur sulmeve të befasishme në sipërfaqe. Nëndetëset e asaj kohe ishin të detyruara për të dalë në sipërfaqe më së paku për të karikuar bateritë gjë që e bënte nëndetësen një objekt të rrezikuar ndaj sulmeve ajrore.
Më se njëherë në histori, nëndetëseve ju është dashur të zhyten aq shpejt sa që kanë qenë të detyruara të lënë njerëz jashtë bordit. I tillë ishte përshëmbull dhe rasti i të mbijetuarit të vetëm të nëndetëses gjermane U-68 e cila më 10 Prill 1944, u mbyt nga sulmet e avionëve të Task Group 22.3 i njëjti grup i cili kapi më vonë edhe nëndetësen U-505. Gjatë zhytjes së shpejtë, në tentativë për të shpëtuar nga sulmet e avionëve, nëndetësja u detyrua të linte një njeri jashtë bordit, njeri i cili ishte i vetmi që shpëtoi. Po ashtu kujtohet dhe rasti i nëndetëses amerikane USS Growler (SS-215) kur komandanti i saj i plagosur, Howard Gilmore, i pamundur për të lëvizur shpejt nga jashtë bordit, ku dhe ndodhej në momentin e një sulmi të befasishëm ajror, duke lënë vehten jashtë bordit, urdhëroi zhytjen e shpejtë të nëndetëses gjë që shpëtoi jetën e ekuipazhit dhe vetë nëndetësen por sigurisht jo jetën komandantit trupi i të cilit nuk u gjet më.
4* -”Dalja e avarisë” apo “Çfryrja në rast avarie” është dalja më e shpejtë dhe më e pasigurta e të gjitha llojeve të daljeve të nëndetëseve nga thellësia në sipërfaqe (quhet edhe “dalje tapë”) dhe praktikohet si mundësia shpëtimi vetëm në raste ekstreme e të veçanta rreziku.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

one × 1 =