Kryetari i Bashkisë së Rotterdam-it, Ahmed Aboutaleb, ka zhvilluar një vizitë në Bashkinë e Tiranës me Erion Veliajn. Të dy ata patën një mesazh të rëndësishëm për tifozët, që t’i respektojnë kundërshtarët, të jenë dashamirës me qytetin dhe ta shijojnë këtë festë. Aboutaleb i ka bërë një thirrje tifozëve holandezë që ta përfaqësojnë sa më mirë Rotterdam-in me sjelljen e tyre.
“Është shumë bukur që UEFA vendosi ta organizojë këtë ndeshje, finalen e AS Roma-Rotterdam Feyenoord në Tiranë. Shumë bukur që kjo ndeshje do të bëhet këtu në një vend si ky që e dashuron futbollin. Jam i umtur që kanë ardhur shumë njerëz nga Rotterdami, nga Holanda, edhe njerëz që nuk kanë gjetur bileta. Prandaj jam shumë i lumtur që Tirana ka bërë një përpjekje kaq të madhe për të ngritur zonat e tifozerisë ngado, ka vendosur ekrane në pika të ndryshme në mënyrë që njerëzit mund të ndjekin ndeshjen. Një pjesë e tifozëve do të jenë në stadium sonte. Ne do të brohorasim, do të gëzojmë, do të kërcejmë, do të bërtasim për të mbështetur skuadrën tonë derisa të na dhembë fyti. Njëkohësisht është e rëndësishme që të gjithë të sillen mirë. Ne jemi miq këtu dhe kur të mikpresin si mik duhet të sillesh me mirësjellje. Duhet t’u bindesh udhëzimeve të forcave të rendit. Kënaquni në këtë qytet. Moti është i bukur. Hani e pini me karar dhe mbi të gjitha prezantohuni e përfaqësoni Rotterdamin sa më mirë. Ne jemi njerëz që dimë si të sillemi kur na mikpresin kudo në botë dhe jo më pak e rëndësishme ne e këshillojmë njëri-tjetrin kur dikush shkel rregullat”, tha ai.
Për mbarëvajtjen e aktivitetit, autoritetet shqiptare po bashkëpunojnë ngushtë dhe me homologët e tyre holandezë dhe ata italianë. Kreu i Bashkisë theksoi se një minorancë e vogël e tifozerive nuk do të shuajnë frymën e 99% të shumicës së tifozëve, që duan të shijojnë garën sportive dhe qytetin.
“Sot kemi një bashkëpunim me policinë shqiptare, me policinë holandeze, policinë italiane, që vjen gjithashtu për të siguruar mbarëvajtjen e punëve. Duam që autoritetet të respektohen, që qyteti të respektohet dhe duam që ne si mikpritës, të respektohemi gjithashtu. Është shumë e rëndësishme që të kalojmë mirë, por pa e tepëruar. Unë besoj se një minorancë e vogël e tifozerive nuk do të shuajë frymën e 99% të tifozëve, që të kalojnë mirë, të shijojnë Tiranën dhe të shijojnë shpirtin sportiv që sjell kjo kupë unike për qytetin tonë”, deklaroi Veliaj.