Armiqtë e Vladimir Putinit po e mbajnë njërin sy nga ekrani i televizorit, sepse transmetimi i “Liqenit të Mjellmave”, sipas Newsweek, mund të tregojë vdekjen e tij.
Por “Liqeni i Mjelmave” konsiderohet gjithashtu dhe si një çelës sekret për situatën e brendshme në Kremlin. Baleti me muzikën e Çajkovskit është përdorur shpesh nga media vendase edhe si shenjë e një krize, e madje edhe e një ndryshimi të lidershipit.
Kur Leonid Brezhnjevi vdiq në 1982, televizioni shtetëror transmetoi një Liqen të Mjellmave në vend të një njoftimi për vdekjen e tij. Të njëjtat pamje u transmetuan për Yuri Andropov në 1984 dhe Konstantin Chernenko në 1985.
Kjo teknikë u përdor edhe në vitin 1991 kur komunistët u përpoqën të rrëzonin Mikhail Gorbaçovin. Liqeni i Mjellmave u transmetua për tre ditë rresht, ndërsa publiku priste lajme.

Në vitin 2011, kanali televiziv kombëtar rus Kultura shfaqi një ritransmetim të Liqenit të Mjellmave për të përkujtuar 20 vjetorin e tentativës së grushtit të shtetit.
Vitet e fundit, ukrainasit kanë përdorur gjithashtu simbolikën e Liqenit të Mjellmave për të komentuar ose spekuluar në heshtje mbi ngjarjet e Kremlinit.
Në vitin 2014, pak pasi Rusia aneksoi Krimenë, katër kërcimtarë të veshur si mjellma kaluan para tankeve në muzeun ushtarak të Odesës.
Një shfaqje e muajit të kaluar në TV Rain iu drejtua në mënyrë të ngjashme Putinit, duke përcjellë në të njëjtën kohë një demonstrim solidariteti me Ukrainën dhe një dëshirë ogurzezë vdekjeje.