Njeriu që u pëshpërit bletëve

Në ishullin Elba e njohin si njeriun që u “pëshpërit” bletëve.

Është Roberto Ballini, 75 vjeç, një ish-çiklist profesionist. Sot, rojtari i kopshtit në Santa Caterina del Sasso.

Në të vërtetë, ai nuk pëshpërit. Tingulli i lartë i lëshuar në frekuencën 290 Hz, u thotë bletëve të ndalojnë.

Marrëdhënia mes tij dhe bletëve shkon përtej komunikimit të mirë, siç ndodh në realitet për çdo bletërritës, i cili është para së gjithash një ruajtës i biodiversitetit.

Historia e Ballini-t dhe bletëve të tij, prej vitesh ka zgjeruar ofertën turistike të ishullit Elba, i cili ndër të tjera, mban tre bletë në flamurin e porositur nga Napoleoni.

Këtyre insekteve të jashtëzakonshme pjalmuese u kushtohet edhe Dita Botërore e vendosur në vitin 2017 nga një marrëveshje midis 115 shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Por data 20 maj nuk u zgjodh rastësisht.

Është dita e lindjes së Anton Jansa-s, një pionier i bletarisë moderne në Slloveni, që nga shekulli i XVIII-të.

Në kthimin e tij në Elba, njeriu që u pëshpërit bletëve mbërriti në kopshtin e thjeshtë në Santa Caterina del Sasso në vitin 2013.

Ama pasioni i tij për bletët daton shumë më herët, afro dyzet vjet më parë.

“Isha një konsumator i madh i mjaltit, të cilin e përdorja si burim energjie gjatë garave. Një ditë shtatori, teksa po dilja në kodrat e Livorno-s, pashë një top të zi mbi një fshesë me gjemba. Ato ishin grumbull”, ka treguar ai.

Ai foli me disa njerëz për atë çka i panë sytë dhe duke mësuar për rrezikun e mos mbijetesës së tyre prej temperaturave të ulëta të dimrit, vendosi t’i shpëtojë.

Kështu, Ballini nisi aventurën e tij të re në botën e këtyre insekteve.

Ndër leximet e ndryshme dimërore të tij ka libra dhe studime mbi sjelljen e bletëve.

Në vitin 2006, takimi me një fizikant gjerman në pension i lejoi Ballini-t të konfirmonte atë që kishte përjetuar disa vite më parë, atë se këto insekte reagojnë ndaj valëve të zërit.

Dhe se “me frekuenca midis 260 dhe 400 Hz, ato qetësohen”.

Ai zbulon se në frekuencën 290 Hz, bletët thjesht ndalojnë. Zbulimi i tij, i lindur nga praktika e përditshme, ka qenë edhe objekt studimi nga Universiteti i Pisa-s.

Bletët, prej receptorëve shumë të ndjeshëm të ndotjes, janë tashmë specie të kërcënuara si nga pikëpamja mjedisore, ashtu edhe nga disa parazitë veçanërisht agresivë, si marimangat parazitare.

Këto të fundit kanë ardhur nga Kina në vitet ‘90 dhe janë përgjegjëse për virozat dhe sëmundjet që dobësojnë familjet e bletëve dhe që kërcënojnë mbijetesën e tyre gjatë dimrit.

Ballini, për t’i ndihmuar bletët ta luftojnë parazitin, administron zbulime bimore duke shfrytëzuar njohuritë e lashta të bimëve mjekësore, të cilat i kultivon vetë te Giardino dei Semplici.

Është shndërruar në një kopsht akoma dhe më të çmuar, një përmbledhje e përsosur e biodiversitetit të ishullit, pranë vetmisë dhe kishës së Santa Caterina d’Alessandria.

Është një vend thuajse mistik. Por edhe një rezervuar i vërtetë biodiversiteti me bimë të ndryshme vendase të ishullit, duke përfshirë gjashtë lloje të rralla frutash me origjinë nga Elba.

“Corriere della Sera”

Leave a Reply

Your email address will not be published.

fifteen − 9 =