Gracka e Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiqit/ Milo Gjukanoviq drejt përplasjes me Dritan Abazoviçin

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, edhe njeherë e ka bërë të ditur qëndrimin e tij sa i përket “Open Balkanit”. Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, të dy presidentet mbajtën qëndrimin se bashkëpunimi rajonal duhet promovuar përmes Procesit të Berlinit.

E qëndrimi i Osmanit dhe Gjukanoviqit kundër “Open Balkanit” ka nxitur reagimin e kryeministrit të Shquipërisë, Edi Rama, i cili ka dërguar mesazh të qartë, “Open Balkan” nuk do të ndalet.

“Kushdo është kundër Ballkanit të Hapur është në të drejtën e vet që as mos të shohë, as mos të dëgjojë dhe as mos të kuptojë se kjo nisëm nxit paqen, bashkëpunimin, integrimin dhe e përshpejton Procesin e Berlinit! Ballkani i Hapur nuk do të ndalet sepse e ardhmja nuk ndalet dot”, ka shrkuar Edi Rama, qermdrom të cilin e ka pëlqyer menjeherë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

E ndryshe nga presidenti Gjukanoviq, kryeministri shqiptar i Malit të Zi, Dritan Abazoviç e ka mbështetur nismën e “Open Balkan”, pasi e sheh si një mjet për tu integruar më shpejt në BE

“Për mua edhe kjo situatë është e thjeshtë dhe s’duhet dramatizuar. Çdo gjë që mund të përdoret si një mjet për integrimin e shpejtë në BE është diçka e mirë. Për çdo gjë tjetër që mund të shihet si zëvendësim i integrimit evropian, ne nuk jemi të interesuar. Pra, gjithçka që na ndihmon që të hyjmë më shpejt në BE, si rajon apo si shtet, për ne është ok”, ka thënë Abazoviç.

E për krejt këto, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

“Në opinionet, komentet dhe analizat e mia të kohëve të fundit kam thënë se Dritan Abazoviç do të jetë përkrah Ballkanit të Hapur. Jam nisur nga fakti se kontaktet e tij me Edi Ramën ishin shumë miqësore dhe e di se kryeministri shqiptar i ka njerëzit për zemër atëherë kur këta njerëz i shërbejnë atij. Por ndërkohë kam theksuar se do të jetë presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ai që do ta ndalojë këtë aventurë”, thotë Bytyçi.

Ai thotë se Gjukanoviç e kundërshton “Open Balkanin” dhe projektin francez për integrimin e Ballkanit në BE.

“Gjukanoviç pas takimit të tij me presidentin gjerman, Frank Ëalter Steinmeier, deklaroi se Ballkanit Perëndimor i nevojitet te integrohet ne Bashkimin Evropian dhe nuk i duhen mekanizma alternative si Open Balkan ose si propozimi i presidentit francez, Macron. Në këtë deklaratë unë shoh se kreu i shtetit tonë fqinj nuk përkrah iniciativa si kjo e Ballkanit të Hapur. E njëkohësisht ai kundërshton projektin francez për integrimin e rajonit tonë në BE”, thekson Bytyçi ër “Bota sot”.

“Abazoviç është joshur nga Rama dhe Vuçiq që të ta ç’vendosë vendin e tij nga rruga e sigurt e integrimit evropian në kurthin e Open Jugosllavisë. Ndoshta bën pjesë në klubin e Sorosit dhe në këtë rast çështja do të ishte shumë e qartë. Por unë do të gjykoj në versionin sipas të cilit Dritan Abazoviç është një politikan butaforik, i cili jeton me euforinë e politikanëve megalomanë si kryeministri i Shqipërisë. Por ai po shërben si grevëthyes”, shpjegon profesor Bytyçi.

Sipas tij, Rama dhe Vuçiq synojnë që të venë nën presion presidencën e Bosnjë-Hercegovinës dhe qeverinë e Kosovës.

“Nëse Mali i Zi hyn në klubin e Beogradit, ku ka hyrë kryeministri i Shqipërisë, por jo presidenti i Shqipërisë, apo ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, por jo presidenti i këtij vendi, atëherë harta e Open Balkan zgjerohet. Në këtë moment Rama e Vuçiq do të kenë mundësi të shtojnë presionin ndaj Prishtinës e Sarajevës. Ata do të thonë “Ne jemi shumica, ju pakica hajdeni me ne”! Sepse deri tani vendet janë ndarë 3:3. Ne e kemi parë se si autokratët ballkanas e përdorin konceptin e shumicës si presion ndaj pakicës edhe brenda vendit, koncept që i takon sistemeve totalitare të qeverisjes”.

“Duket qartë se qeveria e Tiranës dhe Beogradi kanë investuar dhe po investojnë aq shumë për ta bërë realitet Ballkanin e Hapur. Vetëm ky fakt na dëshmon se sa i rrezikshëm është ky projekt. Një investim kaq i madh dëshmon për faktin se Open Balkan është jetik për Serbinë. Pse? Sepse është në fakt Open Jugosllavia e Re. Është ndoshta investimi dhe sfida në variantin e fundit të Aleksandër Vuçiq. Një sfidë që ka si ortak Edi Ramën dhe si ndihmës ndonjë politikan të Maqedonisë së Veriut apo Abazoviçin”, nënvizon Bytyçi, duke shtuar se “Open Balkan” ka edhe përkrahjen e Emmanuel Macron.

“Natyrisht si kundërvënie ndaj Procesit të Berlinit. Që në fillim kam pasur ndjesinë se Procesi i Berlinit përkrahet publikisht e minohet në hije nga ana e Parisit dhe presidentit francez. Dhe kjo më çon te mendimi se Franca ende vuan kompleksin gjerman. Ndërkaq qëndrimet e Macron ndaj Vladimir Putin ma përforcojnë akoma më shumë këtë ndjesi”, shprehet Bytyçi.

Ai thotë se Abazoviç ka shkuar në grackën e Ramës dhe Vuçiqit.

“Abazoviç nuk ka rënë në grackën e Ramës. Ka shkuar me vetëdije dhe vullnetarisht drejt kësaj gracke. Ai i di kontestimet që i bëhen Open Balkan-it, por megjithatë e këshillon edhe Albin Kurtin që të reagojë pozitivisht ndaj tij. Madje guxon dhe i thotë se Ballkani i Hapur na qenka në dobi të Kosovës. Kësisoj duket se deklaratën edhe këtij ia ka dërguar me SMS Edi Rama. Dhe Dritani thjesht reciton. Modeli megaloman i Ramës na shfaqet edhe te Dritan Abazoviç. I duket vetja se është politikan global, klasi. Harron se ai është kryeministër i pakicës. Harron se është në atë detyrë falë votave të presidentit Gjukanoviç”, thekson profesor Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, Milo Gjukanoviç vendos për të qëndrimin e Malit të Zi për “Open Balkan”, e jo Abazoviç.

“Është Gjukanoviç ai që de jure dhe de facto vendos për qëndrimin e Malit të Zi pro ose kundër Ballkanit të Hapur. Të martën e djeshme ai e dëshmoi qartë se është kundër. E përsëriit edhe gjatë vizitës së tij në Prishtinë. Kësisoj presidenti i Malit të Zi do t’i japë fund dilemës dhe me t’u kthyer në Podgoricë do t’i thotë edhe Abazoviçit të pushojë së punuari për interesat e Serbisë. Në fund të fundit Gjukanoviç ka të drejtë ta bëjë këtë. Ai është president i një vendi të pavarur e Sovran dhe nuk mund të lejojë që vendi i tij të rihyjë në një Jugosllavi të Re, pasi e pavarësoi atë në korrik të vitit 2006”.

“Përfundimisht mendoj se Mali i Zi nuk do të bëhet pjesë e Open Balkan, edhe pse këtë gjë e dëshiron kryeministri i këtij vendi. Por qeveria dhe institucionet e Kosovës duhet të jenë të kujdesshëm. Ato do të joshen e njëkohësisht do të provokohen. Kosova ka të drejtë të mbajë qëndrimin e saj”.

Për fund, Bytyçi tregon edhe kushtin, që sipas tij Kosova mund të bëhet pjesë e “Open Balkan”.

“Por edhe nëse vihet nën presionin e të gjithë faktorëve ndërkombëtarë, gjë që nuk duket të ndodhë, Kosova duhet të kërkojë njohjen nga Serbia e pastaj pjesëmarrjen në këtë iniciativë. Si shtet i pavarur, me ulëse në OKB, Kosova ka të drejtë vetë të vendosë se çfarë marrëveshjesh nënshkruan. Por në kushtet kur Serbia konteston çdo ditë shtetësinë, është krejt, krejt e pamundur një gjë e tillë”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

3 × five =