Tekstet dhe muzika sot në këngë diskutohen shumë, ku emra të njohur të artit shprehen me kritika ndaj asaj që i serviret publikut. Vlerat artistike sipas tyre duket se janë lënë mënjanë dhe po shohim dhe performanca vulgare. Gjatë këtyre ditëve artistë të fushës së muzikë kanë shprehur kritika për performancën e këngëtares Ronela Hajati me këngën “Sekret”, që ishte përfaqësimi i Shqipërisë në “Eurovision 2022”. Me kritika shprehet dhe dirigjenti i njohur Edmond Doko, që thotë se të gjitha elementët në këngë duhet të kenë sens artistik. Ai thotë se thelbi është krijimtaria muzikore, që duhet të ketë nivel artistik. “Kënga “Sekret” në “Eurovision” një performancë në kufijtë e vulgares, sepse sido që të jetë puna edhe muzika e thjeshtë argëtuese qoftë dhe kur i bashkëngjiten elementë të tjerë, të cilët e zbukurojnë, të gjitha duhet të kenë sens artistik. E kam fjalën koreografi, kostumografi, qoftë çdo gjë që vesh një këngë. Por më e rëndësishme përpara se të ndodhin këto të tjerat që vishen me një sens artistik të gjithë elementët që e mbështesin, duhet vetë materiali muzikor, thelbi që është krijimtaria muzikore duhet të jetë e një standarti të lartë. Të ketë qoftë dhe një mesazh minimal, të ketë qoftë dhe një fizionomi krijuese normale”, thotë dirigjenti Doko. Për çfarë ndodhi në skenën e “Eurovision” këtë vit që u zhvillua në Torino të Italisë, dirigjenti Edmond Doko thotë se dukej se qëllimi i këngës “Sekret” ishte për bujë. “Këtu bëhet fjalë për një turmë notash të krijuara nga frymëzim aspak i motivuar. Thjesht qëllimi është si të bëjë bujë. Kur zvogëlohet qëllimi dhe shkon për të bërë një bujë dhe një performancë për “tu dukur” harrohet thelbi, që është krijimtaria muzikore”, shprehet dirigjenti i njohur në reagimin e tij.
Humbja e vlerave
Ronela Hajati me këngë “Sekret” u shpall fituese në Festivalin e Këngës në RTSH. Por për dirigjentin Edmond Doko përgjegjësi kanë dhe ata që e kanë përzgjedhur të jetë në skenën e festivalit. “Në këtë rast meqenëse është një organizim ku votohet, ku përzgjidhen, ku ka njerëz që seleksionojnë duke filluar që nga autoritetet artistike të televizionit e deri tek ata që shoqërojnë përgjegjësia nuk ngelet tek artistja, sepse ajo e ka mendjen e mbushur që është një artiste e madhe, aq di, aq kupton dhe aq bën. Përgjegjësia është dhe tek ata që e përzgjedhin për të përfaqësuar me dinjitet Shqipërinë”, thotë Doko. Sipas dirigjentit Edmond Doko sot dëgjohen këngë, që nuk kanë lidhje me përditshmërinë e jetës shqiptare. Doko thotë se ka shumë dhe amatorizëm. “Kënga shqipe sot ka humbur lidhjen me realitetin artistik, por dhe jetësor, me përditshmërinë e jetës shqiptare. Kënga shqiptare është kufizuar vetëm tek performancat vulgare. Nuk ka lidhje fare me jetën shqiptare, me jetën e njeriut, me gëzimin e jetës, me historitë personale. Gama e këngës është shumë- shumë e gjerë dhe nga pikëpamja intonative ka humbur shumë, sepse ka shumë amatorizëm”, shprehet ai. Sipas dirigjentit për problemet që janë në fushën e muzikës duhet të dëgjohet zëri i profesionistëve.