Autobusi-instalacion mbi Lanë, sociologia Binjaku: Është burim ankthi

Autobusi që u rrëzua në Lanë është larguar përkohësisht për t’u rikthyer përsëri si një instalacion “për kujdesin në qarkullim”, ka thënë Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Por, a do të jetë ai një instalacion që të shtyn të bësh kujdes apo të jep ndjenjën e ankthit?

Sociologia Entela Binjaku thotë se ankthi është një ndjenjë e karakterizuar nga ndryshime fizike si tension, nervozizëm, frikë, merak, mendimet të shqetësuara dhe presioni i lartë i gjakut. Ankthi është një reagim i natyrshëm i njeriut ndaj situatave stresuese, por kur ndodh shpesh dhe pa shkak nënkupton një çrregullim. Këto çrregullime më pas e ndikojnë edhe mënyrën se si ndihemi dhe si sillemi.

“Shërbimet e transportit publik në vendin tonë nuk të japin ndjesi të ndryshme nga ankthi”, thotë Binjaku. Në udhëtimet e shkurta me autobus, shpjegon Binjaku, qytetari është thuajse përherë i shqetësuar, në merak apo nervoz,  nuk ka sigurinë se mbërrin në kohë në destinacion, është i shqetësuar se autobusi vonon dhe nuk respekton dot as vetë oraret etj.

“Në shumicën e rasteve transporti publik është vetëm zhvendosja nga pika A në B. Për parametra të tjerë vështirë të bëhet fjalë”.

Sipas sociologes, kjo shihet sidomos kur krahason shërbimin urban shqiptar me atë të vendeve edhe të rajonit, për të mos folur më gjerë.  Por, sikur të mos mjaftonin këto, Binjaku thotë se transporti urban publik u kthye në burim ankthi edhe për sigurinë. Disa herë transporti urban u bë objekt i kronikave informative për incidentet e ndodhura kur në të ndodheshin pasagjerë. Këto informacione u shpërndanë në mënyrë të përsëritur dhe nga të gjitha platformat tek një numër më i lartë qytetarësh të cilët në një pjesë të madhe kishin një përvojë të ngjashme me atë që kemi përshkruar më lart.

Pavarësisht natyrës së një ngjarjeje ankthioze, intensitetit të saj dhe faktit se ajo i ka ndodhur dikujt tjetër e jo ty, organizmi ka mënyra të ndryshme reagimi ndaj këtyre formave të agresionit.

“Vetëm kur mendon që në atë autobus që pësoi incidentin mund të kishe qenë edhe ti, fillon e zemra të rreh më shpejt, duart djersijnë, skuqesh edhe truri duket sikur pushon. Këto janë reagime për të cilat përgjigjet sistemi nervor autonom, që punon në nivelin e subkoshiencës, pra larg kontrollit tënd”, thotë Binjaku e cila shton se trupi i prodhon këto ndryshime sepse lidh te qenët në autobusin e Lanës me përvojat e atyre që kanë qenë.

Ka edhe njerëz që kanë parë ngjarjen apo edhe kanë qenë aty më pas, kanë shkuar në shtëpi dhe kanë kujtuar dhe imagjinuar ngjarjen. Në të gjitha rastet në tru dhe në trup prodhohen të njëjta ndryshime kimike. Sa herë e kujton atë përvojë aq herë krijohen në tru lidhje sinapsesh me përjetimet e atij çasti. Krijohet një kujtesë mbi ngjarjen që zgjat.

Binjaku thotë se ka raste kur përjetimet përmes mendimit shoqërohen me emocione që zgjasin me muaj dhe vite. Vjen një kohë dhe ato bëhen pjesë e temperamentit madje edhe e personalitetit tënd. Kështu njerëzit stepen të përdorin shërbimet urbane, hezitojnë të hipin në autobus, ose edhe kur hipin në autobus i shoqëron ndjesia e frikës, disa për shembull frikësohen edhe nga një frenim i shpejtë e mendja ju shkon menjëherë tek rastet që kanë parë apo dëgjuar të ndodhin.

“Me ndodhinë në Lanë, në Blv. “Zogu I”, apo gjetkë u mbivendos ndjesia e pasigurisë edhe për jetën”, thotë Binjaku. Në ngjarjen e Lanës pesë pasagjerë përfunduan në spital. Mendoni si e përjetuan ato këtë ngjarje, si po e përjetojnë tani dhe si do e përjetojnë sa herë të shohin ‘instalacionin’ ku kanë rrezikuar jetën.

A është autobusi i lënë mbi ujërat e Lanës një burim i vazhdueshëm i ri përjetimit të asaj frike që kanë përjetuar atë natë? A është ky autobus një kujtesë e përditshme për të gjithë të tjerët se aty mund të ishte kushdo? Po sikur të kishte pasur humbje jete, njerëzit do të donin ta shihnin aty si kujtesë për një fatkeqësi tërësisht të pajustifikueshme?

Në vend të kësaj “gjetjeje”, thotë Binjaku, mendoj se ankthin do ta kishte ulur rritja e sigurisë në mjetet e blera, përforcimi i kontrolleve për drejtuesit apo mbajtësit e lejeve të drejtimit për këto mjete, shpjegimi sa më parë për atë që ndodhi dhe paraqitja e masave për të shmangur një përsëritje të këtyre rasteve etj.

“Mendoj se këto masa do të ishin për qytetarin disa garanci për qetësinë”.

Kur këto nuk bëhen, ajo që bëhet është: “po e lëmë aty, po ja hedhim opinionit për konsum, kështu edhe e heq mendjen nga pasiguria dhe nga ajo që ndodhi”. A është kjo mënyra për të ulur ankthin? “Për një çast ndoshta po, po për më gjatë…dyshoj”, përfundon Binjaku.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

four × 1 =