“Mafia shqiptare punon për Ndrangheta-n!”- Drejtori i antimafies italiane: Menaxhojnë trafikun e drogës

Drejtori i Përgjithshëm i Departamentit të Antimafias italiane, Maurizio Vallone ka bërë me dije të hënën se mafiëa shqiptare punon për mafien kalabreze, Ndranghetën.

Gjatë përurimit të një ekspozite në Genova, me rastin e 30-vjetorit të departamentit të hetimit antimafia, Vallone deklaroi se mafiozët shqiptarë menaxhojnë trafikun e drogës, me “bekimin” e “kalabrezëve”.

“Mafia shqiptare punon për mafien kalabreze Ndrangheta. Mafia shqiptare ka marrë në nënkontraktim nga mafia kalabreze menaxhimin e trafikut të drogës.

Për mbi 30 vjet Liguria ka parë praninë e të gjithë mafiozëve. Por hetuesit kanë arritur të përballen me infiltrimin. Genova është një port i cili ka qenë nën mbikëqyrje të rreptë nga hetuesit dhe këtë e dëshmojnë sasitë e mëdha të sekuestruara.

Aty ku ka më shumë sekuestrime ka më shumë vëmendje. Konfiskimet e fundit në portin e Genovas nuk tregojnë domosdoshmërisht se ka pasur rritje të trafikimit të drogës, por operacionet policore janë përmirësuar. Krimi i organizuar është goditur edhe nëpërmjet sekuestrimeve që lejojnë dëmtimin e organizatave kriminale”, theksoi Vallone.

Në raportin e fundit të Antimafies Italiane, trafiku i drogës mbizotëron në aktivitetin kriminal të rajonit të Ligurias. 60% e operacioneve të kryera gjatë vitit 2021 i përkasin punës së antidrogës territoriale.

Vallone tha edhe se duhet intensifikuar aktiviteti hetimor edhe në zonat e tjera ku konstatohet krimi.

“Liguria ka qenë një vend i infiltrimit të të gjithë mafiozëve për 30 vjet. Krimi i organizuar shkon atje ku ka para, një ekonomi të pasur dhe të shëndetshme”, shtoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

5 × 1 =