SPAK mes PD dhe PS

Dikur PD e drejtuar nga Lulzim Basha nuk besonte te SPAK, por më pas jo vetëm depozitoi disa denoncime por kërkoi i pari që Sali Berisha të hetohej për faktin që ishte shpallur non grata nga SHBA. Pas mbështetjes së dhënë si mazhorancë për ngritjen e kësaj strukture kryeministri Edi Rama është mosbesues. Çfarë ka ndodhur që as opozita e as qeveria nuk besojnë te SPAK? A ka lidhje kjo me faktin që ka informacione që priten arrestime si djathtas por dhe majtas?

Pas 2 vjet e 5 muaj nga ngritja si institucion, SPAK po sulmohet nga të dy krahët e politikës. Tashmë si Partia Socialiste në pushtet dhe Partia Demokratike në opozitë janë në ekspasion ndaj Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe kjo ka një domethënie të madhe: Ose qeveria dhe opozita janë të frikësuar të dyja prej SPAK, ose vërtetë SPAK nuk është në lartësinë e detyrës për të cilën u themelua aq bujshëm. Por cila është përgjigjja e vërtetë e kësaj pyetje? Më 19 dhjetor të vitit 2019 u betuan te presidenti i Republikës Ilir Meta 8 prokurorët e parë të Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion. Altin Dumani, Arben Kraja, Behar Dibra, Edvin Kondilli, Elida Kaçkini, Ened Nakuçi, Enkeleda Millonaj, Klodian Braho janë prej asaj dite qendra e rëndesës së drejtësisë Shqiptare. Drejtuesi i SPAK Arben Kraja, i cili u zgjodh po atë ditë ta drejtojë këtë strukturë, është parë për opinion publik si rrallë kurrë më parë po aq i rëndësishëm në piramidën e shtetit sa kryeministri apo presidenti i Republikës. Por çfarë ka ndodhur në këto 2 vjet e 5 muaj në SPAK dhe me SPAK? A ka arritur ai pritshmëritë? A ka vendosur ai të korruptuarit e politikës përballë ligjit dhe a e ka luftuar ai atë pjesë të politikës që është kthyer në turpin e shoqërisë shqiptare? Gjatë kësaj periudhe SPAK ka hetuar një numër të konsiderueshëm çështjesh të shoqëruar edhe me disa arrestime ndaj politikanëve, por asnjëherë të mjaftueshme për pritshmëritë që kishte masa e madhe e shoqërisë shqiptare.

NIVELI I LARTË I KORRUPSIONIT DHE NIVELI I ULËT I LUFTËS NDAJ TIJ

Më 25 janar të këtij viti “Transparency International” publikoi raportin në të cilin Shqipëria kishte bërë hapa prapa në luftën ndaj korrupsonit duke u ulur një vend, nga vendi i 36-të në të 35-të. Nga 180 vende për të cilat përfshin raporti, Shqipërisa renditej në vend të 110 në botë dhe një nga vendet e fundit në Evropë. Edhe më e rëndë bëhet ky raport kur nëse bëhet një krahasim me 10 vjet më parë Shqipëria mbetet në vend numëro përsa i përket po luftës ndaj korrupsonit një nga premtimet e mëdha të socialistëve kur erdhën në pushtet në vititn 2013. Ndonëse e përmend SPAK-un si një hap të rëndësishëm në këtë luftë, raporti nuk i jep më shumë pikë Shqipërisë duke mos e evidentuar ende efektive këtë strukturë. Por ajo që e bënë të rëndësishme raportin e TIA-s është fakti se ai shigjeton të dyja si qeverinë dhe opozitën kur theksonte:

“Ajo që mungon është vullneti politik për ndryshim real, ndryshim praktikash, ndryshim të sjelljes institucionale, në të njëjtën kohë që miratohen ndryshime në ligje dhe ndërmerren rregullore të reja”.

Nisur nga ky raport, është e lehtë të nxjerrësh konkluzin që të paktën deri tani SPAK nuk ka ndikuar në uljen e perceptimit të luftës ndaj korrupsionit dhe si e tillë, pas 6 vitesh nga miratimi në parim i reformës në drejtësi dhe 2 vjet e 5 muaj nga ngritja e SPAK, Shqipëria ende lëngon me plagën e korrupsionit.

PD NË LUFTË TË PANDËRPRERË NDAJ SPAK

Ndërsa të gjitha raportet e rendisin Shqipërinë ndër vendet e para në kontinent me nivelin më të lartë të korrupsionit, gjatë kësaj periudhe SPAK nuk ka arrestuar politikanë që abuzojnë me fondet e shtetit dhe SPAK nuk ka arrestuar politikanë që kanë abuzuar në të kaluarën me fondet e shtetit. Po si është sjell politika në këto 2 vjet e 5 muaj ndaj SPAK? Duhet të themi se shumicën e kësaj kohe opozita dhe specifikisht Partia Demokratike ka qenë kundër SPAK. I gjithë lidershipi i opozitës e ka akuzuar këtë institucion se është kapur nga mazhoranca, dhe se kryeministri Edi Rama e kontrollon duke bërë çtë dojë ai me dosjet dhe çështjet. Të njëjtët politikanë të opozitës kanë deklaruar se kryetari i SPAK Arben Kraja është njeriu i Edi Ramës aty. Për Krajën dhe prokurorët e tjerë janë publikuar të dhëna familjare që sipas tyre tregojnë se janë marioneta të Ramës dhe beniaminëve të tij. Pa mbushur një vit nga ngritja e SPAK kryetari i opozitës Lulzim Basha e etiketoi nul këtë strukturë duke e cilësuar se kishte frikë ndaj qeverisë. Në një nga deklarimet e tij, më 8 dhejtor 2020 ai tha:

“Ja çfarë bëni ju, thirrja për SPAK, zotërinj ju inkurajoni vjedhjen, hajdutërinë, bashkëpërgjegjës që shqiptarët nuk po marrin masat lehtësuese kanë 3 javë e një ditë që po i përsëris ditë për ditë. Sot është koha të hapni gojën, dhe të kyçni në pranga anëtarët e grupit të strukturuar kriminal, pasi shqiptarët nuk po marrin dot lekë e tyre edhe pse paguajnë taksa”.

Por ndërsa kishin filluar përplasjet brenda Partisë Demokratike, kandidatja për kryetare e kësaj partie Edit Harxhi iu drejtua SPAK për të hetuar kryeatrin e partisë në të cilën ajo aderonte. Më 19 korrik 2021 Harxhi tha:

“Unë mendoj se PD është krejtësisht e kapur jo vetëm nga zoti Basha, por është e kapur nga oligarkia në përgjithësi. Zoti Basha është anëtar i kësaj oligarkie. Vetëm disa ditë më parë ka pasur në disa media të dhëna mbi aferën në portin e Durrësit. Kjo tregon që se PD është futur shumë thellë në disa kanale. Nëse janë të vërteta ato që thuhen, që kunati i tij është ortak me njërin nga ata që kanë fituar tenderin 20 miliardësh, është lidhje e drejtpërdrejtë, ndaj SPAK duhet të hetojë.”

Por sulmet e vazhdueshme të Lulzim Bashës ndaj SPAK ishin asgjë kur më 4 shkurt 2022, papritur nga mosbesuesin më të madh ndaj SPAK u kthye në besuesin e madh duk i kërkuar të hetonte ata që i quante trekëndëshi i Bermudës. Tha Basha atë ditë:

“Mund ta lëmë Ilir Metën që me dorën e Sali Berishës të marrë votën dhe t’i çojë prapë te Edi Rama. Të tjerat janë broçkulla. Shikoni si bëhen bashkë kur i cenohen interesat. Në vitin 2018 Berisha dhe Meta firmosën dhe sot janë kundër vettingut. Unë u them merri akuzat ndaj meje dhe çojini në SPAK. Atje të bëhet vettingu i politikanëve. I familjeve të çdokujt dhe familjeve të kujtdo. Duan të bëjnë shpifje. Të tre i bashkon frika ndaj të vërtetës”.

Shkoi edhe më fort pak javë më pas, kur me zë dhe më figurë dhe nominalisht Lulzim Basha këkroi që SPAK të hetonte Sali Berishën për faktin që është shpallur non grata nga SHBA për korrupsion. Lulzim Basha u bë kështu politikani i parë shqiptar që paraqiti publikisht kërkesën publike që Sali Berisha të përfundonte në SPAK për faktin se ishte shpallur non grata nga SHBA. Ky ishte një kapërcim tipik bashist që nga një mosbesues shumë i madh, tashmë po kërkonte ndaj strukrturës antikorrupsion që të hetonte kumbarin e tij politik që ta hetonte atë. Kishte ndodhur vërtetë kataklizma. Ndërkohë vetë Berisha në mënyrë permanente nuk ka besuar te SPAK. Edhe ditën e shtunë ai përsëriti frazën se SPAK dhe reforma në dejtësi është bërë për të vënë drejtësinë nën kontrollin e Edi Ramës, madje edhe të ambasadores amerikane Yuri Kim.

Por prej një jave ky mosbesim ka kaluar në krahun tjetër të politikës, te mazhoranca. Vetë kryeministri dhe kryetari i PS Edi Rama është kthyer në dyshuesi dhe mosbesuesin e dytë të madh ndaj SPAK. Akuza numër një e tij ishte për mosarrestimin e ish-kryeminstrit Sali Berisha të shpallur non grata nga SHBA dhe presidenit Ilir Meta. Ndërsa të mërkurën e 11 majit, në një konferencë për shtyp bashkë me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja bëri publike pasuritë e 10 gjyqtarëve dhe prokurorëve të larguar nga sistemi pas vetingut dhe që SPAK nuk ka hetuar ndaj tyre. Kurrë më parë SPAK nuk kishte marrë goditje nga e djathta dhe nga e majta njëkohësisht duke u bërë për herë të parë një sandëich nga presioni dy palësh. Deri në atë moment SPAK nuk kishte reaguar asnjëherë, por drejtuesi Arben Kraja e theu heshtjen duke iu kthyer kryeministrit me fjalët se SPAK punonte me kallëzime dhe jo me deklarata. Ndërkohë duke raportuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë Kraja pyetjes nëse SPAK punonte nën presion apo jo ai iu përgjigj:

“Të gjithë prokurorët e hetuesit janë të ndërgjegjshëm kë hetojmë, e dimë që do ketë opinione të ndryshme, presione. E rëndësishme për ne të jemi korrekt me ligjin, të vlerësojmë provat. Këto u kam thënë edhe prokurorëve, të vijojnë punët me provat, nuk është problem shqetësues për ne. Në lidhje me pyetjen e dytë, unë mendoj se ne punojmë në koherencë me BKH. Oficerët janë të rinj, por po mësojnë”.

Por çfarë domethënie ka fakti që pas dy vitesh e 5 muaj nga themelimi as PD e as PS nuk besojnë te SPAK? Përse e sulmojnë si opozitarët dhe qeveritarët? A ka goditur SPAK vetëm majtas për faktin se PS nuk ka marrë në mbrojtje publikisht asnjë politikan të hetuar dhe të arrestuar prej saj? Përse kryeministri Edi Rama shpërtheu ndaj SPAK pikërisht tani? Mos vallë ai ka informacione se bashkëpunëtorët të tij të afërt janë target i SPAK dhe mund të arrestohen? Në mbrojtje të SPAK duke shigjetuar Ramën doli ambasadorja e SHBA Yuri Kim e cila tha: “Pikëpamja e SHBA është se kur shohim reformën në drejtësi, do ta dimë se vërtet ka pasur sukses kur të mos quhet më normale apo me vend që udhëheqësit politikë, qofshin në pushtet apo larg pushtetit, por sidomos nëse janë në pushtet, të bëjnë thirrje për ndjekjen penale të individëve specifikë. Ajo që duam të shohim nuk është përmendja e emrave specifikë, por një sistem drejtësie të ngritur dhe institucione që kanë si vullnetin ashtu edhe aftësinë për të zbatuar ligjin, barabar, për këdo, në mënyrë që askush të mos jetë mbi ligjin. Ligji të aplikohet barabar. Ndaj, pres me kënaqësi ditën kur mund ta kemi këtë besim tek sistemi i drejtësisë i Shqipërisë, tek prokurorët dhe gjyqtarët e Shqipërisë” 

Ndodhur në këtë situatë, ka edhe një pyetje tjetër: Mos vallë duhet të themi se mosbesimi vjen nga fakti që edhe pse shoqëria ka shumë pretendime, sulmi nga qeveria dhe opozita të lë të kuptosh se SPAK po tregohet e pavarur nga politika? Infomacionet janë që SPAK ka në hetim dosje të rënda si “Cez Dia”, “Inceneratorët”, “Check up”, “Koncesioni i sterilizimit”, “Shpërthimi i Gërdecit”, “Privatizimi i klubit Partizani” por ende nuk ka konkluzione. SPAK ka vetëm një te drejtë në mënyrën e punës së tij si institucion: Që zbardhja e dosjeve që ka në hetim kërkon kohë dhe në 2 vjet e 5 muaj nuk mund të kompesojnë atë që është bërë në 32 vjet. Por SPAK duhet të kuptojë padurueshmërinë e opinionit për faktin se pandëshkueshmëria është bërë e tillë në Shqipëri që politikani i korruptuar cilësohet si i zoti dhe hajduti i parave të shtetit mbetet ti varet në qafë një medalje. Që SPAK është nën presion nga PS dhe PD kjo është evidente dhe nuk ka asnjë dyshim. Dhe kjo tregon se SPAK po godet korrupsionin si majtas dhe djathats pa bërë asnjë dallim dhe kjo mund të quhet fitorja e parë e kësaj strukture. Por që SPAK duhet të zgjerojë rrethin e të arrestuarëve edhe kjo është evidente. Një arkë me peshk e një zëvendësministreje të parëndësishme, kundrejt korrupsionit aktual dhe të dikurshëm të pushtetit është asgjë. Të dy palët kanë gjysmë të drejtë kur akuzojnë SPAK që nuk ka arrestuar ata politikanë që kanë abuzuar. Dhe që kjo gjysmë e drejtë të bëhet e plotë, SPAK duhet të vijojë të hetojë majtas dhe djathtas, pa u ndikuar nga askush dhe pa u bërë palë me askënd. Sigurisht me prova të besueshme dhe jo me akuza politike. Shoqëria po pret.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

1 × one =