Ekonomia shqiptare do të rritet, sipas parashikimit të KE-së

Ekonomia shqiptare do të njohë rritje deri në nivelin prej 2.7% gjatë këtij viti. Ndërsa vitin e ardhshëm ajo do të arrijë deri në 3.1%. Këtë parashikim jep Komisioni Evropian për vendin tonë në raportin e tij të Pranverës, publikuar ditën e sotme.

Sipas tij, ekonomia jonë gjendet nën ndikimin e luftës në Ukrainë, edhe pse në mënyrë indirekte pasi realisht nuk është drejtpërdrejt e ekspozuar ndaj saj apo Rusisë.

“Kostoja e lartë e subvencioneve dhe rritja e mbështetjes sociale që pritet për vitin 2022 do ta vonojnë rënien e konsiderueshme të deficitit, në 2.7% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, deri në vitin 2023, kur raporti i borxhit është parashikohet të ulet në 70.9% të tij”, pohojnë ekspertët evropianë, mbi ndikimet konkrete që do ketë kjo luftë tek financat tona.

E megjithatë, ata besojnë se ekonomia shqiptare do të shënojë një rritje progresive. Për Komisionin Evropian, faktorët kryesorë që do ta ndihmojnë atë janë dërgesat e emigrantëve, por edhe niveli i shtuar i shërbimeve.

Pa harruar as sektorin e turizmit, për të cilin thuhet se ishte pikërisht rikthimi i tij, i cili e çoi rritjen ekonomike të Shqipërisë deri në nivelin prej 8.5% gjatë vitit të kaluar.

Në fund, Komisioni Evropian nuk përjashton as rrezikun që mund t’i paraqitet ekonomisë vendase nga importi i energjisë elektrike, referuar reshjeve të pakta këtë fillim-viti.

“Në këtë rast, do të rritej fatura e importit të energjisë elektrike dhe mundet që përveç zgjerimit të defiçitit tregtar, të mbingarkohej edhe buxheti publik”, pohojnë ekspertët evropianë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

three × 2 =