Të shpëtojmë muzikën!

Nga ILir Metaj
Sigurisht që fitorja e Ukrainës në Eurovision ishte përtej cilësisë së këngës (muzika folk ukrainase përzier me rap- teksti të fortë)edhe mbështetje simbolike për kohën që po jeton.
Cilësi solide edhe Anglia për vendin e dytë. Baladë tipike angleze e muzikës pop.
Këto i vura re pasi pashë sot në mëngjes këngët fituese.
Dhe është rikonfirmimi i asaj çka mendoj për nivelin e përfaqësimit tonë në Eurovision, po edhe të muzikës tonë në përgjithësi këto kohë.
Cilësia, është oksigjeni që i mungon muzikës tonë.
Kjo është arsyeja edhe që përfaqësimi ynë në Eurovision pluskon në boshllëk mediokriteti.
Përjashto raste shumë të rralla(Eugent Bushpepa apo Rona Nishliu), ajo çka kemi treguar në Eurovision, është ajo çka kemi në muzikë:
mungesë origjinaliteti, muzikë e përhumbur nëpër ujra (ç)kulturash të huaja,tekste pa tekst në rastin më të mirë, ose tekste turpërues në rastin më të keq,performanca vokale të nivelit nën mesatar.
A e keni vënë re që muzika rock po zhduket nga skenat e festivaleve tona?
A e keni vënë re se gati të gjitha këngët duken copy-paste të njëra-tjetrës me tekste të bërë nga njerëz që duket se nuk kanë lexuar asnjë libër në jetën e tyre?
A e keni vënë re që tallavaja është kthyer në trend?
Për fat të keq, sot ka fare pak gjurmë nga trashëgimia tronditëse e rinisë të viteve ‘90.
Ritmi i shpirtrave që po zgjoheshin në kërkim të ndryshimit, të derdhur me zjarr në tingujt rock të atij brezi aq të pastër, aq të munduar, aq të sakrifikuar e aq poetik, duhet mund t’i gjesh nëpër pluhurin e fonotekave. Tashmë kitarën e ka zëvendësuar klarineta…. elektronike.
Shpluhurosja e shpirtit kreativ,rebel e poetik në kulturën e përgjithshme, e sidomos në muzikë, duhet të jetë mision për të gjithë ne.
Shoqëri, shkollë,familje,media,politikë.
“Ndërsa llojet e muzikës në përgjithësi tentojnë të tregojnë që çdo gjë është ok, muzika rock tregon që jo çdo gjë është ok, por t’i mund ta ndryshosh këtë”./ Bono – U2

Leave a Reply

Your email address will not be published.

one × four =