Kryeson “007”, por edhe inicialet, data, numra fati: Ja si i kërkojnë shqiptarët targat

Nga Sorgena Leka

Që shqiptarët duan të jenë ndryshe e tregojnë edhe në vende të tjera të botës si Angli, ku mund të shohësh makinë me targë “BISHA”, që qartazi të tregon se ajo makinë është në pronësi të një shqiptari.
Që në vitin 2019, çdo person ka mundësinë të përzgjedhë vetë targën e tij, me numra dhe gërma.
Ema Koci, drejtuese e njësisë së koordinimit të shërbimeve dhe projekteve digjitale pranë DPSHTRR thotë se numri i kërkesave dhe targimeve me përzgjedhje është shumë i lartë.
“Përkatësisht për periudhën janar–prill 2022 janë shitur 2533 “Targa me Përzgjedhje”.

Kërkesat më të shpeshta janë për “Targa Jashtë Serie”, tregon Koci, duke u nisur dhe nga gama më e gjerë e përzgjedhjes. Nisur nga numrat, ka preferencë për numrat e njëjtë (111, 222, 333, 444, 555,666, 777, 888, 999) apo të veçantë (001, 007) ose ato targa që kanë gërmat e fundit të njëjta, “nga të cilat ZZ është kombinimi më i kërkuar, ndoshta për faktin që krijon përshtypjen e një targe zyrtare”.
Ndërkohë, përzgjedhja më tipike janë tre numra të njëjtë dhe dy numra të njëjtë si për shembull: AB111XX ose AB100OO, AB010OO, AB001OO, etj.

Koci tregon se shumë njerëz zgjedhin inicialet e emrit të tyre ose data të veçanta dhe “numra fati” të cilat i përshtasin me disponibilitetin e targave në momentin e porosisë.
Cila grupmoshë dhe gjini i kërkojnë më shumë targat me përzgjedhje?
“Moshat e reja dhe kryesisht meshkujt janë ata që kryejnë porositë më të mëdha”, thotë Koci, duhet theksuar që “Targat me Përzgjedhje” nuk janë një trend vetëm për zotëruesit e mjeteve të luksit, por shpesh janë zgjedhje edhe për zotëruesit e mjeteve jo të shtrenjta.

Targat që merren sipas radhës për targimin e mjetit quhen thjesht “targa sporteli”. Ato shoqërohen nga tarifa standarde prej 3000 lekë të reja (pala) për automjete. (kliko këtu për tarifat e targave të veçanta)

Ndërkohë, nëse dikush dëshiron të ketë një targë më të veçantë dhe jo atë që rastësisht zgjedh sistemi në sportel, ka mundësi ta përzgjedhë atë online. Tek ato që njihen si “Targa me Përzgjedhje” bëjnë pjesë dy kategori targash: “Targat e veçanta” dhe “Targat jashtë serie”.

“Targat e veçanta” janë një seleksionim i numrave të përcaktuar si të bukur nga prodhimi masiv që Drejtoria e Targave dhe Shtypshkrimeve prodhon çdo ditë dhe shiten online me tarifa ekstra.

Në rast se qytetari veç numrave të bukur dëshiron dhe kombinimin e gërmave vijon përzgjedhjen te “Targat Jashte Serie”. Marrin këtë emërtim pikërisht sepse prodhohen me porosi dhe jashtë rendit të zakonshëm.

“Gama e kombinimeve është shumë e gjerë ndaj dhe është kategoria më e preferuar”, thotë Koci.
Veç larmishmërisë së kombinimeve është dhe larmishmërinë e çmimeve. Tarifat nisin nga 10 mijë deri ne 50 mijë lekë të reja.

Ndërkohë, Koci sqaron se së shpejti do të ketë edhe targa me 1 karakter (1-10). Këto targa do të kenë procedurë përzgjedhje ndryshe nga të tjerat pasi do të kenë çmime të konsiderueshme dhe do të shiten në ankand.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

one + two =