Presidenti Zelensky është zotuar të mbajë Eurovizionin në Mariupol vitin e ardhshëm, pasi një mbështetje shumë e madhe erdhi nga publiku evropian, gjë që e çoi Ukrainën në fitore.
Volodymyr Zelensky shpejtoi për të përshëndetur fitoren – dhe madje u zotua të zhvillojë konkursin e vitit të ardhshëm në Mariupol, pavarësisht se qyteti edhe aktualisht është i rrethuar nga forcat ruse.
Ai tha: “Guximi ynë i bën përshtypje botës, muzika jonë pushton Evropën. Vitin e ardhshëm Ukraina do të presë Eurovizionin, për herë të tretë në historinë e saj dhe, besoj, jo e fundit. Ne do të bëjmë çmos që të presim pjesëmarrësit dhe të ftuarit e Eurovizionit në Mariupol të Ukrainës, në Mariupolin e lirë, paqësor, të rindërtuar.
“Falënderoj Orkestrën Kalush për këtë fitore dhe të gjithë ata që na dhanë votat. Jam i sigurt se tingulli i fitores në betejën me armikun nuk është i largët. Lavdi Ukrainës.’
Rezultatet e Eurovizionit janë një mesazh sfidues për Vladimir Putin. Ndërsa deri vjet, juritë e shteteve bënin kryesisht votim gjeografik, duke mbështetur me maksimumin e pikëve vendet aleate, sivjet pati votim publik politik.
Fituesit e grupit folk-rap Kalush Orchestra bënë një interpretim emocional të këngës së tyre Stefania, e cila është bërë një himn lufte për Ukrainën gjatë pushtimit.
Duke marrë trofeun e lakmuar, grupi tha: ‘Faleminderit për mbështetjen e Ukrainës. Kjo fitore është për çdo ukrainas. Slava Ukraina.’