Koleksioni fotografik i Safet dhe Gjylzade Dokles, pjesë e muzeut “Marubi”

Koleksioni fotografik i Safet dhe Gjylzade Dokles iu dhurua muzeut kombëtar të fotografisë “Marubi”, në Shkodër. Në ceremoninë e dhurimit të koleksionit fotografik në Ministri të Kulturës, ishin të pranishëm familjarë të Safet dhe Gjylzade Dokles, ministrja Elva Margariti, drejtues të muzeut kombëtar të fotografisë “Marubi”, etj. Aktiviteti fotografik i Safet e Gjylzade Dokles i zhvilluar në Borje të Rethit të Kukësit shtrihet nga vitet ’30 deri në vitet ’70. Në koleksionin e tyre fotografik dokumentohet historia politike, jeta shoqërore, ritualet e ndryshme dhe aspektet tradicionale të Shqipërisë veri-lindore. Ky koleksion është më i madhi i dhuruar ndonjëherë mbas ’90 Fototekës “Marubi”, i cili përbëhet nga 19.548 negativë, 31 albume me fotografi dhe 33 objekte të laboratorit fotografik. Në vijim të përmbushjes së misionit të tij, muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” ka bashkëpunuar prej disa muajsh me Ramadan Doklen, trashëgimtar i koleksionit fotografik të prindërve të tij Safet dhe Gjylzade Dokle, me qëllim dhurimin e këtij koleksioni. Në vazhdën e misionit për të shpëtuar koleksionet fotografike të dëmtuara apo që ruhen në kushte të papërshtatshme në Shqipëri, muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” gjatë viteve të fundit ka ndërmarrë disa nisma të shpëtimit të koleksioneve fotografike, si në rastin e koleksionit të Osman dhe Mehmet Kallfës në 2015 dhe të fotografit Pirro Mosit në 2016. Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” tashmë në pedonalen kryesore të qytetit të Shkodrës, mban në arkivin e tij rreth 400,000 negativë në pllaka xhami, të organizuar në mënyrë të përkryer dhe të klasifikuar sipas vitit të shkrepjes dhe përmbajtjes së fotografisë. Në dy katet e muzeut do të mund të shihni edhe studiot e fotografit të famshëm, Pietro Marubit, dhe pasardhësve të tij. 40 vitet e karrierës së Pietro Marubit ju dedikuan mijëra fotografive të ngjarjeve të rëndësishme si edhe jetës së përditshme shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

four × 2 =