Franca kundërshton anëtarësimin e Kosovës në KE: S’i mbështesim lëvizjet e njëanshme

Për ambasadorin e Francës në Serbi, Pierre Cochard, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është një vendim i njëanshëm, të cilën shteti i Francës nuk e mbështet.

Sipas tij prioritet në këtë rast duhet të jetë dialogu Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, dhe se bisedimeve duhet të jepet një dinamik të re.

“Kandidatura për në Këshillin e Evropës është një vendim i njëanshëm dhe ne nuk i mbështesim ato vendime dhe e konsiderojmë dialogun një prioritet. Temat prioritare është edhe çështja e personave të pagjetur. Kjo është prioritet për ne”, ka thënë ai, raportojnë mediat serbe.

Cochard më tej ka nënvizuar faktin se Kosova nuk e ka mbështetjen e Francës për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, pasi sipas tij lëvizjet e njëanshme mund të çojnë në përshkallëzim të situatës në terren.

“Ne i kuptojmë aspiratat e Kosovës për t’u bashkuar me institucionet evropiane dhe mirëpresim faktin që ata janë rreshtuar me qëndrimet evropiane në lidhje me Ukrainën. Megjithatë, lëvizjet e njëanshme nuk i lehtësojnë gjërat dhe mund të çojnë në rritjen e tensioneve”, ka shtuar ai.

Ndryshe, këtë të enjte të 12 majit, Kosova zyrtarisht ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Këtë e ka bërë të ditur, shefi i kabinetit të ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Sharr Jakupi, përmes një postimi në rrjetin e tij social Twitter, ku ndër të tjera ka njoftuar se Gërvalla personalisht ka dorëzuar aplikimin në këtë organizatë, pas takimit që ajo ka realizuar me zyrtarët e Këshillit të Evropës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

15 + 11 =