EDITORIAL/ Rezoluta e sotme në Parlament ose triumfi i një inteligjence negative

Parlamenti i Shqipërisë dhe sidomos shumica socialiste duhej ta kishte shmangur me inteligjencë kurthin malinj që i ngriti politikani i vjetër dhe i ndaluar nga SHBA.
Mendjelehtësi politike është ajo që ndodhi. Pasoja, fatkeqësisht është më e madhe dhe nuk mund të zhbëhet nga reagimet distancuese apo nënvlerësuese prej krerëve të shumicës, e më së shumti nga kryetari i kësaj shumice, kryeministri Edi Rama.
Loja me autoritetin zyrtar të një Kuvendi është e rrezikshme.
Përgjegjësia tashmë nuk është e atij që e futi në kurthin e përdorimit, pra e zotërisë non grata, por e këtyre që ranë në kurth.
Kjo mendjelehtësi vjen prej mungesës së ndërgjegjes peshuese institucionale të shumicës pilitike të Kuvendit të Shqipërisë, pra PS-së. Kjo shumicë, ndër të tjera, u dëshmua se nuk mund të vendosë në funksion memorien parlamentare të këtij institucioni për qëndrime politike ndaj ndodhive dhe genocidit në rajon, ndodhur kohë më parë.
Në kohën e ndodhjes së tragjedisë genocidiste serbe në Srebrenicë, të gjitha palët e Kuvendit të atëhershëm të vendit, janë bashkuar në një deklaratë zyrtare. Ajo deklaratë ishte pjesë e zinxhirit të qëndrimeve që patën vendet e Perëndimit dhe të BE-së ndaj masakrës serbe. Atij reagimi iu bashkangjit kjo Shqipëri zyrtare që atëhere drejtohej gjëmësisht nga propozuesi dinak i rezolutës së sotme. Atëhere nuk ekzistonte opcioni i Shqipërisë digjitale e as motorët e kërkimit virtual. Por në arkivën e Kuvendit dhe tek fletoret zyrtare do të duhej ta gjenin për t’ia treguar dhe konsideruar të panevojshme sot, propozuesit pra, aktorit më të pashqitshëm nga fati politik i Shqipërisë së tri dekadave. Kështu mund t’ia hiqnin nga mundësia kazusin e keq, lojtarit që nuk e ka për gjë të investohet për llogari të veta dhe për nxirje të faqes zyrtare të Shqipërisë. Padashur, me aktin zyrtar të refuzimit, PS ka krijuar qëndrimin e dokumentuar, absurd ndarës, me qëndrimet bashkëpërkuese me Perëndimin dhe Evropën për krimin madhor serb në Srebrenicë.
Shumica socialiste ra mendjelehtësisht në këtë kurth, pasojat e të cilit nuk i zhbën dot as me twitterin e kryeministrit e as me replikat e tjera të grupit, ndaj atij që e quajnë” të vdekur politik” dhe i përgjigjen si lojtar që e kanë në fushën e përbashkët.
Kuvendi duhet ta shmangte plotësisht procedurën për një votim të pavend, të pakohë, të ezauruar dhe ta eklipsonte me një qëndrim më zyrtar mbështetës e dakordësues, për kërkesën zyetare të Kosovës për të qenë anëtare e Këshillit të Evropës. Nëse do të ndodhte kjo, atëhere inteligjenca politike e interesit kombëtar do të triumfonte mbi inteligjencën negative të individit që me çdo kosto, kërkon shtesë në historinë politike të vetvetes në kurriz të Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

eleven + fifteen =