Prokurimet publike, 333 milionë euro tenderë sekretë janë dhënë pa garë, ofertat në kufijtë e vlerës limit

 

Institucionet shtetërore kanë shtuar praktikën e dhënies së tenderëve sekretë. Sipas nënkryetares së Komisionit të Ligjeve, Dhurata Çupi, për gjatë vitit 2021 ministritë dhe institucionet e tjera kanë dhënë 333 milionë euro tenderë pa garë.

“Një nga problematikat thelbësore të prokurimeve nga viti 2014 kanë qenë tenderët me një operator në garë pra pa garë, të cilat shkonin 30% të tenderëve total ose 1 në 3 tenderë pa garë, pranuar edhe nga Raporti i Gjykatës Europiane të Auditit.

Në vitin 2021, rezulton se 34.4% e tenderëve total janë me një operator në garë pra pa garë, me vlerë 333 milionë euro ose 21% e vlerës total të prokuruar, kryesisht tenderë me vlerë mbi 200 mijë euro”, Tha Çupi në komisionin e ligjeve teksa raportonte kryetari i Komisionit të Prokurimeve Publike.

Ofertat e shtrenjta Një tjetër shqetësim që u ngrit nga deputetja e PD-së ishte fenomeni i ofertës në kufirin limit. Para edhe në rastet kur ka garë kursimi është shumë i ulët pasi ofertat që ofrojnë kompanitë janë shumë të ulëta.

“Një tjetër problematikë, është realizimi i fondit limit, ku operatorët ofertojnë kë kufij deri 100% të vlerës së fondit limit dhe shpallen edhe fitues. Në vitin 2021, (1) në 20% e procedurave me vlerë 341 milionë euro ose 22% e vlerës total të prokuruar, vlera e kontratës është sa 100% e vlerës së fondit limit; (2) në 32% e procedurave me vlerë 567 milionë euro ose 36% e vlerës total të prokuruar, vlera e kontratës është sa 99% – 100% e vlerës së fondit limit dhe (3) në 52% e procedurave me vlerë 1 miliardë euro ose 65% e vlerës total të prokuruar, vlera e kontratës është sa 95% – 100% e vlerës së fondit limit.

Në vitin 2021, në 65.6% të procedurave total, të cilat përbëjnë procedurat me garë, pavarësisht se është pranuar si kriter për kualifikimin e fituesit oferta me e ulët, fiton oferta më e lartë, me diferencë të konsiderueshme me ofertën më të ulët. N.q.s. do të kualifikohej fitues oferta më e ulët sikurse është pranuar si kriter për kualifikim e fituesit nga vetë institucionet, buxhetit të shtetit do t’i kursehej 70 milionë euro.

Në vitin 2021, 6.5% e procedurave ose 94 milionë euro janë anomalisht të ulëta bazuar në LPP. Një numër kaq i lartë fakton se institucionet kanë tendencën e tejfryrjes së fondit limit, ndërkohë që ofertat anomalisht të ulëta në vitin 2021 shkojnë deri në 25% të vlerës së fondit limit”, vijoi deputetja e PD.

Ndërkohë Kryetari i grupit Parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj u përqendrua te problemet e Prokurimeve Publike sa i përket policisë private.

Sipas Alibeajt, kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, po pasurohet njësoj si njeriu më i pasur i botës Elion Musk për shkak të tenderëve që fiton për të ruajtur institucionet shtetërore.

Në mbrojtje të Komisionit të Prokurimeve Publike doli kryetarja e Komisionit Klotilda Bushka, e cila i kujtoi deputetëve të opozitës se kryetari i KPK-së nuk është as prokuror e as KLSH-ja.

“Ju duhet t’i bëni pyetje z. Myzyri mbi fushën e veprimtarisë së tij. Ju po i drejtoheni atij sikur është ai autoriteti i KLSH-së, sikur është prokuror apo autoriteti që jep tenderët. Ai ju dha një përgjigje që gjatë 2021 janë përjashtuar 4 raste të operatorëve ekonomik me precedent që nuk lejohen”, tha Bushka.

Ndërkohë, relatori i raportit vjetor të KPP-së, Jurgis Çyrbja, rekomandoi uljen e numrit të ankesave për procedurat e prokurimit pasi në vitin 2021 shënonin një rritje të ndjeshme.

“Duhet të ulen ankesat, të plotësohen vendet vakante me staf të kualifikuar, të informohen në kohë operatorët ekonomikë, si dhe KPP-ja të ndërgjegjësoj operatorët për të bërë ankesat online”, u shpreh Çyrbja.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

9 + 8 =